Zbardhen të dhënat, ja kush janë ministrat e rinj, karriera dhe rolet e tyre në PS e qeveri. –

29/12/2018.

Kabineti qeveritar i mazhorancës pësoi dje një riformatim të thellë. Vendimet e kryeministrit Edi Rama i habitën të gjithë sepse gjysma e ministrave të rinj janë emra jo fort të njohur për publikun. Por gazeta “SOT” ka bërë disa kërkime për të përcjellë më shumë informacione për drejtuesit e rinj të ministrive. Ministria e cila deri dje drejtohej nga Lindita Nikolla, tashmë do të ketë shefe Besa Shahinin. Nga zëvendësministre më herët, ajo tani do të qëndrojë në krye të Ministrisë së Arsimit. Besa Shahini i ka kryer studimet e saj në Berlin, ndërsa do të mbahet mend si ministrja nga Kosova. Ajo ka një karrierë të pasur profesionale në Kosovë, Gjermani dhe Kanada. Besa Shahini është analiste dhe hulumtuese e arsimit parauniversitar në Kosovë. Një emër jo fort i njohur është edhe ai i ministres së re të Financave dhe Ekonomisë. Pasuesja e Arben Ahmetajt do të jetë Anila Denaj, e cila më herët mbante detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Ajo njihet për një eksperiencë të gjatë në sektorin bankar, por ka qenë edhe anëtare e bordit të AKEP. Para se të merrte detyrën e ministres, Anila Denaj ka patur poste drejtuese në Ministrinë e Financave. Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Ballauku ka qenë një emër disi më i ekspozuar në publik. Ajo do të zëvendësojë Damian Gjiknurin, por më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së “Albcontrol sha”. Ndaj saj janë hedhur vazhdimisht akuza për shpërdorime fondesh, ndërsa ka qenë edhe drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës. Drejtimi i Ministrisë së Jashtme iu besua Gent Cakajt. Pasardhësi i Ditmir Bushatit ka qenë këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Punët e Jashtme, por nën urdhrat e Bushatit ka ushtruar edhe detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Një ministër me dy diploma, 3 master (filozofi, shkenca politike dhe juridik), Gent Cakaj renditet edhe si ministri i dytë nga Kosova, pas Besa Shahinit. Pjesë e kabinetit të ri qeveritar u bë edhe arkitektja Elva Margariti. Asaj iu besua drejtimi i Ministrisë së Kulturës, duke zëvendësuar kështu Mirela Kumbaron. As Elva Margariti nuk është fort e njohur, ndërsa daljen e parë publike e ka patur në një studio televizive ku mbrojti projektin e qeverisë për Teatrin Kombëtar. Elva Margariti ka punuar si pedagoge në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” deri para 3 vitesh kur u bë pjesë e administratës shtetërore.

Ministrat e tjerë

Përveç emrave të panjohur, Edi Rama vendosi t’ju besojë poste ministrash edhe personaliteteve të tillë si: Bledi Çuçi, Eduard Shalsi dhe Elisa Spiropali. Bledi Çuçi njihet nga të gjithë si ish-ministri i Shtetit për Çështjet Vendore të Shqipërisë, ndërsa tani do të mbajë postin e ministrit të Bujqësisë, duke zëvendësuar kështu Niko Peleshin. Ai i ka kryer studimet në Belgjikë, ndërsa pjesë e Partisë Socialiste u bë që në vitin 2007. Që nga ai vit Çuçi ka ushtruar detyra të ndryshme ai anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Një tjetër emër i njohur që tanimë do të mbajë detyrën e ministrit të Sipërmarrjes është ai i Eduard Shalsit. Në vend të Sonila Qatos, Shalsi deri dje ishte kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ndërsa ka punuar edhe si mësues kimie, në sistemin bankar apo në Bashkinë e Tiranës. Rikthimi i Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin i dha Elisa Spiropalit postin e ministres. Më herët ajo ka qenë kryetare e FRESSH-it, këshilltare në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi Sekretare për Rininë në Kryesinë e Partisë Socialiste. Ndërsa nga deklarata e saj e pasurisë për vitin 2017, rezulton se zotëron 6 llogari bankare. Përtej ministrave, një surprizë ishte edhe zëvendëskryeministri. Ky post iu besua Erjon Braçes, i cili deri dje ishte kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Ja të dhënat për të gjithë ministrat e rinj

Besa Shahini

Besa Shahini do të zëvendësojë Lindita Nikollën në postin e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Më herët ajo mbante postin e zëvendësministres së Arsimit. Besa Shahini ka lindur në Prishtinë në vitin 1982. Ajo ka një karrierë të pasur profesionale në Kosovë, Gjermani dhe Kanada. Në vitin 2016, Besa themeloi dhe drejtoi organizatën Plenumi për Arsim që kishte fokus hulumtimet dhe analizat e arsimit parauniversitar në Kosovë. Shahini është analiste kosovare dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Ajo ka punuar deri në verë të vitit 2015 si analiste në Inciativën Europiane për Stabilitet (ESI),organizatë kjo me bazë në Berlin. Ajo shkruan herë pas herë për gazetat ditore në Kosovë. Besa ka master nga Hertie School of Governance në Berlin.

