Xhevat Lloshi: Vitet 1850,Kristoforidhi e Qiriazët nisën traditën e përkthimit
Xhevat Lloshi: Vitet 1850,Kristoforidhi e Qiriazët nisën traditën e përkthimit
Për të shtjelluar ecurinë e përkthimeve nga anglishtja në gjuhën shqipe në radhë të parë shtrohet pyetja: në cilat rrethana dhe kur ka lindur nevoja për ta bërë këtë? Rrethanat kryesore të komunikimit, në të cilat vijnë në kontakt dy gjuhë janë fqinjësia, marrëdhëniet tregtare, luftërat, pushtimet, lidhjet diplomatike, migrimet, udhëtimet, arsimimi, kultura, shkenca, sportet dhe takimet individuale.
Nuk e dimë se kur ka nisur ardhja e mallrave britanike në viset shqiptare, ndërsa ka raporte të hollësishme nga konsujt për tregtinë në gjithë Shqipërinë jugore që nga viti 1849 (konsulli S. S. Saunders) dhe që nga viti 1859 për Durrësin dhe për Korçën, e cila ishte qendër për shpërndarjen e mallrave, duke arrirë mbi një milion paund të asaj kohe në vit.
Shkrimet në anglisht të Gjergj Qiriazit para 1900
Kundrejt Britanisë së Madhe shqiptarët kanë qenë gjithnjë në anën e saj. Një trupë anglezësh ka shoqëruar perandorin bizantin Aleks Komnenin (1048-1118) në betejën e Durrësit. Fakti më i vjetër dhe më interesant është ardhja e kalorësit anglez John of Neëport, i cili më 1457 mori pjesë me një togë shigjetarësh në betejën e Albulenës krahas Skënderbeut dhe pastaj e shoqëroi në Itali një ambasador i tij. Me një hamendësim do të pohoj atëherë, se shqiptarët e kanë dëgjuar anglishten për herë të parë në kohën e Skënderbeut. Sipas K. Çekrezit (1921), thuhet se shqiptarët e mërguar pas pushtimit osman kanë hyrë edhe si mercenarë në shërbim të mbretëreshës Elisabeth (1533-1606), për të cilën kanë luftuar në Belgjikë dhe në Francë. Do të kalonin shekuj, derisa ushtarakët britanikë të kishin të bënin me Ali Pashë Tepelenën e me shqiptarët në Ishujt Jonianë. Earl Camden-i i ka shkruar kolonelit Cole më 12 korrik 1804 një letër me projektin për të mbledhur ushtarë në Shqipëri që të shërbenin në Mesdhe, ndërsa më 1853-1856 trupa shqiptare nga mirditorët do të merrnin pjesë në Luftën e Krimesë, por nuk është e vërtetë, siç është shkruar disa herë, që në këtë luftë ka qenë me ata si përkthyes nga anglishtja K. Kristoforidhi.
Udhëtarë britanikë kanë përshkuar viset tona mjaft herët. Richard Hakluyt (1552-1616) ka botuar më 1589-1599 një përmbledhje dokumentesh me titullin The Principal Navigations, Voyages, Traffiques, and Discoveries of the English Nation (botuar edhe nga E. Goldsmith. Edinburg, 1885-1890, vol. III), në të cilën ka përfshirë The voyage of Robert Ketenensis under King Stephen to Dalmatia, Greece and Asia të vitit 1143. Ketenensisi vdiq po atë vit. Në vjeshtë të vitit 1322 zbriti në Durrës prelati Simeon Simeonis (dorëshkrimet e tij Itinerarum Symeonis Simeonis et Hygonis u botuan më 1778). Po në atë vit nisi udhëtimin e vet John Mandeville, udhëpërshkrimi i të cilit u botua më 1499. Kreu i parë mban titullin To teach you the ëay out of England to Constantinople dhe marrim vesh se ai ka kaluar në Iliri e Greqi. Lexojmë te ai se: “Më pas është Albanye, një mbretëri e madhe. Dhe kjo quhet Albanye, sepse njerëzit aty janë më të bardhë se në të gjitha anët rreth e rrotull. Dhe në atë vend ka qen aq të mëdhenj dhe aq të fortë, sa sulmojnë luanët dhe i mbysin.” Edhe Richard Pyuson-i më 1511 shënon, se Aboute XXX myle by yonde Aragonse endeth Sclaunya and begynneth Albanye at the toëne of Budua.
