Zani i humbur në Theth. –

Nga: Fatmira Nikolli –

Është ora 16:00 kur kisha ikonë hap dyert për të mbajtur meshën e shenjtë. Përveç ajrit dhe kishës që shënjojnë perceptimin tonë mbi Thethin e hijshëm, gjithçka tjetër lë për të dëshiruar, njësoj si shekullin e kaluar, kur andej pari kalonin udhëtarë e antropologë për ta bërë fshatin mes maleve parajsën e tyre të zgjedhur përmes shkrimeve të pavdekshme. Ngjan se koha ka ndalur kur heq sytë nga shënimet e tyre për të parë se 10 dekadat pothuaj nuk kanë lënë gjurmë. Shtigjet e kahershme ia kanë lënë radhën një “udhe qerresh” të pashtruar, për hapjen e së cilës vetëm sa është kafshuar mali, ndaj rrugëtimi premton të jetë “aventurë” më vete.

UDHË E GJATË
Është mëngjes kur makina 4×4 merr teposhtën mes malit nga Qafë-Thorja drejt Thethit pa t’i kursyer tronditjet, ndonëse ecën me 10 km në orë. Vetëm një i çmendur do e merrte atë udhë me makinë qyteti. Në rrekjen për të shkuar mes alpeve, shpesh duhet të kthehesh mbrapsht për metra të tëra mbi shkëmbinj që janë bërë shtrati i rrugës që të ndërrohesh me një makinë tjetër. Nuk ka tabela, asnjë sinjalistikë rrugore, asnjë shënim. Veç portreti i Durhamit qëndron në një kthesë shpati të zhveshur. Poshtë sheh si greminën, edhe pemishtet e larta drejt qiellit, që veç ajrit të pastër, të mbrojnë nga rendja në honet e frikshme. Kilometrat nuk janë shumë, por rruga shkon gjatë. Vit pas viti, në fushata elektorale është premtuar vëmendje për zonën e izoluar. Por në fund të sezonit elektoral dhe atij veror, të gjithë ikin nga Thethi. Atëherë fshati ndryhet në harresë, si në legjenda, mes mjegullës e premtimeve të pambajtura. Duket aq lehtë t’ia kthesh shpinën e ta lësh të fshehur deri në sezonet e ardhshme. Zani atje humb dhe nuk dëgjohet në bulevardet qytetëse ku aparatet shkrepin ‘sukseset e rastit’, duke e mbytur piskamën e të mbeturve në izolim. Mjerisht, edhe fonde të mëdha që do ta kishin ndihmuar fshatin që t’i përngjajë në shërbime Tirolit a Zvicrës, janë djegur me ndihmën e shtetit shqiptar (ose prej mospërgjegjësisë së tij). Dora e shtetit nuk shihet, ndonëse kartolinat janë shpërndarë nëpër profile institucionesh me kënaqësinë e ‘zbulimit’ të një Amerike të re.

ZANI I HUMBUR
Pamja e fshatit nga rruga të bën të mbash frymën. Uniteti i ndërtimeve karakteristike të zonës ruhet paçka ndonjë gabimi të kapur në kohë. Oborri i kishës është zënë; përpara nga një panair modest ku evidentohen më shumë çadrat se produktet, e pas, nga pajisjet e ‘ZaFest’ që i janë ngjitur deri edhe murit të saj. Dom Artur Jaku i ardhur nga Shkodra për t’iu drejtuar besimtarëve e nis meshën në errësirë, duke lexuar fjalën e Jeremisë profet, që iu drejtohet udhëheqësve të korruptuar të Izraelit me fjalët “vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën time thotë Zoti”.
Në radhë të dytë në kishë qëndron kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Meshtari bën paralelizma mes kohëve të Izraelit e kohëve të Thethit në predikimin e vet dhe kambanat mbase nuk ranë në vesh të shurdhër. Ka kaluar gjysma e meshës kur një burrë me pantallona të shkurtra kalon (krejt pa takt) pas meshtarit dhe merr e jep me siguresat. Dritat erdhën bashkë me hyrjen në kishë të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin që ka ardhur për të ndjekur festivalin e financuar nga tri institucione shtetërore e disa organizata të huaja, mes të cilave edhe nga BE. Ajo ulet në fund dhe merr kungimin si besimtarët e tjerë.

Ka një farë pezmi pas fjalës së meshtarit që lë të kuptohet se Thethi i sotëm me atë të dëshmuar nga Edit Durhami a George Heinsheimer pakogjë ndryshon.
Mesha mbaron dhe shumë drejtues mund të gjejnë shigjetat ndaj tyre në predikimin e mbajtur. Nëse duan ta lexojnë drejt. Mesazhet që jepen në këtë kishë janë pothuaj si 100 vite më parë: ka ende nevojë për të njëjtat gjëra, nisur nga vëmendja e qeverisë. Kisha, që një shekull më parë jepte mësime të shqipes sepse shërbente edhe si shkollë, tanimë i dha ‘mësimet’ në shqip. “Frati e kish mprehur mirë penën”, thonë banorët në fund të meshës. Pas meshës, Zafesti mbledh në oborrin e pasmë të kishës një grup spektatorësh, që në numër janë po aq sa marrin pjesë në protestën e përnatshme te teatrot kombëtarë. Festivali ka mbështetjen e gjithë shtetit, teatri ka kundër gjithë shtetin, por përkrahësit e i kanë njësoj.

Vitet e fundit kemi parë mjaftueshëm festivale e evente me financime publike që shkojnë për një grusht fotosh; jo për eventet në vetvete se sa për imazhet që duhet të shpërndahen në rrjet. Një menaxhim më i mirë i këtyre financimeve do të kishte mundur ‘ta mbulonte shtëpinë para se ta lyente, sepse nusja e re a dasmorët do të duan strehë më shumë se sfonde’.

Kur festivali u mbyll, ai lumi i fotove që do të duhej të përcillte suksesin e artistëve që në fund të ditës bënë atë që dinë të bëjnë, pra art, u baltos nga një lum fotosh që tregonte pirgje plehrash në anë të kishës. Mes thirrje të turmës në rrjet që nisnin me fjalën “turp”, dikush do e ketë dëgjuar se Vlashent Sata u bëri thirrje të pranishmëve të mos hidhnin plehra në tokë. “Ideja për këtë festival lindi kur ne donim të pastronim Thethin, ndaj ju lutem mos hidhni plehra”. Me dorë bëri nga dy a tri qese të zeza të varura në mbajtëset e ndriçuesve. Duket ato pak qese nuk kanë mjaftuar, sikundër nuk mjafton të ftosh turistë të bëjnë kamping ku nuk të sheh syri facilitetet minimale që nuk kanë nevojë për investime madhore. Shpesh mjaftojnë idetë dhe punët e vogla: si koshat për plehra, tualetet publike në paqe me natyrën, ndonjë tabelë dhe mos me ba pis kur nuk pastron dot. Edhe këtë herë, zani humbi në Theth.