Zadrimës i mbeten pa shitur gjelat e detit, nuk ka blerës. Fermerët: – Ka varfëri, pyesin për çmimin e largohen. –

23 dhjetor 2018

 

Nga: ELVIS HILA.

Zadrima e Lezhës është një nga zonat, që ka krijuar traditë në mbarështimin e gjelit të detit. Shpendët prej ditësh janë nxjerrë në shitje buzë rrugëve nacionale apo në tregje.

 

Por ajo që vihet re është ulja vit pas viti e numrit të mbarështuar. Fermerët më të vjetër e lidhin këtë më largimin e të rinjve ose refuzimin e tyre për t’u angazhuar me një punë që, sipas tyre, kërkon shumë mund e në fund fitimi nuk është i sigurt. “Vetëm të moshuarit merren me këtë punë sepse të rinjtë janë larguar jashtë. Përfitimet janë të dobëta, duke e krahasuar me mundin që bëjmë për t’i rritur. Këtë vit ka rënë shumë mbarështimi i gjelit nga fermerët e Zadrimës. Kemi shumë herë më pak se vitet e shkuara. Kjo po na shqetëson shumë, pasi ne kështu po humbim traditën e trashëguar”, shprehet Nikoll Lazri, fermer i kësaj zone. Mungesa e tregut për produktin shqiptar, edhe si pasojë e importeve, është një tjetër arsye pse fermerët e Zadrimës po largohen nga kjo traditë. “Po na dëmton shumë edhe mungesa e tregut. Nuk ka shitje, pasi janë futur shumë shpendë të importuar në Shqipëri. Na ka munguar edhe mbështetja dhe kjo është e pafalshme”, shprehet një tjetër fermer, i cili shpesh kthehet në shtëpi bashkë me gjelat e detit të pashitur.

Gjeli i detit konsiderohet si mbreti i tavolinës së Vitit të Ri. Ndaj mjeshtrit e kuzhinës propozojnë gjithmonë ide të reja si ky produkt mund të jetë më gjatë i pranishëm në menynë e shqiptarëve. Për t’i inkurajuar sa më shumë fermerët e Zadrimës, shefi i kuzhinës Altin Prenga, prej vitesh gjelin e detit të tyre e ka bërë pjesë së menysë së restorantit të tij. Por kjo nuk është e mjaftueshme, pasi fermerët e kanë të nevojshme inkurajimin e mbarështimit dhe sigurinë e tregut.

“Në një fshat shumë të vogël siç është Maba ne morëm lakrën dhe gjelin e detit. Me to gatuam një recetë që është e stinës. Shumë herë nuk është mungesa e tregut problemi, por edhe tendenca e rinisë për të braktisur tokat dhe kjo është mjaft shqetësuese. Duhet që njerëzit t’i rikthehen punës në bujqësi, pasi në këtë tokë është e ardhmja”, shprehet Prenga, i cili po ndihmon me sa mundet fermerët e zonës.

Siç thonë fermerët, sot në Zadrimë mbarështohen deri në 20 mijë shpendë, rreth 7 herë më pak se para viteve ‘90. Ata e lidhin këtë me uljen e kërkesave nga ana e qytetarëve. Sipas tyre, tashmë mundësitë për të pasur një gjel deti në tavolinën e Vitit të Ri janë të pakta. “Ulja e kërkesës tregon se varfëria është ulur këmbëkryq. Po shesim 7 herë më pas sesa në vitet ‘90. Qytetarët nuk kanë më para për të blerë gjelin e detit. Ata vijnë, pyesin për çmimin dhe më pas largohen pa marrë asgjë. Edhe ne nuk mund t’i shesim krejt lirë, pasi dalim me humbje. Këtë vit shitjet kanë qenë shumë të pakta. Po rrime gjithë ditën në pritje të blerësve dhe më kot. Shpresojmë që në ditët e fundit para festave të kemi shitje, në të kundërt, ne falimentojmë”, shprehen banorët që janë marrë me mbarështimin e shpendit në këto muaj. Ata bëjnë apel edhe për bashkinë që t’u sigurojë një treg, ku edhe qytetarët të mund të vijnë më lehtë.