Tregtari Roger Barloë nga Bristoli (vdiq më 1554) shkonte në Sevilje dhe u njoh me librin Suma de Geographia, të shkruar nga Martin Fernandez de Enciso (1478-1528), kolonizator spanjoll, të shtypur më 1519. E përktheu atë për mbretin me titullin A Brief Summe of Geographie më 1540-1541 (u botua në Londër më 1932). Ai përmend se duke kaluar Dalmacinë arrihet në portin Duraso. Më tej shton: “Before Duraso is the Velona ëhich is a good port and lieth northest and southest ëith Otranto ëghich is in Ytalie”. Ka edhe një dorëshkrim të vitit 1562 me titullin A commentaries of the Ëares of the Turchs made against G. Scanderbeg. Për gjuhën shqipe, me sa duket, i pari britanik që ka shprehur një përshtypje ka qenë E. Broën më 1685 dhe pas tij vjen H. Sëinburne më 1785, ndërsa pas J. C. Hobhouse-it dhe Lordit Bajron më 1812 më i rëndësishmi ndër ta sigurisht që është Ë. Martin-Leake më 1814. Udhëtarëve anglezë në gjysmën e parë të shek. XIX u ka kushtuar një libër Sh. Mema më 1988.
Deri në fund të shek. XIX dalin më tej emrat e një vargu autorësh (V. Strangford 1864; M. A. Ëalker 1864; H. F. Tozer 1869; J. Chreagh 1875; A. Mayheë 1881; E. Knight 1880; V. Chirol 1881; H. A. Broën 1888; J. Ludloë 1890), pa përmendur shkrimet e ndryshme lidhur me Ali Tepelenën dhe udhëpërshkrimet e A. Thomsonit, sidomos të vizitës së tij të tretë më 1867. Fillimi i shek. XX shënohet nga një emër kaq i njohur sa E. Durhami, për të ardhur deri në ditët e sotme me një larmi të gjerë librash e artikujsh për të gjitha anët e historisë e të jetës shqiptare. Mirëpo me gjithë interesin e padyshimtë, që kanë këto burime për kontaktet e britanikëve me shqiptarët dhe anasjelltas, nuk na japin diçka konkrete për përkthimet nga anglishtja në gjuhën shqipe. Këtu duhet t’i kthehemi gjuhësisë, për të parashtruar diçka thelbësore.
Dihet se deri në shek. XVI kemi periudhën e anglishtes së mesme, rrjedhimisht, nuk ka ndonjë gjasë që të kemi përkthime nga ajo periudhë, as edhe nga anglishtja e shkruar e atëhershme, e cila si e tillë u zuri vendin frëngjishtes e latinishtes në shek. XV. Në mënyrë pohuese do të thuhet se përkthimet tona kanë të bëjnë me anglishten e re, ndërsa në shkrim me gjuhën e standardizuar. Nga ana tjetër, nga shek. XVIII shqipja hyn në periudhën e re, kështu që do të pohoj, se përkthimet nga anglishtja kanë të bëjnë me anglishten e re dhe me shqipen e re.
Ndonëse marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me vendet e tjera do të vendoseshin vetëm pas njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar më 1913 dhe përfundimit të Luftës I Botërore (me Britaninë e Madhe dhe me SHBA më 1922), përfaqësi të ndryshme të huaja ka pasur prej kohësh në qendrat shqiptare dhe në ato që mbulonin edhe viset shqiptare. Në tetor 1808 pranë Ali Pashë u caktua Ë. Martin-Leake-u i dërguar i posaçëm i ministrit të jashtëm George Canning, ndërsa u largua në shkurt 1810. Konsuj e nënkonsuj britanikë ka pasur në Shkodër, në Manastir, në Janinë, në Prevezë, në Selanik, në Prizren, në Shkup. Përfaqësitë kishin nevojë për përkthyes. Dihet se Zef Jubani (1818-1880) më 1853 ishte sekretar i nënkonsullatës britanike në Shkodër, ku titullar ishte Spiridon Bollati, ndërsa më 1872, kur konsulli R. Reade ishte i sëmurë, ia la konsullatën August Sumës. Në Manastir Gjergj Qiriazi (1868-1912) i shkruante anglisht raportet e shumta për përfaqësuesit austriakë dhe britanikë, madje edhe atë për Kongresin e Manastirit. Për kontaktet individuale nuk mund të lëmë këtu pa zënë në gojë Naum Veqilharxhin (1797-1846). Bashkë me dy vëllezërit e tij ai ka pasur shtetësi britanike. I ati i tyre, Kostandini, kur ishte në Itakë furnizonte me ushqime ushtrinë angleze pas pushtimit të Ishujve Jonianë më 1811. Më 1832 me kërkesën e nënkonsullit G. Ëahuite, ai u bë përfaqësues i të mbrojturve britanikë pranë gjykatës së Brailës, kështu më 1837 në regjistrat e Brailës shënohet se Naumi mbante pasaportë britanike. Me aq sa dihet, do të them se ky është i pari shqiptar, që ka marrë pasaportë britanike.
