Vula e PD kthehet te Rithemelimi, nis skenari i 2005 për rikthimin në pushtet të Berishës, ja surprizat që pritet të ndodhin në zgjedhjet ë 2025
12 Qershor 2024
Nga Elmas BOGDANI
Pas 30 muaj luftë juridike me kuvende e përplasje në seanca gjyqësore më në fund ka një vendim për Partinë Demokratike. Partia më e madhe opozitare në vend do të përfaqësohet nga grupi i Rithemelimit i Sali Berishës, “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania dhe në arrest shtëpie nën akuzë për korrupsion nga SPAK. Gjykata e Apelit, me trupë gjykuese të përbërë nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro vendosën unanimisht mospranimin e ankimit të bërë nga grupi i Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e marrë 25 marsin e vitit 2022 nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili regjistroi ndryshimet statutore në Partinë Demokratike të miratuara në Kuvendin e Sali Berishës më 11 dhjetorin e vitit 2021.
Ajo që vihet re është tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përballë Berishës. Dje asnjë përfaqësues i Ambasadës Amerikane nuk kanë qenë të pranishëm në gjyq, ndryshe nga 3 marsi i 2023, ku ata qëndruan prej 8 orësh dhe ndoqën momentin kur Gjykata e Lartë i kaloi vulën, siglën dhe logon e Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.
Skenari i 2005
Ky qëndrim i amerikanëve, të risjell në mendje skenarin e 2005. Ishte ndërhyrja e SHBA që e rrëzuan Sali Berishën në vitin ’97, po nga ana tjetër ishin po amerikanët që e lejuan Berishën të vinte sërish në pushtet në vitin 2005. Si mund të merrte drejtimin e shtetit, familja “Berisha” që bashkëpunoi me agjenturat e huaja kundër shqiptarëve duke mbrojtur dhe graduar ekzekutorët me poste të larta në pushtetin e tij. Si mund të merrte drejtimin e shtetit, një personazh që dogji Shqipërinë në vitin 1997, për shkak të piramidave të tij financiare hajdute zyrtare, duke shkrumbuar pronat publike, institucionet e shtetit, pronat private, me bilanc edhe vrasjen e afro 3000 shqiptarëve. –
Si mund t’i besohej Berishës, që shkatërroi institucionet në 14 Shtator 1998, për të marrë pushtetin me dhunë, duke kthyer edhe PD për 1 muaj në repart tankesh e topash luftarakë. Por edhe pse marrëdhëniet e tij me amerikanët ishin të ngrira në ato vite, në 2005 ai u rikthye sikur nuk kishte ndodhur gjë dhe askush nuk e pengoi. Ai madje e mori pushtetin nën sloganin e “Kohës për ndryshim, me duar të pastra”, duke udhëhequr fushatë pozitiviste me antikorrupsionin si kalë beteje. Edhe këtë herë ky personazh që e etiketohet nga të gjithë si “vrasës të shqiptarëve”, si “krye-hajdut të pasurive kombëtare” dhe “anti-shqiptar”, po ndjek të njëjtën skemë për zgjedhjet e 2025 që janë shumë afër. Në fund do të jenë shqiptarët që do ta pësojnë, nëse besojnë sërish se me Sali Berishën Shqipëria do të transformohet. Këtë fakt e hedh poshtë historia. Mandati i parë qeverisës i Berishës në 2005 u njollos nga një shpërthim i fuqishëm në ndërmarrjen e demontimit të armëve në Gërdec, në mars të vitit 2008, ku 26 persona humbën jetën. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen, ndërsa pati akuza edhe për familjarët e kryeministrit Sali Berisha, si të implikuar në afera korruptive. Gjithashtu edhe mandati i tij i dytë u pasua me ngjarje edhe më të rënda, si vrasja e 4 demonstruesve e plagosja e 40 të tjerëve në 21 janar 2011. Ishte Berisha që urdhëroi Gardën e Republikës për të qëlluar mbi popullin që kërkonte punë dhe bukë. A mundet që shqiptarët t’i besojnë sërish këtij politikani? Edhe nëse ai deklaron se nuk do ta marrë drejtimin e PD, vendimi i Gjykatës së Apelit është një alarm, pasi kushdo të jetë lideri i selisë blu, urdhrat do të vijnë nga Sali Berisha. Sinjalet u dhanë dje. Pasi Apeli i dha vulën e partisë, Sali Berisha menjëherë u vendos në veprim, duke iu drejtuar me një mesazh anëtarëve në grupet e WhatsApp. Ish-kryeministri nisi udhëzimet e para nga arresti shtëpiak, duke iu kërkuar anëtarëve që të mos e përdorin termin vulë apo logo, por vetëm fjalën flamur. Zgjedhjet e 2025 mund të jenë me surpriza. Familja “Berisha” mund të marrë sërish pushtetin dhe rasti i 2005 nuk është çudi që të përsëritet.