Anila Denaj

Detyrën e ministres së Financave dhe Ekonomisë, në vend të Arben Ahmetajt, do ta ushtrojë Anila Denaj. Deri dje ajo mbante postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Po ashtu, Anila Denaj ka qenë edhe anëtare e bordit të AKEP, ndërsa ka mbajtur pozicionin e zv/ drejtoreshës në një bankë tregtare për periudhën 2007-2013. Nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka mbajtur pozicion drejtues në Ministrinë e Financave, por nuk është një figurë e njohur politike.

Belinda Balluku

Ministrja e re Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të zëvendësojë Damian Gjiknurin, është Belinda Balluku. Belinda Balluku ka mbajtur poste të rëndësishme ndër vite. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës, kur kryebashkiak ishte kryeministrit, Edi Rama. Në 2015 mori postin e drejtoreshës së “Albcontrol sha”, ose siç njihej më herët, Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA). Së fundmi, Balluku, ka mbajtur postin e drejtoreshës së Aviacionit Civil.

Gent Cakaj

Drejtimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme iu besua Gent Cakajt. Pasardhësi i Ditmir Bushatit nuk është një figurë shumë e njohur politike. Ai vjen nga shteti kosovar. Fillimisht ka qenë këshilltar i kryeministrit për Politikën e Jashtme, posaçërisht për çështjet e Bashkimit Europian. Më pas, Cakaj u emërua në kabinetin “Rama 2” në postin e zv/ministrit të Punëve të Jashtme. Ai po ashtu ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Ai ka pasur angazhim në shoqërinë civile si konsulent. Është arsimuar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari dhe mban dy diploma dhe 3 master në filozofi, shkenca politike dhe juridik.

Elva Margariti

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro do të pasohet në detyrë nga Elva Margariti, e cila aktualisht është këshilltare në Kryeministri dhe koordinatore e projektit të “100 Fshatrave”. Elva Margariti ka mbaruar gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë dhe universitetin në Firence (Itali) për Arkitekturë. Ajo ka punuar si pedagoge në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” deri para 3 vitesh kur u bë pjesë e administratës shtetërore .

Bledi Çuçi

Bledi Çuçi do të jetë zëvendësuesi i Niko Peleshit në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Çuçi ka përfunduar studimet pasuniversitare (Master) për menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë (1998). Ai ka shërbyer në disa funksione drejtuese ndër të tjera, si Kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 2000-2001, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri në fund të vitit 2005. Ai u aktivizua me strukturat drejtuese të PS që prej vitit 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Në vitin 2013 Çuçi u zgjodh ministër Shteti për Çështjet Vendore të Shqipërisë.

Eduard Shalsi

Ministren e Sipërmarrjes, Sonila Qaton do ta zëvendësojë Eduard Shalsi. Eduard Shalsi ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në fillimet e karrierës së tij ka punuar si mësues kimie dhe biologjie në disa shkolla në Tiranë. Pas disa viteve të kaluara në emigracion, Eduard Shalsi u rikthye në Shqipëri, filloi punë në sistemin bankar dhe arriti brenda pak vitesh të bëhet pjesë e ekipit drejtues të Bankës Tirana. Në vitin 2004 fillon punë në Bashkinë e Tiranës, fillimisht si Shef Kabineti i Kryetarit të Bashkisë e më pas si Nënkryetar. Aktualisht është kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

Elisa Spiropali

Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin do të ketë në krye Elisa Spiropalin, e cila ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave nga tetori i vitit 2013 deri në mars të 2015. Ajo ka lindur në Tiranë më 15 mars 1983, ndërsa studimet i ka kryer në Britaninë e Madhe. Që nga viti 2009, Spiropali është anëtare e Partisë Socialiste. Ajo ka mbajtur edhe poste të tilla si kryetare e FRESSH-it, këshilltare në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi Sekretare për Rininë në Kryesinë e Partisë Socialiste. Në Open Data është publikuar edhe pasuria e saj, e cila gjatë 2017 ka deklaruar se zotëron 6 llogari bankare, ndërsa ka marrë edhe një kredi 1.120.000 lekë.

Erjon Braçe

Erjon Braçe është deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Ai ka lindur në Tiranë në vitin 1972. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë. Braçe ka kryer detyrën e gazetarit në gazetën “Zëri i Popullit”, ndërsa ka qenë edhe kryeredaktor. Më pas iu fut veprimtarisë politike. Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS, zëvendëskryetar i FRESSH-it, kryetar i komisioni Hetimor “Për hetimin e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit në dispozicion të ministrive, institucioneve kryesore të varësisë dhe ndërmarrjeve publike nëpërmjet prokurimeve publike për periudhën 2001 e në vijim”, ndërsa tani është kryetar i Komisionit të Ekonomisë. Sa i takon pasurisë së tij, Erjon Braçe ka deklaruar gjatë 2017, 21.700 euro të ardhura nga shitja e një makine tip ‘Mercedez Benz’. Braçe ka deklaruar gjithashtu 2.461.239 lekë të ardhura nga paga si deputet si dhe 1.860.003 lekë të ardhura nga puna e bashkëshortes.

Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/