Zbardhet debati/ Fevziu replika te Teatri për Kutelin: Pse nuk e dënoi Kadareja. A ka folur njeri se kush i ka bërë letrat te…

19 dhjetor 2019

ANILA DEDAJ/ Teatri Kombëtar, gjatë më shumë se një viti protestash, qëndron në këmbë, mbështetur në kolonat e artit, kulturës, bamirësisë, fjalës së lirë.

Mitrush Kuteli me te shoqen

Dryni institucional që iu vendos “Mekës” së aktorëve, në këto muaj rezistence, u zëvendësua me dyer hapur qytetërimit e kujtesës, që thërret ata kolosë që u përpoqën për të vendosur themelet e një shoqërie demokratike, si poliedriku Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko). Mbrëmjen e së mërkurës, në sallën “Kadri Roshi”, artistja Justina Aliaj, poetja Rita Filipi Petro, gazetari e publicisti Blendi Fevziu, si dhe aktorët Edmond Budina e Naun Shundi u bënë bashkë për të kujtuar kolosin e letrave, bashkëthemeluesin e prozës moderne shqiptare e një nga kritikët e parë të letërsisë.

Mbrëmja poetike “Nuk harrojmë Mitrush Kutelin”, moderuar nga gazetarja Raimonda Shundi ku të ftuarit u bashkuan në vlerësimin bërë veprës së madhe letrare dhe qytetare të eruditit, u shoqërua edhe me debate, ku diskutimi u përqendrua mbi ndikimin e shkrimtarit Ismail Kadare mbi veprën dhe imazhin e Kutelit. Ndërsa regjisori dhe aktori Edmond Budina solli në vëmendje dëshmitë “akuzë” të trashëgimtarëve të Kutelit në “Net moldave” kundrejt Kadaresë, për përfoljen që u ka bërë për pjesëmarrjen në “Betejën e Stalingradit”.

Fevziu replikoi, duke i mëshuar faktit se Kadareja nuk mund të ketë ndikuar në dënimet që iu bënë Kutelit nga regjimi komunist, edhe për faktin se ai asokohe ka qenë fëmijë.

“Pavarësisht kësaj, qëndron fakti se Kadareja e ka ripërmendur këtë fakt edhe në 2014-ën, në librin e tij ‘Mëngjese në kafe Rostand’”, theksoi Budina gjatë debatit, duke përmendur edhe përgjigjen e Kutelit dhënë “shokëve” akuzatorë të trajtuar nga Skënder Luarasi. “Ka qenë në Institutin e Kulturës e ua ka dhënë vet përgjigjen. Hyri në sallën e pedagogëve e hodhi para një tufë gazetash, ku disa nga pedagogët shfaqeshin në foto me këmisha të zeza dhe me simbole të fashizmit në mbështetje të Musolinit. E u thotë: Ju nuk më doni se paskam qenë në Gardën e Hekurt në Rumani, po ja çfarë keni qenë ju”, citon Budina, duke iu referuar Luarasit dhe duke nënvizuar faktin se “shokët” në fjalë, paskëshin qenë Udhëheqësit e Lidhjes.

Gazetari Blendi Fevziu, pas leximit të dëshmive, këmbënguli në qëndrimin e tij, se sot, më shumë se 7 dekada pas dënimit të letrarit, fokusi më i madh duhet të jetë te fajtorët e vërtetë që shkaktuan vuajtjet në burg të Paskos, nga viti 1947 deri më 1949-ën. Fevizu, siç ka bërë edhe vetë Kadare në përgjigjen e këtyre akuzave, thekson se shkrimtari në shkrimet e tij nuk pohon pjesëmarrjen e Kutelit në “Betejën e Stalingradit”, por aludon në bazë të asaj që ka dëgjuar të përflitet (“sipas një pëshpërime jo fort të besueshme” shkruan Kadare).

Gazetari shprehet që në krye të fjalës së tij se goditja ndaj Kutelit bën pjesë në goditjen që iu bë një grupi intelektualësh, duke i persekutuar dhe izoluar, pasi asokohe ndiqej parimi se “çdo gjë nis nga hiçi”. “Kadare mund të ketë qëndrimin e tij, që mund të jetë i gabuar ose jo. Por duhet theksuar se ai e ka shkruar një aludim të tillë në vitin ’89, pra 22 vjet pas vdekjes së Kutelit. Por a ka folur njeri se kush e dënoi Dhimitër Paskon? Kush i ka bërë letrat në ‘Lidhjen e Shkrimtarëve’, që të mos botohej vepra e tij, pra po flas për letrat që bënë që Pasko të futej në burg. Kadare në atë kohë ka qenë vetëm 10 vjeç. Në Shqipëri është bërë gati i përhershëm një fenomen i tillë, pra gjendet një njeri që ka vlera dhe përmendet vazhdimisht. Masakrat më të mëdha janë bërë në vitet 1945-‘47, ç’kuptim ka të bësh përgjegjës Kadarenë për jetën e Mitrush Kutelit, që iku nga kjo botë më 1967-ën, ndërkohë që Kadare kishte botuar veprën e parë gjatë vitit 1963-‘64… Pyetja që duhet të shtrohet është: Cili është personi që e ka dënuar? Kush janë njerëzit që kanë dalë dëshmitarë, pasi nuk dënoheshe në atë kohë pa dëshmitar. Dikush ia ka përmendur emrin. Kush ia ka lexuar relacionet? Pse askush nuk shkon drejt kësaj pike?”, tha Fevziu, duke theksuar se Kadare ka qenë shumë i ri asokohe dhe do të ishte absurde t’i vishje përgjegjësinë për dënimin e Kutelit.

