Zbardhet e-mail i PD-së dërguar kandidatëve për deputet, i shkon dhe Jozefina Topallit
Zbardhet e-mail i PD-së dërguar kandidatëve për deputet, i shkon dhe Jozefina Topallit
25 GUSHT 2020
Një e-mail ka mbërritur në postën elektronike të kandidatëve të cilët aspirojnë apo janë propozuar nga baza për tu bërë deputet të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme.
Kandidatët e mundshëm njoftohen nga selia blu se kanë kaluar fazën e parë të procesit të përzgjedhjes dhe se duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit me të dhëna personale mbi pasurinë, vendimet e formës së prere brenda dhe jashtë vendit nëse kanë, identitetin e personave te rrethit shoqëror të cilët i njohin me mire, të japin informacion mbi shëndetin e tyre mendor dhe emocional apo probleme me alkoolin dhe drogën.
Një e-mail i tillë, mësohet se ka mbërritur edhe ne postën elektronike te Jozefina Topallit, kritikes më të fortë të Lulzim Bashës, por burime nga selia blu bëjnë me dije për Top Channel se ish-nënkryetarja demokrate deri tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje përmes postës elektronike.
Kandidatët e mundshëm për deputet të cilat kanë kaluar fazën e parë kanë 5 ditë kohë për të plotësuar dokumentin i cili i ka mbërritur nga selia blu.
Nesër ky afat skadon për ta, ndërkohë udhëzimi i firmosur nga lidershipi demokrat parashikon se mosdorëzimi në kohë i formularit të vetëdeklarimit do të nënkuptojë heqje dorë nga gara duke prodhuar edhe automatikisht skualifikim të emrave nga lista e kandidatëve te mundshëm për deputetët të cilët vijojnë fazën e dytë.
Nga detyrimi për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit përjashtohet ata kandidatë të cilët kanë pasur mandat përfaqësimi politik të Partisë Demokratike si deputet apo kryetar bashkie dhe e kanë shlyer detyrimin me vetëdeklarimit pranë organet shtetërore vitet e fundit.
Burime nga selia blu, konfirmojnë se në Tiranë dhe Vlorë nuk është përmbyll ende faza e filtrimit te kandidatëve ndërkohë parashikohet që brenda ditës së nesërme të përmbyllet puna dhe të bëhet njoftimi i emrave te cilët kanë kaluar fazën e parë në këto dy qarqe.
Gazeta Sot