Ylli Rakipi ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën. –

18/12/2018,

Pas lajmit të publikuar ditën e sotme në lidhje me faktin se drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën, vjen një reagim nga Partia Demokratike.

Përmes një deklarate PD ka dënuar kërcënimet e bëra ndaj gazetarit, ndërsa shpreh mbështetje për kurajon e treguar nga ai për denoncimin e megaskandalit në lidhje me tenderin për Unazën e Madhe. Sipas PD-së, autori i vërtetë në këtë rast është Edi Rama.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Partia Demokratike dënon në mënyrën më të ashpër kërcënimet që i janë bërë gazetarit Ylli Rakipi.
Ne jemi në krah të zotit Rakipi, me të njejtën kurajo dhe vendosmëri me të cilën ai ka denoncuar vjedhjen dhe pastrimin e 30 milionë eurove nga Edi Rama, përmes një skeme ndërkombëtare kriminale.
Kërcënimi ndaj Ylli Rakipit nuk është thjesht kërcënim ndaj një gazetari, por është kërcënim ndaj gjithë shoqërisë sonë.
Kur krimi guxon të kërcënoje një njeri të medias, në kohën kur autorët e skandalit janë të gjithë të identifikuar, kjo do të thotë vetëm një gjë: krimi ndjehet më i fortë se shteti dhe se drejtësia.
Pavarësisht, se kush është personi që ka bërë direkt kërcënimin, autori i vërtetë është Edi Rama, frymëzuesi, ortaku dhe mbrojtësi kryesor i krimit në vend. Asnjë qytetar nuk është më i mbrojtur në Shqipëri dhe nuk do të jetë derisa Edi Rama të largohet nga pushteti./BW/

Gazeta Mapo.