Zbardhen detajet cilat janë tre dosjet e para që do marrë në shqyrtim Gjykata Kushtetuese
Zbardhen detajet cilat janë tre dosjet e para që do marrë në shqyrtim Gjykata Kushtetuese
8 JANAR 2021
Gjykata Kushtetuese tashmë është funksionale dhe duke nisur nga fundi i janarit do të marrë në shqyrtim çështjet e para. Çështja e parë do të merret në shqyrtim më 26 janar, ku me kërkesë të Gjykatës së Tiranës kërkohet shfuqizimi i papajtueshëm me Kushtetutën i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit” në Kodin e Procedurës Penale.
Ndërkohë më 4 shkurt është parashikuar çështja gjyqësore e një qytetari me Entin Kombëtar të Banesave kurse më 11 shkurt shqyrtohet kërkesa e shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” për të shfuqizuar një pjesë të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Deri në muajin shkurt pritet të shqyrtohen të paktën 20 dosje. Një nga çështjet më të nxehta lidhet me zgjedhjet e kaluara pasi në korrik të vitit 2019 Shoqata e Bashkive të Shqipërisë paraqiti një ankimim ku e konsideron procesin e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 si antikushtetues për shkak te mungesës se alternativave në zgjedhje.
Krahas çështjeve të nxehta si zgjedhjet e 30 qershorit, ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar apo ndryshimet në Kodin Zgjedhor, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjet me Presidentin Meta lidhur me emërimin dhe shkarkimin e ministrave, përplasje që nisi pas refuzimit të dekretimit të Gent Cakajt, si ministër të Jashtëm.
Gjykata Kushtetuese është plotësuar tashmë me 7 anëtarë nga 9 që duhet të ketë gjithsej. Kuvendi dhe Presidenti kanë emëruar nga tre anëtarë përkatësisht ndërsa tre anëtarë të rinj do të emërohen nga Gjykata e Lartë.
Gazeta Sot