YURI KIM/ Ambasadorja amerikane: Japim 800 mijë $ për dëmet e tërmetit në kalatë e Krujës, Prezës e Durrësit

06.03.20

Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!”. Kështu e pritëm në Ministrinë e Kulturës, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim”. Është ky postimi i ministres së Kulturës Elva Margariti, përkrah fotografive me diplomaten amerikane. Sipas ministres, Ambasadorja shprehu dëshirën të njihej me projektet tona më të rëndësishme. “Rimëkëmbja e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti, digjitalizimi i pasurisë sonë kulturore jomateriale, sfida e ngritjes së një godine të re për Bibliotekën Kombëtare, rikonstruksioni dhe hapja për publikun të Bibliotekës së vjetër, përurimi i TKOB, ishin disa nga temat që rrokëm në këtë takim. Kultura është një urë lidhëse dhe bashkëpunimet kulturore midis dy vendeve do të jenë pjesë e projekteve për të ardhmen”, shkruan ministrja.

Ndërkaq, Ambasada Amerikane në postimin për këtë takim, bën me dije shumën e parave dhënë qeverisë shqiptare për projekte të ndryshme. Nga postimi i ambasadës, mësohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akorduar një fond të veçantë për Ministrinë e Kulturës për zonat historike në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilët pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit. Në total, janë akorduar 800 mijë dollarë, shifër kjo e bërë publike nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim gjatë në profilin e saj zyrtar, pas takimit me ministren e kulturën Elva Margariti. Në të njëjtin postim, sqarohet se 800 mijë dollarë janë për riparimin e Kullës në Kalanë e Krujës, e cila pësoi dëmtime të mëdha, nga tërmeti, duke shënuar mbylljen e kalasë dhe duke ndaluar për një kohë të gjatë, vizitat e turistëve në të për shkak se kulla rrezikon edhe jetët njerëzore. Përveç kalasë së Krujës, dëme kanë pësuar edhe kalaja e Prezë dhe ajo e Durrësit.

Nga: Gazeta Shqiptare