Yzeir Llanaj: Ministritë e Kulturës ndër vite e kanë injoruar folklorin, kënga polifonike mbahet gjallë vetëm nga bartësit
Yzeir Llanaj: Ministritë e Kulturës ndër vite e kanë injoruar folklorin, kënga polifonike mbahet gjallë vetëm nga bartësit
Për folklorin në vend sipas artistëve të ndryshëm bëhet shumë pak nga institucionet. Ata shprehen se kjo situatë ka vijuar prej vitesh, por sot problemet nuk janë të pakta. Mjeshtri i polifonisë Yzeir Llanaj shprehet se institucionet janë në godina, por nuk bëjnë punën që duhet për trashëgiminë tonë. Në intervistën për “SOT” Llanaj pohon se për polifoninë po e mbajnë gjallë vetë bartësit e saj. Sipas tij, problem shqetësues janë dhe ndërhyrjet pa kritiket që janë bërë në polifoni dhe e kanë dëmtuar jo pak. Me dekada në skena të ndryshme mjeshtri i polifonisë shprehet se sot ka humbur interesi dhe për zhvillimin e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Ai kujton se dikur puna dhe organizimi për zhvillimin e tij ishte shumë më e madhe dikur, se sa bëhet pas viteve ‘90. Kryetar i shoqatës “Polifonia shqiptare”, Yzeir Llanaj shprehet se nëse vijon kjo situatë me probleme folklori është drejt rënies, nuk ka të re që ta mbajë gjallë.
-Ju i keni dërguar një letër Ministrisë së Kulturës për mbrojtjen e polifonisë. Çfarë ka ndodhur?
Është fat që ne kemi vlera të rralla që i trashëgojmë, por ka ardhur një kohë, që më shumë duhet të sforcohemi për ta mbrojtur, për ta mbajtur të pastër identike sikurse na e lanë të parët tanë. Për arsye sepse po ndikon e keqja te kjo vlerë e madhe, ku jo vetëm që nuk po investojnë për ta mbajtur gjallë polifoninë, por edhe po ndikojnë për ta shpërbërë, për ta tjetërsuar deri në identitet. Ne kemi një shoqatë “Polifonia shqiptare” bashkë 27 shoqata të tjera mbarëkombëtare të polifonisë, por kjo po bie në vesh të shurdhër, për arsye sepse peshku i madh e ha të voglin. Por duhet të dini një gjë, që guri do të vejë në vend të vet. Sado që të mundohen ta gllabërojnë e tjetërsojnë shpirtin e popullit nuk e arrijnë kurrë, që ta deformojnë. Ai është një burim i pashtershëm, që do burojë brez pas brezi. Fatkeqësia është sepse e kanë marrë pushtetin, dhe po arrijnë majat me anë të kësaj vlere, që është pasuri e rrallë, se gjoja se po e mbajnë ata gjallë ndërkohë që nuk dinë se çfarë do të thotë polifoni. Por i kanë ndryshuar dhe emrin, e kanë bërë isopolifoni, gjë që nuk gjendet as në fjalorin shqip iso. Iso mund të ketë hyrë një huazim shprehje. Polifonisë i kanë vënë një bisht përpara, isopolifoni. Ne i kemi dërguar një letër për këtë problem Ministrisë së Kulturës. Ministrja aktuale na priti ne si shoqatë, që interesohet për këtë deformim që i kanë bërë polifonisë shqiptare, edhe pse nuk kishte dijeni për këtë problematikë. Ne kemi bërë një relacion dhe presim të marrim përgjigjen nga ministria, për ta riparuar dhe ti themi ashtu si i ka thënë Ramadan Sokoli dhe Beniamin Kruta polifonia shqiptare jo isopolifonia. Kjo nuk ka asnjë problem për ta riparuar, por këtu ndodhen njerëzit, që e kanë tjetërsuar këtë vlerë, që janë në majat e akademisë, dhe aty nuk na lënë ne bartësve që të gëzojmë pasurinë tonë shpirtërore. Ne i jemi drejtuar dhe ASH për këtë problem, por thonë kështu ka thënë Çabej, Dritëroi, Kadare, etj, që nuk kanë lidhje me polifoninë shqiptare edhe pse nga ana letrare janë të vlerësuar. Unë jam duke zhvilluar festivalin ndërkombëtar “Bylyspolifonia”, që do të bëhet në fund të majit që vjen në “Bylis”. Në këto 20 vjet në këtë festival ndërkombëtar nuk ka qenë asnjëherë e pranishme Ministria e Kulturës, që të ketë aty përfaqësues të saj të shikojnë që mbledh 500 artistë dhe interpretojnë këngët e tyre të bukura tradicionale. Por shpresa jonë është tek kjo ministre aktuale e Kulturës, që dukej dashamirëse e folklorit. Mendojmë se do të na hapet një dritë jeshile, pasi na ka premtuar dhe për të ndaluar me problemin me polifoninë shqiptare, por ne themi se do ta fitojmë së s’bën. Por unë kam vërejtje edhe për Institutin e Folklorit, që ka qenë dikur dhe sot ka ndryshuar emër Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, ku edhe atje unë nuk shikoj që të bëhet ajo punë si dikur.
-Pse nuk bëhet sipas jush puna si dikur?
Po kur nuk bëhet një simpozium shkencor, kur nuk i vihet re kërkesës që bëjmë ne, ku ne shkojmë në Ministri të Kulturës na thotë shkoni te instituti për arsye se ata emërojnë dhe emrat? Por se çfarë emri do emërojnë ata kur polifoninë e ka vënë populli. Sipas meje ata nuk bëjnë asgjë për atë, që ne kemi shqetësim.
