21 Shkurt 2025

Nga: Elmas Bogdani

Lëvizjet e fundit të mazhorancës për të vendosur nën kontroll reformën në drejtësi kanë ndezur alarmin jo vetëm në vend, por edhe në kancelaritë perëndimore. Fatmir Xhafaj, një nga figurat kyçe të Partisë Socialiste dhe arkitekt i shumë reformave në sektorin e drejtësisë, ka marrë drejtimin e një komisioni parlamentar që shihet si një përpjekje e pastër për të zhbërë SPAK-un dhe për të rikthyer kontrollin politik mbi sistemin gjyqësor. Xhafaj njoftoi publikisht që e ka gati draftin për ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, një dokument që mbetet ende në qarkullim të brendshëm mes anëtarëve të Komisionit parlamentar. Pohimi vjen në një kohë debati të ndezur pas arrestimit të numrit dy të mazhorancës, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa nën hetim është edhe kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Busha, e cila në dy mbledhjet e drejtuar nga Xhafaj, u shfaq dje vetëm 10 minutat e fundit.

“Kush e kontrollon kontrollorin? Një problem që kemi në gjithë këtë mekanizëm është se kemi një sërë strukturash investigative kontrolluese, por ku japin këto llogari, kush i kontrollon? Dhe si mund ta realizojmë ne këtë gjë Jam dakord me risitë që sillni, i keni dhënë me alternative dhe do t’i diskutojmë?”, tha Xhafaj në fjalën e tij mes të tjerash. Ekspertët e kanë propozuar ngritjen e një komisioni të përhershëm parlamentar në Kuvend, që do të kryejë monitorimin e një sërë institucionesh e strukturash, përfshirë SPAK. Komisioni, siç rekomandohet në draftin analitik të miratuar nga anëtarët e “Antikorrupsionit”, do të vendosë sanksione në rast mospërmbushje të angazhimeve të marra nga institucionet.

BE jep alarmin

Duke parë planin e PS-PD për të shpërbërë SPAK, Delegacioni i Bashkimit Evropian ka reaguar sërish dje me urgjencë duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si një element kyç për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në një reagim, Delegacioni i BE-së thekson se hetimet dhe ndjekjet penale të SPAK duhet të zhvillohen pa ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, duke mbështetur kështu pavarësinë e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë”, thuhet në reagim.

Bllokadë ekonomike dhe sanksione

Mesazhi i BE është i qartë për politikën shqiptare: Nëse ndërhyni te Reforma në Drejtësi, procesi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të bllokohet dhe vendi ynë madje do të ngelet dhe pa fondet nga Brukseli. Monitorimi nga ndërkombëtarët është i pranishëm pasi Shqipëria që të anëtarësohet në BE duhet të përmbushë kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë hapur të parët. “Shqipëria duhet të: Përparojë më tej me krijimin e një regjistri për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të vëna nga veprat penale të korrupsionit; të thellojë më tej hetimet financiare; të finalizojë procedurat për themelimin e organeve të specializuara anti-korrupsion, të përbërë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Byroja Kombëtare e Hetimit për të ndëshkuar korrupsionin e nivelit të lartë deri në nivel politik. Përgjigjet e drejtësisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë kanë filluar të jenë konkrete dhe kjo duhet të vazhdojë”, thuhet në kapitullin 24. Në të njëjtën linjë është dhe kapitulli 23, në të cilin thuhet: “Situata aktuale e sistemit gjyqësor në Shqipëri pasqyron tiparet e tranzicionit të shoqërisë sonë dhe, si e tillë, është akoma larg standardeve europiane.

Qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me fenomene si korrupsioni, mungesa e profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat sjellin pengesa serioze në mirëfunksionimin e drejtësisë dhe ndikojnë në uljen e besimit të publikut në institucionet e saj. Për këtë arsye, shteti dhe shoqëria shqiptare janë tërësisht të interesuar për reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”. Kroacia dhe Rumania nisën arrestimet e bujshme pikërisht kur hapën këta kapituj. Atje u arrestuan me mijëra zyrtarë, përfshirë ish-kryeministrat, ministra, deputetë dhe krerë bashkish. Në Shqipëri kanë nisur arrestimet, por presioni tani duket që është shumë më i lartë sa edhe kryeministri po kërcënon dhe po iu bën presion prokurorëve. Por së fundmi po shohim edhe më shumë mbështetje nga BE për SPAK. Nëse politika shqiptare nuk bindet, futen në lojë sanksionet, ku lënia pa fonde nga Brukseli pritet të tronditë pozitat ekonomike të Shqipërisë.