Xhamia e Plumbit monument kulture në Shkodër përmbytet nga uji

13 SHKURT 2021

Uji në Shkodër nuk ka kursyer as xhaminë e Plumbit, duke e përmbytur. Gjatë këtyre ditëve bëhet me dije se objekte të ndryshme janë në ujë, ndërsa nuk ka shpëtuar as ky objekt monument kulture. Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt Xhamia e Plumbit, e me këtë emër njihet edhe sot. Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit.

Xhamia e Plumbit

Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata. Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive. Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj. Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik.

Gazeta Sot

?