28 Shkurt 2025

Tirana duket se do të tronditet nga një zhvillim i bujshëm që pritet të lëkundë themelet e qeverisë “Rama”. Katër ministra të kabinetit qeveritar, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Taulant Balla dhe Arbjan Mazniku, janë në listën e zezë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe burimet thonë se arrestimi i tyre është çështje ditësh. Po aq i rrezikuar është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, i cili, sipas të dhënave të fundit, është larguar jashtë vendit për të shmangur prangat.

Prapaskenat

Burime të gazetës “SOT” konfirmojnë se SPAK ka dërguar në Kuvend një kërkesë për autorizim arrestimi për njërin prej ministrave, por në prapaskenë po zhvillohet një betejë e fortë për të bllokuar këtë hap. Kjo lëvizje ka alarmuar kryeministrin Edi Rama, i cili ka nisur një ofensivë të ashpër ndaj drejtësisë, duke dhënë mesazhe të drejtpërdrejta në çdo dalje publike, veçanërisht ditët e fundit. Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt ishte vetëm maja e ajsbergut. “Narkokrimineli Rama” siç e quajnë kundërshtarët, duket se nuk e priste që reforma në drejtësi të godiste kaq afër rrethit të tij të ngushtë. Që prej asaj dite, Rama del paradite e pasdite me një qëndrim gjithnjë e më agresiv kundër SPAK, duke përsëritur se Partia Socialiste është krijuesja e drejtësisë së re. Por a po i dridhen duart kryeministrit?

Në deklaratat e fundit, ai përpiqet të tregojë se qeveria e tij është për shtetin e së drejtës, por ndërkohë dërgon sinjale të forta për të ndalur hetimet ndaj njerëzve të tij. “Ne jemi këtu për të bërë shtet”, thotë Rama, por në realitet, ai duket i tmerruar se mos goditja e SPAK arrin deri te ai vetë. Kryeministri e di se dosjet e korrupsionit dhe aferave kriminale të ministrave të tij janë të rënda dhe të dokumentuara. Nga koncesionet e dyshimta, tenderat klientelistë, e deri te abuzimet me fondet publike, SPAK ka në dorë prova që mund të çojnë drejt një serie arrestimesh që do të bëjnë histori. Nëse njëri nga ministrat bie, dominoja (efekti domino) do të vazhdojë të rrëzohet deri tek ai vetë. Në takimet e fundit me strukturat e PS dhe në daljet e tij në rrjetet sociale e mediatike, Rama ka nisur të përgatitë terrenin për një mbrojtje politike, duke sulmuar Berishën dhe opozitën, të cilët i akuzon se duan të kontrollojnë drejtësinë.

Por askush nuk e beson më këtë retorikë. Gojët e liga flasin se Rama sheh fantazmën e liderëve ballkanikë si Gruevski apo Sanader, të cilët sa dolën nga pushteti, përfunduan në pranga. Por ndryshe nga ata ai mund të arrestohet edhe pse është në pushtet, lëvizje kjo që pritet të ndodhë pasi prangat të kërcasin për Ballukun, Manastirliun, Ballën, Maznikun dhe Agaçin, të cilët SPAK dosjet ua ka qepur dhe nuk shpëtojnë dot nga qarku i drejtësisë. Pra kjo tregon se një epokë e re duket se po nis në Shqipëri, dhe kjo epokë do të përcaktohet nga një pyetje e thjeshtë: A do ta lejojë Edi Rama drejtësinë të bëjë punën e saj, apo do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur veten dhe njerëzit e tij? Megjithatë një gjë është e sigurt, se frika ka mbërritur në zyrat më të larta të pushtetit.

Rama akuza SPAK

Konkretisht kryeministri Edi Rama ka nisur një presion të jashtëzakonshëm ndaj drejtësisë. U desh arrestimi i Erion Veliajt që Babloku të nxirrte kokën, duke dëshmuar qartë se reforma e ka futur në panik. Rama prej disa ditësh del paradite e pasdite për të dërguar mesazhe te drejtësia dhe të njëjtën gjë bëri dhe dje. Kryeministri Rama ka përsëritur se Partia Socialiste është ajo që ka krijuar drejtësinë e re. Në rubrikën “Sy m’sy”, Rama tha se kjo forcë politike hapi luftën kundër korrupsionit dhe bëri një drejtësi që nuk ka guxuar ta bëjë askush më parë. Ai ka shigjetuar Prokurorinë e Posaçme SPAK duke thënë se “i japim shpatën në dorë, ia dorëzojmë drejtësisë që të godasë në trupin tonë”.

“Të kujtohet kur morëm ne detyrën se si ecej nëpër Tiranë, më shumë prodhoheshin drita me naftë se me korent. Të kujtohet, apo nuk e mban mend. 50% e miletit vidhnin energjinë elektrike dhe e dini ca ka rezultuar. Ata që paguanin ishin ata që votonin PS. Budallenj të mëdhenj ne që hapim luftën kundër korrupsionin, bëjmë një reformë në drejtësi që s’ka guxuar askush, i japim shpatën në dorë, ia dorëzojmë drejtësisë që të godasë edhe në trupin tonë, jemi këtu për të bërë Shqipërinë shtet dhe jo për të kontrolluar drejtësinë, e tani çohesh ti me shokët e tu të kënetës dhe na tregoni ju hajdutë burgun. E kuptoni se sa larg realitetit dhe sa larg përmbajtjes së gjithë përpjekjes që unë me PS po bëjeni, jeni. U ka bërë bufi i kënetës si insekte dhe s’dini fare se ca flisni. Jeni pakicë gjithsesi”, deklaroi dje Rama. Por pas sulmeve e akuzave dje në mëngjes, ai doli dje pasdite në një tjetër takim me asambletë e PS në degët e Tiranës, ku sërish kërkoi nga Prokuroria e Posaçme që të mos arrestojë njerëz pa gjyq. Ai u kujdes të theksonte se fati i drejtësisë është në dorë të PS.

Rama deklaroi se institucionet nuk do preken, mirëpo ja u bëri të qarët që të mos afrohen te ai dhe njerëzit pranë tij. “Duam drejtësi europiane, nuk duam drejtësi si në Rusi. Duam drejtësi me vendim të formës së prerë dhe jo burg pa gjyq. Është një betejë që e kemi marrë përsipër ta bëjmë, por duke garantuar pavarësinë, paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë. Një parti që dy mandate ka qeverisur vetëm, që i thotë drejtësisë: ja ku më ke, ha trupin tim, s’ka problem. Rëndësi ka që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit edhe sikur të kafshosh gabimisht. Kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi, por nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh ai. Më tej ai vijoi me sulmet ndaj Berishës, duke dashur të diferencojë veten se ai po e mbron drejtësinë, ndërsa “bufi i kënetës” kërkon të shkrijë SPAK-un.

“Sot ulërasin lloj-lloj specie të kënetës politike që ne po kërcënojmë SPAK dhe jemi rrezik për SPAK, ndërsa bufi i kënetës me zgjat dhe zhapikët e vet vazhdon çon denoncime në SPAK. Por drejtësia duhet që të jetë e verbët të mos shoh kush është i gjatë dhe i shkurtër dhe kush e ka statusin social më të lartë dhe më të ulët, kush është akuzuesi dhe kush është i akuzuari. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat, shpatën që ka sot drejtësia ne ja dhamë se e kishte pushteti që i rrinte mbi kokë drejtësisë. Ne nuk kemi shpatë drejtësia e ka shpatën, por duhet edhe peshorja dhe sytë e mbuluar”, nënvizoi Rama dje.

Gazeta Sot