“Xhevdeti iku, tani kemi Çukurin”
“Xhevdeti iku, tani kemi Çukurin”
19 janar 2020
Nga Ilir Levonja
Nga dje nuk është më mes nesh një nga yjet e kinemasë shqiptare, Xhevdet Ferri. Çfarë nuk u tha, çfarë nuk u shkruajt. Ai zakoni jonë me bulëri kolektive, pikëllim, rrëfime, postulate…, teknikën e emrit të shkurtër atë që zakonisht kanë vulën e përhershme të të thirrurit veç miqtë e ngushtë.
Çfarë nuk shkruajti presidenti, kryeministri, ishët, shefi i opozitës. Bosët e mediave, të industrisë, të dikastereve etj. Çfarë nuk thanë zogat e kronikave me mikrofonin në gojë, vdiq, vdiq, vdiq, po e varrosin, e varrosën, po përcillet për në varrezë.
E kemi tmerrësisht të vështirë të themi ndërroi jetë, po ikën në amëshim, po e përcjellin për në banesën e fundit etj., por vdiq, po e varrosin. Kjo është kultura e komunikimit tek ne, nuk ke çfarë i bën. Jemi dorëzuar krejt. Nuk ngeli këmbë robi pa u qaravitur aq sa me të drejtë duket e ditur këtë farsë kolektive, i ndjeri e la me amane që asnjë lloj ceremonie të mos i bëhej.
Më kujtohet se e bëri një gjë të tillë edhe i madhi Fatos Sela, në mos gaboj ishte dimri i vitit 2013-të. Por ne nuk vëmë mend, asesi.
Nuk lanë gurë pa lujtur televizionet me kronika e intervista, me kujtime, por sikur njëri prej tyre të transmetonte dy filma ku luan Xhevdeti. Sikur një televizion kombëtar a shtetëror të transmetonte një film ku ai bën pjesë. Paralel vlonin kronikat me varrosje, këtej të çante Kuzguni, Familja e madhe, Lotë në Detin e zi a ku di unë. Gjëkundi se e shikoje Xhevdetin, herë si Trimi, herë si Gori Koroshi, Sako apo kush tjetër?! Se i ka me shumicë karakteret. Ai është një pasuri kombëtare?
Absolutisht po, sidomos për vendin tonë që i zë fill aty tek dera e shekullit të kaluar shkolla e kinematografisë. Por të ashtuquajturit ekrane kombëtare kanë më shumë kohë e hapësira kohe për studiot e idiotëve që thonë punë e madhe se po zbrazet Shqipëria, po vinë plot sirianë, plot irakenë. Hajvanët që kanë rënë në dashuri me Palestinën a konfliktin Palestinë Izrael, hajvanët që i hakërrohen Trumpit përse vrau një terrorist iranian.
Nuk kishin pak hapësirë të transmetonin përshembull filmin “Përrallë nga e kaluara”. Kanë alergji nga kinematografia jonë, megjithëse shqyhen bulçish për të ngritur Xhevdetin në qiell. Por nuk e kanë aspak kohën të ritransmetojnë dy a tri filma ku luan.
Kemi alergji, madje a mund ta shfarosim çfarë prodhuam nga pas lufta e këtej se, është demode të shohësh një film shqiptar.
A mund t’i shembim sa më parë teatrot ku ata lujtën, kinematë etj., çfarë na hynë punë. Kemi Diamante dhe dashuri nga Turqia, kemi Çukurin, Luginën e Ujqërve, kujt i duhet se çfarë krijoi Xhevdeti.
Dhe a e dini përse? Sepse tek ne, ata që bëjnë politikën e bëjnë për vete, jo për vendin. Ata që bëjnë televizionet i bëjnë për vete, jo për publikun dhe vendin.
Ata që bëjnë artin e bëjnë për vete, jo për artin. Ata që a japin mësim, e bëjnë për vete jo për të arsimuar brezat. Ata që bëjnë tregtinë a biznesin, e bëjnë për vete jo për ekonominë.
Ata që ndërtojnë, ndërtojnë për vete jo për njerëzit. Ata që shërojnë, e bëjnë për vete, jo për njerëzit. Ata që predikojnë e bëjnë për vete dhe arkat e objekteve të kultit jo për besimtarët. Njëzetë e katër orë folën për Xhevdetin, por një film nuk e transmetuan. Kur ndërroi jetë Alberto Sordi (shkurt 2003) kanalet italiane u shqyen me filmat e djalit nga lagja Trastevere Romë.
Ne në Shqipëri kemi postulatin, pse me filmat e komunizmit do merremi. Megjithatë asaj rruge erdhën ata, erdhi edhe Xhevdeti. Një aset që do ta kish zili edhe Hollywoodi.
Por të tillë jemi ne, zhurmëtar ndaj edhe sot qetësia na mbyt me harresë.
j.l./ dita