Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së PS, çfarë u vendos për ndryshimet në kabinet. –

24dhjetor, 2018

Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të thërrasë ditën e premte Asamblenë e Përgjithshme të PS-së.

Ndërkohë që po sot, Kryesia ka vendosur të mbledhë në 30 mars, Kongresin e saj Zgjedhor.

Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se kjo do të jetë një fazë e rëndësishme për socialistët, ku kanë vendosur dhe një tjetër mbledhje Kryesie ditën e shtunë më 29 dhjetor.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, burime të “Panorama” bëjnë të ditur se Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar  ngritjen e shtabeve elektorale dhe përgatitjen e tyre për zgjedhjet vendore.

Mësohet se gjatë takimit nuk është folur për ndryshimet në qeveri, por burime të “Panorama” bënë të ditur se kabineti qeveritar do të ketë lëvizje ministrash.

Në takimin pa media, Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi me të gjitha strukturat e PS-së, të cilat sipas tij kanë qenë joefiçente gjatë zhvillimit të protestave të studentëve, ku mësohet se ka thënë se e vetmja strukturë që ka funksionuar siç duhet ka qenë Grupi Parlamentar i PS-së.

Ndërkohë që behet me dije se do të ketë një riorganizimin të strukturave të Forumit Rinor Socialist, ndërkohë që mësohet se do të ketë shkarkime të drejtuesve të FRESH nëpër Fakultete.

“Kemi diskutuar protestën, arsyet, faktorët, dobishmërinë e madhe të saj dhe domosdoshmërinë që ta mishërojmë si duhet atë që është shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori, nga shumë studentë që i thonë vetes apolitikë, por e kanë shkundur politikën në raport me të vërtetën, i kanë dhënë shuplakë qeverisë, po ashtu si kam thënë e po bëjmë, që protesta ka dinamikën e vet, kurse shqetësimi ynë i domosdoshëm pas asaj shuplake do vazhdojë në funksion jo vetëm të studentëve”, u shpreh Rama pas takimit.

EMRAT

Mësohet se kreu i PS, Edi Rama, do të bëjë një analizë të qeverisë së tij ditën e premte, me 28 dhjetor, në mbledhjen e fundit për këtë të vit të Asamblesë Kombëtare.
Mësohet se analiza nuk do të jetë e përgjithshme, por konkrete, me emra dhe sektorë edhe e nxitur nga zhvillimet politike gjatë këtij muaji, që nga protesta e studentëve dhe reagimi i fortë i banorëve të Unazës së Re.
Edhe pse gjatë takimeve me studentë në disa studio televizive, Kryeministri Rama i ka marrë vetë përgjegjësitë për gabimet e bëra në zbatimin e ligjit për arsimin e lartë, në Asamblenë Kombëtare pritet që përgjegjësitë të jenë të ndara.

Në shtator të këtij viti, Kryeministri Rama kishte paralajmëruar për ndryshime të ministrave, por në Asamblenë Kombëtare të mbledhur në muajin shtator, kreu i qeverisë u mjaftua vetëm me kritika ndaj Ministrisë së Bujqësisë pa bërë asnjë lëvizje ministrash.

PANORAMA