Xhubleta etnike dhe misteri i veshjes së zezë. Interviste me Luljeta Dano. –

Nga  Dhurata Hamzai

Xhubleta- veshja brilante e grave shqiptare ka mbijetuar e dokumentuar tashmë për mbi katërmijëvjet…! Ishte kjo tema dhe hapësira e eskpozitës “EXPO XHUBLETA” që u zhvillua mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Cila është historia e vërtetë e kësaj veshjeje të madhërishme pranuar njëzëri nga studiues vendas e të huaj se daton para katërmijë vjetëve?! Këngët dhe legjendat herë thonë që xhubleta ka qenë e bardhë, herë që ka qenë krejt e kuqe, por u ngjye në të zezë në shenjë zie të përjetshme për vdekjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Të tjera gojëdhëna rrëfejnë për hijeshinë e saj, siç është ajo e udhëtarit hungarez në shekullin XVIII, Daniel Kordinez: “As palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptareve! Se kjo veshje ka pasur të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë”. Duke parë me kujdes simbolikën e mbi 35 ekzemplarëve të prezantuar dje në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dukej se sa fort është endur, qepur e qëndisur etnogjeneza e shqiptarëve nëpër këto veshje. Ekspozita është sjellë nga poetja e njohur Luljeta Dano, e cila ruan në koleksionin e saj privat mbi 150 xhubleta e kostume kombëtare që datojnë nga 80 vjet e poshtë. E lindur në Fier, rrethinat e të cilit i kanë themelet mbi rrënojat e antikitetit, dashuria e ka nxitur poeten Luljeta Dano që të krijojë një koleksion privat me objekte arkeologjike, të cilin e ka pasuruar më tej me objekte ikonografike dhe pjesën më të madhe me atë që është pasuria më prestigjioze e koleksionit të saj privat, objektet etnografike. Këtu ajo ndalon bisedën, kujton… Ka qenë një varësi spirituale nga gjyshja që ka nxitur këtë përkushtim. “Nëna e gjyshes sime ka pasur kostum kombëtar dhe gjyshja e mbante mend, sa herë më thoshte ajo sikur të kisha një kostum si ai i nënës sime. Ky ka qenë ngacmimi i parë për mua, kërkimi i këtyre kostumeve në imagjinatë dhe ja unë sot kam kostume për 150 gjyshe”, tha dje poetja Dano për gazetën “TemA”. Kështu Dano nuk është mjaftuar me kërkimin, gjetjen, përkujdesjen për restaurim, botimet hulumtuese në libra, sepse ato janë punë e ditës e saj, por në pikë kulmore të arritjeve të saj ka synimin që t’i bëjë thirrje institucioneve shtetërore shqiptare, atyre ndërkombëtare dhe opinionit publik që kostumi me xhubletë i grave malësore në Shqipërinë e Veriut, kjo enciklopedi katërmijëvjeçare e botës shqiptare dhe asaj mesdhetare të merret urgjentisht në mbrojtje ligjore.

Ky ishte dje edhe një nga synimet e ekspozitës, mbështetur nga miqtë amerikanë të “Membership Fond”, ku poetja Dano tha: “Do të lusja Ministrin e Kulturës, z. Ylli Pango, të kryejë veprimet e duhura që kjo pasuri që është ruajtur kudo qoftë nga koleksionistë shqiptarë dhe ata të huaj të merret në mbrojtje, jo vetëm nga shteti shqiptar por edhe nga UNESKO si pasuri botërore”. Nuk do të mjaftonte kurrë pasioni i koleksionistëve dhe as librat që kanë dokumentuar detaje të saj për Xhubletën, nuk do të mjaftoni as idetë e poetes Luljeta Dano për konservimin e saj, po të mos bëhet edhe më e njohur ajo. Pikërisht “EXPO XHUBLETA” do të qëndroj e hapur për dy javë në Galerinë kombëtare të Arteve. Poetja Dano në çelje të ekspozitës tha se “Është kaq e zhurmshme dhe kaq jetike prania e e veshjes së modës në të përditshmen tonë. Nëpërmjet veshjes njeriu përpiqet të plotësojë figurën e vet, atë imazh që natyra në speciet e tjera e krijoi njëherë e përgjithmonë me lëkurë, luspa, zhguall e pendë. Kostumet shqiptare, veshje të kushtueshme e të rënda, me qëndisje ar e argjend, në dy tre shekujt e shkuar kanë qenë të parapëlqyer me praninë e tyre në kryeqyetetet evropiane, qoftë në penelin e piktorëve të mëdhenjë…” Ajo tregon rrugëtimin e këtyre veshjeve në histori. Sipas saj, kostumet u lanë prej shqiptarëve pas 1912-ës pas shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa në Alpet Veriore të Shqipërisë vazhdoi jetën e vetë Xhubleta e zezë deri në vitin 1970. Xhubleta ngelet një veshje shumë e kërkuar, sepse në trupin e saj gjenden një sistem shenjëzash që mbartin dituri të lashta dhe përafrojnë shumë me kulturën e vjetër amerikano-latine. “Sot për sot mund të themi që këto hieroglife, qëndisje e zezë mbi të zezë, shkëlqejnë mbi magjinë që mbartin”, tha Dano duke komentuar se janë piktograma sinjalistike me të cilat malësorja shqiptare në kuotat alpine të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi ka rregulluar e shoqëruar fenomenet e jetës shoqërore dhe statusin e saj civil.

   

Karakteristika e veshjes me xhubletë

Veshja me xhubletë në gjysmën e poshtëme ka formën e këmbanës dhe në gjysmën e sipërme ngjan me veshjen e kryqëtarëve, sikundër dhe mjaft simbole të gdhendura mbi këtë kostum, si koka e demit kretan, forma kryqi, svastike, etj janë të njohura si të templarëve. Koleksionistja Dano pohon se misteri i veshjes së zezë, shkëlqen nga të gjitha pikëpamjet, si nga ndërtimi, teknika e endjes, ornamentikës së qëndisjeve, derdhjes së stolive, etj. Misteri i veshjes së zezë është më i madh se dija jonë mbi përmbajtjen e saj.

Shkrimet e fshehura në ornamentikën e veshjeve monumentale mijëravjeçare të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës dhe Pukës, por edhe ato të Tropojës dhe Kukësit, tregojnë se kjo gjysmë e shqiptarëve mund të dhurojë për botën akademike territore mitesh antike dhe para antike të konservuar mrekullisht në trashëgiminë etnokulturore. Koleksionistja dhe poetja e njohur Luljeta Dano duke vështruar gjatë simbolikën e 100 xhubletave të zeza dhe veçanërisht në 100 xhoke të bardha të përzgjedhura që ka në koleksionin e saj, beson në metaforën se të dyja këto veshje krejt të pangjashme në tipologji janë veshje të trashëguara në rrënjë mijëra vjeçare.