-Ministria e Kulturës, në kuadër të organizimit të Festivali Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës në vitin 2020 ka shpallur konkursin për realizimin e logos së tij. Ju si e keni parë festivalin deri tani?
Unë kam marrë pjesë në çdo Festival Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, edhe kur e ndryshuan dhe e çuan në Berat për arsyet e tyre, por pa problem sepse dhe kalaja e Beratit është shumë e mirë. Por për mua vlerën ai festival e ka në Gjirokastër, aty dhe ku ka filluar dhe më vjen mirë që zhvillohet atje. Por nuk ka më Festivale Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës si bëheshin dikur para viteve ’90, si punohej dhe si ishte organizimi i tyre.
-Si organizoheshin?
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës para viteve ’90, kur e organizonin kishte studiuesit e mirëfilltë shqiptar të vlerave kulturore. Tani bëhen festivale, që ka Ministria e Kulturës një plan dhe ajo thotë do bëjmë festivalin një herë në 5 vjet, por që bëhet vetëm për të thënë u zhvillua si aktivitet. Por që të bësh një festival shumë cilësor duhet të punosh shumë. Mendoj që pas viteve ‘90 u bastardua Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës. Nuk ka më festival si bëhej para ‘90. Unë e thashë që në fillim, pas viteve ‘90 Ministritë e Kulturës ndër vite e kanë injoruar folklorin shqiptar. Ne kemi sot institucione në godina, por nuk bëjnë punën që duhet për folklorin shqiptar.
-Sa janë shqetësuese për ju ndërhyrjet në folklor?
Këngët me tallava, këngë rrau-xhau, etj, janë ndërhyrja virus i këngës polifonike shqiptare. E kam thënë dhe herë të tjera, që nuk mund të pranojë kënga polifonike orkestër. E vret shpirtërisht, e varros. Veç kësaj ne kemi dhe këngë si “Vajza e valëve”, që ka hyrë me orkestër. Janë bastarduar këngët polifonike, që kanë shkuar në orkestër, por kjo lloj kënge këtë se pranon. Instrument i saj është fyelli dhe cyrlja dyjare. Kënga polifonike, që nuk pranon ndërhyrje të tilla është bastarduar me DJ. Këngën polifonike lëre si e kanë kënduar të parët tanë.
-Po kostumet popullore, sa janë ruajtur sipas jush në ansamblet tona?
Kostumet popullore nuk ruhen më si dikur, për arsye sepse nuk ka më as pallate kulture si para ’90. Nëse do të bëheshe ato vite gati për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës duhej të shkoje atje në garderobë dhe të merrje kostumet popullore, që ishin në shërbim në shtëpinë e kulturës. Aty do gjeje kostume nga më të bukurat. Kujtoj që dikur bëhej dhe parada e kostumeve në stadiumin e Gjirokastrës.
-Ju jeni dhe presidenti i shoqatës “Polifonia Shqiptare”, si po e zhvilloni aktivitetin?
Ne kemi edhe grupin polifonik “Bashkimi”. Grupi ka 30 vjet, që është themeluar në Tiranë, dhe më pas u themelua dhe shoqata “Polifonia Shqiptare” nga intelektualë dhe artistë të njohur, që ishin dashamirës të polifonisë. Shoqata jonë “Polifonia shqiptare” është themeluar, që në vitin 1995 nga “Nderi i Kombit” artisti i madh Kadri Roshi, kanë qenë dhe Luftar Paja, etj, njerëz titullarë në kulturën shqiptare. Me shoqatën tonë nga 1995 e deri më sot aktivitetet tona kanë qenë me mjaft rezultate. Kanë qenë aktivitete, që i ka prekur qoftë publiku kryeqytetas apo dhe në aktivitete ndërkombëtare, ku kemi marrë pjesë në festivale dhe jashtë vendit. Sa i takon grupit “Bashkimi”, vazhdojmë aktivitetin prej vitesh, por nuk ka asnjë lloj ndihme. Provat me grupin ne i bëjmë në shtëpinë time, aty kam një dhomë dhe mblidhet grupi për të bërë prova për aktivitetet ku marrim pjesë. Nuk kemi dot mundësi, që të zhvillojmë prova në vende të tjera, sepse duhet paguar qeraja dhe nuk e kemi atë mundësi. Por e kam thënë dhe më parë kënga polifonike po vdes, sepse nuk ka më bartës. Po këndon në skenë akoma një 70 vjeçar.
-Pse nuk dalin të rinjtë?
Nuk dalin të rinjtë, sepse duhet të fillojë puna që te pallati i kulturës. Po kur fshati po shpërbëhet, nuk mund të flitet më as për shtëpi kulture atje. Kanë ikur të gjithë njerëzit, fshatrat po boshatisen. Atëherë çfarë të kërkosh, kur në një fshat të Mallakastrës po mbyllet dhe shkolla, sepse nuk ka më nxënës? Ku ti gjesh sot fëmijët për të kënduar? Ne kërkojmë ta mbajmë gjallë këngën polifonike, por janë për tu përshëndetur këta bartës të mrekullueshëm, që akoma qëndrojnë në skenë me forcën dhe shpirtin e tyre. Polifonia është një vlerë shumë e madhe, por shteti nuk po ndikon fare për ta mbajtur këtë vlerë tradicionale. Më vjen keq, sepse nëse vijon kjo situatë me probleme folklori është drejt rënies, nuk ka të re që ta mbajë gjallë.
Intervistoi: Julia Vrapi