Sipas gazetarit, personat që e kanë urryer Kutelin dhe që kanë ndikuar në jetën e tij plot vuajtje në diktaturë, kanë qenë moshatarë të tij.

“Ai është dënuar nga shokët e tij. Edhe në ’89-ën, ka pas mllef ndaj tij, nga ana e pedagogëve”, shtoi më tej Fevziu. Mes të ftuarve, poetja dhe botuesja Rita Petro solli në vëmendje faktin se relacionet për të cilat Fevziu përmendi nuk ishte e lehtë të shiheshin, duke qenë se dosja e Kutelit ishte bosh. Petro ndali edhe te fakti se dëshmitë asokohe nuk ishte e vështirë t’i gjeje, pasi sipas saj, diktatura ka shfrytëzuar gjatë ekzistencës së saj pjesën më të keqe të popullsisë.

“Jo më kot Kuteli në ‘Testamentin’ e tij, thekson se ‘letërsia është një terren ku gëlojnë gjarpërinjtë’”. Petro duke evidentuar vlerat e mëdha të shkrimtarit, si në fushën letrare, atë ekonomike, ashtu edhe në veprën qytetare, nënvizoi se “qoftë si shkrimtar i madh, ashtu edhe si bankier i madh, Kuteli u bënte hije të gjithëve”. Petro solli mbrëmjen e djeshme në vëmendje edhe Kutelin si njeri të ndershëm e me vlera, që edhe pse në funksione të larta, zgjodhi, siç përmend edhe në “Testamentin” e tij, të qëndronte larg “vjedhjes dhe tradhtisë” e të mbeste ndoshta ndër të paktët “drejtorë banke të varfër”.

SI U PËRGJIGJ KADARE: “KËRKESA PËR ARRESTIMIN E KUTELIT ËSHTË BËRË PREJ JUGOSLLAVISË”

Ndërkohë që në sallën “Kadri Roshi” diskutohej për dëshmitë-”akuzë” të trashëgimtarëve të Kutelit ndaj Kadaresë, të pranishëm gjatë debatit qenë edhe njerëz të medias e kulturës. Në ‘shfajësimin’ e shkrimtarit, Fevziu, duket se ishte gati i vetëm. Mirëpo, Kadare “mbrojtjen” e tij e ka bërë gjatë replikës në një intervistë për mediat vite më parë, ku ndër të tjera thotë: “Nuk kam bërë ndonjë pandehmë për pjesëmarrjen e Dhimitër Paskos në betejën e Stalingradit. Përkundrazi, kam shkruar se ‘sipas një pëshpërime jo fort të besueshme’, është përhapur kjo pandehmë ose ky trillim”. Kadare, në këtë intervistë, hedh tezën se kërkesa për arrestimin e burgosjes së Kutelit është bërë prej Jugosllavisë, për shkak të angazhimit të tij për çështjen e Kosovës dhe të një poeme me subjekt Kosovën.

“Ç’më tha Petro Marko në ’91-shin”

Gazetari Blendi Fevziu, sapo Budina sjell në vëmendje akuzën e ngritur ndaj Mitrush Kutelit, se kishte marrë pjesë në betejën e Stalingradit, replikon duke theksuar se nuk e gjen me vend që t’u jepet peshë thashethemeve të komunizmit. Sipas tij, edhe nëse ky fakt do të kishte qenë i vërtetë, pra nëse do të kishte marrë pjesë në këtë betejë, nuk do të ishte një element që përbalte figurën e shkrimtarit, pasi ai asokohe ka qenë shtetas rumun dhe si i tillë duhej të zbatonte urdhrat që i jepeshin. Ndërkohë që të pranishmit në panel këmbëngulin në ndikimin e Kadaresë, duke e risjellë në vëmendje këtë fakt, qoftë më ’89-ën te parathënia “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, ashtu edhe në 2014-ën në “Mëngjese në kafe Rostand”, Fevziu thekson se “kur flitet për krijues dhe njerëz politikë, vlerësimi duhet bërë bazuar në veprën e tyre”. Gazetari, për të përforcuar thënien e tij, i referohet fjalës së Petro Markos në takimin që ka pasur me të gjatë rënies së diktaturës. “Kam dashur ta takoj kur botoi ‘Nata e Ustikës’. E takova më ’91-shin e më tha një gjë më ka mbetur në mendje: ‘Njeriun mund ta lënë të gjithë e të mbetet pa hiç, pa gruan, fëmijët, të ardhurat, por e vetmja gjë që nuk e lë kurrë, është vepra e tij’. Njeriu gjykohet mbi veprën, mbi asgjë tjetër. Është vepra ajo që mbetet”.

PANORAMA