Vuçiqi ankohet “për drejtësi selektive” nga Tribunali i Hagës, përfshin edhe Haradinajn

8 qershor 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerëson se me dënimin e përjetshëm që ka marrë sot krimineli Ratko Mladiq nga Gjykata e Hagës, nuk është gjykuar as Serbia e as populli serb. Në fjalimin e tij ka përfshirë edhe ish-komandantin e UÇK-së, Ramush Haradinaj, që ishte shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

Në një fjalim në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Vuçiq ftoi serbët të ngrenë kokën lart.

“Nuk janë gjykuar pjesëtarët e popujve tjerë, me gjithë normat ndërkombëtare të drejtësisë. Serbët janë dënuar me gjithsej 1.138 vjet burgim dhe me tetë burgime të përjetshme. Në të njëjtën kohë, Gjykata e Hagës nuk ka gjykuar asnjë kroat për krimet. Prokurorët me qëllim kanë zgjedhur Ante Gotovinën, Naser Oriqin e Ramush Haradinajn dhe të gjithë janë dënuar pos Haradinajt. Por në shkallën e dytë me vendime misterioze janë liruar. Të gjithë dëshmitarët kundër Haradinajt janë vrarë ose vetëvrarë. Me gjithë këtë drejtësi selektive jemi kthyer nga e ardhmja. Kam një porosi për popullin tonë: Kokën lart, as Serbia e as serbët nuk janë gjykuar për asgjë”, ka thënë Vuçiq, përcjell B92.

Liderit të forcave ushtarake serbe në Bosnjë, Mladiqit, sot i është konfirmuar burgimi i përjetshëm për gjenocidin dhe krimet tjera të kryera në Bosnjë gjatë luftës 1992-1995.

Gazeta Koha Net, Prishtine