Mësimi i gjuhës së huaj natyrshëm lidhet edhe me përkthimin gojor e me shkrim. Nga kjo pikëpamje ka vlerë të shihet kur ka nisur mësimi i anglishtes në Shqipëri, cilat kanë qenë shkollat ku është vënë si gjuhë e huaj në program, cilat kanë qenë tekstet dhe kush ka mësuar anglisht. Me aq sa kam gjetur, i pari dëshmohet K. Kristoforidhi, i cili ka mësuar anglisht në Kolegjin Protestant të Maltës më 1857-1858. Kjo i mundësoi të shkruante anglisht punimin Remarks on Albania. The Language and Translation of the Scriptures. I. Loëndes-i e ka dërguar në Londër duke i bërë një redaktim të lehtë, rrjedhimisht, autori i punimit e njihte jo keq anglishten. Me rëndësi në këtë punim është se ai ka përcaktuar shtatë rregulla të përgjithshme për përkthimin nga një gjuhë e huaj dhe kjo është hera e parë, që një shqiptar e shpreh drejtpërdrejt, se përkthimi duhet të ndjekë disa parime, që të jetë në përputhje me natyrën e shqipes. Më 1863 A. Thomsoni, përgjegjësi i agjencisë së BFBS për Perandorinë Osmane bëri një nga vizitat e tij në Shqipëri dhe në reportazhin e botuar më 1865 ka shprehur i pari dëshirën, që të futej mësimi i anglishtes në shkollat. E ka shprehur sërish këtë mendim edhe më 8 nëntor 1878. E. Durhami na njofton (më 1904), se abati i Mirditës Preng Doçi (1846-1917) kishte mësuar anglishten dhe shpresonte të përktheheshin shqip libra të njohur anglisht.
Një faqe e re hapet në vitet 1880, kur kanë mësuar anglishten dy djemtë dhe dy vajzat e familjes Qiriazi, që më pas do të bënin edhe përkthime. Gjerasimi i shkruante A. Thomsonit më 3 mars 1883, se dëshironte në radhë të parë të mësonte me themel anglishten. Që të merrej leja e sulltanit për të hapur Shkollën e vajzave në Korçë më 1891, kjo u paraqit si shkollë në gjuhën angleze. Më 1892 erdhi mësuese Fanka Efthimi, që kishte mbaruar Kolegjin amerikan të Samokovit, dhe kështu nisi mësimi i anglishtes si gjuhë e huaj në shkollën shqipe. Sevastia kishte mbaruar Kolegjin Amerikan të vajzave në Stamboll dhe më 18 shkurt 1893 ka shënuar, se kursi i anglishtes në Korçë shkonte mjaft mirë. Më 1900 si mësuese e anglishtes aty erdhi Parashqevi Qiriazi. Anglishten pastaj e ka dhënë aty Grigor Cilka dhe më 1906 në shkollën e djemve. Misionari amerikan Ph. Kennedy filloi dhënien e anglishtes në Korçë më 1908. Në Normalen e Elbasanit më 1909 anglishtja u përfshi si lëndë me zgjedhje. Më pas vjen historia e çmuar nga shumë anë të tjera e Shkollës Teknike të Tiranës (1921-1933), ku jepej anglisht 10 orë në javë e madje kërkohej edhe në shkollë të flitej anglisht, si dhe e Shkollës së vajzave në Kamzë prej K. Dakos më 1922 e gjithashtu e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Kavajës më 1925. Loni Kristoja në vitet 1930 jepte anglishten si gjuhë të dytë në Liceun e Korçës. Ka një libër për “Shkollat amerikane në Shqipëri” (I. Gogaj, 1995), por unë do të shprehja dëshirën që të përgatitet një libër i veçantë me historikun e anglishtes në shkollë e universitet dhe në veçanti për historikun e departamentit të anglishtes.
