Zbardhet misteri pse u shkarkua nga detyra Gledis Nano: – Denoncoi në SPAK një grup funksionarësh të lartë të Policisë për përfshirje me krimin dhe dekonspirim të aksioneve të policisë
3 Tetor 2022
“…Madje, gazeta “SOT” ka mësuar se një i “fortë” pas Ramës, disa muaj më parë ka kërcënuar me jetë ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano, për shkak se ky i fundit kishte urdhëruar hetimin për disa të afërm të personit në fjalë”…
Shumica e paligjshmërive, aferave korruptive dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri, duket se lulëzojnë edhe për faj të Policisë së Shtetit, sidomos të asaj pjese të inkriminuar, që bashkëpunon me politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, si dhe me kokat e grupeve kriminale në vendin tonë dhe jovetëm.
Partnerët ndërkombëtarë dhe mediat, herë pas here kanë ngritur alarmin, për shkak se policia është bërë njësh me krimin dhe korrupsionin, ndërkohë funksionarë të lartë të saj madje kanë dekonspiruar edhe operacionet e Prokurorisë, sikundër e ka deklaruara edhe vetë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano gjatë një interviste për mediat franceze, disa ditë përpara se të shkarkohej nga detyra.
Kupola e Policisë së Shtetit dhe zinxhiri i saj komandues lë për të dëshiruar dhe të gjithë shpresonin që me ardhjen e Gledis Nanos në krye të saj vitin që shkoi, reformimi i “bluve” do ishte i kënaqshëm, duke i dhënë kështu fund pandëshkushëmërisë. Por reforma e nisur nga zoti Nano, u la përgjysmë, për shkak se ai u shkarkua, ndërsa sot që flasim në Policinë e Shtetit kemi të njëjtët drejtues dhe funksionarë që i shohim prej 30 vitesh, e që lakohen se janë përfshirë në afera të ndryshme kriminale dhe korruptive. Por gazeta ka mësuar se disa ditët përpara se ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano të shkarkojë nga detyra e kryepolicit të Shqipërisë, ai ka çuara në Prokurorinë Specialë Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një listë me drejtorë dhe funksionarë të lartë policie të korruptuar, inkriminuar dhe që kanë dekonspiruar operacione policore. Ky veprim nuk është mirëpritur nga kryeministri dhe ka rezultuar fatal për Nanon, pasi një arsye se përse është shkarkuar është ky denoncim.
Pritet furtunë në radhët e Policisë së Shtetit
Mësohet se emrat e kallëzuar penalisht nga ish-drejtori Nano, janë zyrtarë të lartë të policisë dhe janë përfshirë në shumë afera dhe zullume. Sipas informacioneve, dosja në fjalë është marrë në shqyrtim nga Prokurorët Specialë të SPAK, e cila nëse hetohet me objektivitet dhe larg presioneve politike, pritet të shkaktojë një furtunë të madhe në radhët e Policisë së Shtetit, ku padyshim që “Qershia mbi tortë” do jetë arrestim i shumë drejtuesve dhe funksionarëve të lartë, të cilët kanë mbyllur sytë para paligjshmërive, duke i favorizuar ato, në një mënyrë apo tjetër.
Pra, mësohet se Nano e ka çuar listën në SPAK disa ditë parë se të niste fërkimet me ministrin Çuçi dhe kryeministrin Rama, ku synonte që përmes goditje së policëve të korruptuar t’i jepte një imazh të mirë Policisë së Shtetit, duke e reformuar atë dhe kthyer në shinat që meriton dhe qytetarët dëshirojnë të shohin. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë me këto kallëzime të bëra nga Gledis Nano në SPAK, që duhet theksuar, se nëse hetohen me themel, do shkaktojë “termet” në kupolën e Policisë së Shtetit.
Ndikimi i deputetëve dhe miqve të Ramës në polici
Por performanca e dobët që ka sot Polica e Shtetit, ndodh edhe për shkak se në këto 30 viteve, drejtuesi e policisë janë emëruara pa meritë dhe janë në poste, falë lobingjeve të deputetëve të zonës apo miqve të kryeministrave, qofshi këta socialistë apo demokratë. Gazeta ka mësuar se sot që flasim, paçka se në media, trumbetohet me të madhe se efektivët e policisë janë atyre sipas sistemit “meritë-preferencë”, shumica e drejtorëve dhe funksionarëve janë masha apo paterica të deputetëve dhe miqve të kryeministrit Edi Rama.
Madje, gazeta “SOT” ka mësuar se një i “fortë” pas Ramës, disa muaj më parë ka kërcënuar me jetë ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano, për shkak se ky i fundit kishte urdhëruar hetimin për disa të afërm të personit në fjalë.
Pra, në këto kushte, ku “kapot” shkojnë deri atje sa kërcënojnë kryepolicin e Shqipërisë, apo edhe për faktin se drejtorët e policisë emërohen me urdhër të deputetëve të zonave, sikundër ndodh në Shkodër, Lezhë dhe në disa qarqe të tjera, tregon se Policia e Shtetit lë për të dëshiruar dhe është kthyer në një vasale e krimit të organizuar, sikundër shihet me “bumin” e madh të trafikut të drogës dhe krimit që ka mbërthyer vendin tonë. Madje, një alarm të kësaj natyre e ka dhënë edhe vetë ish-drejtori Gledis Nano, gjatë një intervistë në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole.
Nano ka thënë ndër të tjera se gjatë kohës që ushtronte detyrën, janë arratisur 14 kriminelë të rrezikshëm, kjo pasi janë dekonspiruar operacionet e policisë për kapjen e tyre, nga ajo pjesë e “kalbur” që është pjesë e sistemit që kryefjalë ka paligjshmërinë dhe jo luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Thënë troç, sot që flasim kupola e policisë emërohet dhe shkarkohet nga deputetët, beniaminët e ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit Edi Rama, çka është reflektuar në ecurinë e saj, ku çdo ditë shohim se rimi dhe korrupsioni lulëzon në vendin tonë.
Gazeta Sot