Reagimi i Berishës
Me një postim në rrjetet sociale, Berisha teksa u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bëhen bashkë u shpreh se me këtë vendim të Apelit ka fituar demokracia. “Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. Sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike me flamurin e saj pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar!
Sot duhet të bashkohemi rrethe Flamurit te pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonua, shpëtimin e Shqipërisë”, tha ai.
Zbardhet se çfarë ndodhi në seancën gjyqësore
Vendimi u prit me entuziazëm mes anëtarët të PD-së së Berishës, të cilët ishin të shumtë në seancën gjyqësore e cila zgjati më shumë se dy orë. Festa nuk mungoi edhe në Selinë e Partisë Demokratike. Fillimisht mbrojtësit ligjorë të grupit të Berishës kërkuan që të mos legjitimohej ankimi për shkak se grupi i Bashës sipas tyre duhet të përjashtohej nga procesi, si jo palë. Gjykata për këtë kërkesë të ndërmjetme tha se do të shprehej në vendimin e arsyetuar. Mbrojtjen PD e Bashës e orientoi në vendimin e Gjykatës së Lartë, duke thënë se ajo e kishte bërë të qartë se ka vetëm një PD dhe si e tillë ajo përfaqësohej vetëm nga një palë dhe Apeli duhet të kishte zgjidhur këtë se kush i ka këto tagra përfaqësimi.
Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha për t’ju përgjigjur përjashtimit nga grupi parlamentar që Lulzim Basha i bëri shtatorin e 2021-shit për shkak se ishte shpallur ‘non grata’, me një pjesë të demokratëve që e mbështesin, mbajti një Kuvend Kombëtar në stadiumin ‘Air Albania”, i cili ndryshoi statutin e PD-së, shkarkoi nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm, i ngriu kompetencat organeve drejtuese të parisë, e shpalli të pavlefshme kryesinë e PD-së, kuvendin e 18 dhjetorit që Basha mblodhi 1 javë pas tij, ngriti komisionin e Rithemelimit me 29 anëtarë si përgjegjës deri në zgjedhjet e reja në parti dhe së fundi shkakori Lulzim Bashën si kryetar i PD-së. Në 25 mars të 2022 Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga Vettingu, pranoi kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar këto ndryshime, por ky vendim u apelua nga PD zyrtare e Bashës me firmën e Enkelejd Alibeajt. Një vit më vonë, më 3 mars të 2023 Apeli vendosi ta kthente në shkallë të parë, vendim të cilin e rrëzoi Gjykata e Lartë. Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar, përmes një seance në dhomë këshillimore e teksa jashtë saj ish kryeministri dhe Rithemelimi protestonin, Gjykata e Lartë vendosi të detyrojë ‘Apelin’ që të zgjidhë përfundimisht se cila pjesë, ajo e Bashës apo e Berishës gëzon të drejtën të quhet Partia Demokratike. Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë përçarje nuk ka qenë vetëm ligjore. 8 janari i 2022 kulmoi në përplasje fizike mes Rithemelimit e PD zyrtare, ku vetëm ndërhyrja e policisë shmangu pasojat fatale. Vendimi i kësaj të marte i Apelit mund të dërgohet sërish në Gjykatën e Lartë nga Lulzim Basha, por ky i fundit bëri me dije dje se do ta pranojë vendimin që dha drejtësia.
Gazeta Sot