U përgatitën edhe materialet e para për mësimdhënien në shkollat e Korçës. U përkthye më 1908 një “Metodë për të mësuarë çpejt dhe lehtë gjuha inglisht prej Dr. Ahn, shpjeguar prej Lumo Skendo”, domethënë nga Mit-hat Frashëri. Ph. B. Kennedy botoi në Manastir “Lëçitje / Të folura” më 1912. Deri në fund të Luftës II kanë dalë: nga L. George (Rëmbeci) “Methodhe e lehtë për të mësuar engleschen me shpejtësi”, Dernver më 1916 dhe 1919; nga Kristo Dakoja “Mjeshtëria për të mësuarë gjuhën anglisht”, Boston 1920. Më 1929 doli një Dhialloge inglisht-shqip në Korçë dhe një autore tjetër e huaj, M. Hasluck, ka shtypur më 1932 në Londër “Këndime englisht shqip”; së fundi deri para Luftës II, nga Stavro Frashëri një “Metodë e lehtë për të mësuar inglishten”, Tiranë, 1944. Gjithsesi, me emigrimin e gjerë të shqiptarëve në SHBA çelet një kapitull i ri i marrëdhënieve të shqipes me anglishten, që do të shpaloset veçanërisht në shtypin shqiptar atje, ndërsa nuk kam të dhëna se si e kanë mësuar anglishten shqiptarët atje dhe as deri në ditët tona.
Do të veçojmë kështu edhe përkthimin për qëllime arsimore. Për të botuar abetaren gegërisht e toskërisht, K. Kristoforidhi është mbështetur në tekstet anglisht dhe këtë e kemi të dokumentuar tashti nga fjalët e A. Thomsonit, por kjo gjë ka qenë e dukshme qysh në fillim, ndonëse studiuesit tanë nuk e kishin vënë re. Abetarja shqip ka disa klishe të marra prej origjinalit anglisht. Në disa prej tyre kanë mbetur dicitura anglisht: butterfly, cat, dog, eagle, sëalloë, spider.
Lidhur me përkthimet fetare, më duhet të përmend sërish emrin e K. Kristoforidhit. Përgjithësisht ai duhej të mbështetej në origjinalin greqisht, por njëkohësisht mbante përpara edhe variante në gjuhë të tjera. Ndërmjet tyre kishte botimet anglisht dhe materiale të tjera ndihmëse anglisht. Shoqëria Biblike parapëlqente versionin e Mbretit Xhejms (King James Version). Kam gjetur gjurmë të qarta në përkthimet e tij, se ai ka arritur te zgjidhja, duke u nisur nga anglishtja. Për shembull, ka fjalë të shqipes, që kuptimisht janë sipas anglishtes e jo greqishtes; ka huazime sipas anglishtes; vende-vende ka ndjekur pikësimin anglisht. Që nga ajo kohë kanë nisur ndikimet e anglishtes në shkrimin e shqipes, si: paraqitja e dialogut jo me kryeradhë e vizë përpara, por me thonjëza; vendosja e presjes për ndarjen e numrave me shumë shifra, ndërsa ne e kemi si presje dhjetore; vënia e një vize aty ku sipas traditës ne kemi dy pikat; vënia e presjes përpara lidhëzës “edhe” etj. Emrat e përveçëm tashmë është bërë modë, që sipas anglishtes, të mos lakohen.
Versioni i Mbretit Xhejms është teksti i parë, nga i cili ka nisur përkthimi prej anglishtes në shqipen. Megjithatë, kryet e vendit e zë “Historia e Shenjtesë Shkronjë” në variantin gegërisht më 1870 dhe toskërisht më 1872. Kristoforidhi e ka bërë nga botimi i përkthimit anglisht të librit të autorit gjerman Ch. G. Barth. Për ta nxjerrë në dukje rëndësinë e këtij libri do të shënoj vetëm, që më 1917 Komisia Letrare e Shkodrës e ka quajtur gjuhën e tij si modelin për shqipen e ardhshme të shkruar, të mbështetur në variantin e mesëm dialektor. Komisia vendosi që ta ribotonte, por rrethanat historike e bënë të pamundshme, e gjithsesi, ky variant ka qenë kryesori për shqipen e shkruar në fushën e veprimtarisë shtetërore deri në Luftën II Botërore.