Zbardhet skema e njeriut të Belinda Ballukut për të përfituar miliona euro nga fondet publike, ja si e fshehu…
13 Nentor 2024
Nga Gazeta Sot
Rilindja financiare për I.D.K KONSTRUKSION të familjes Dalipaj apo Dalipi, tashmë lypte edhe një menaxhim apo ndarje të drejtë të këtyre përfitimeve. Këtu na del në skenë edhe vetë drejtori i OSHEE-së Blendian Dalipi, i cili pas thithjes së 30 milionë eurove fonde publike nga kompania e të atit, vendos të përvetësojë 11 milionë euro, e kjo duke përdorur një tjetër kompani. Sipas emisionit investigativ “Plug”, ministrja Belinda Balluku nuk e ka fshehur afërsinë me Blendian Dalipin as në daljet publike, ku në 31 dhjetor të vitit 2019, sëbashku me të dhe Ardian Çelën prezantonin planin e masave për furnizimin me energji ditët e festave.
Në datë 1 nëntor të vitit 2022, Balluku do t’i besonte postin e Ardian Çelës pikërisht Blendian Dalipit, i cili shoqëronte ministren në daljet e saj, në vend të eprorit të tij në Operatorin e Sistemit të Transmetimit, ku mbante postin e Drejtorit të Rrjetit, po ashtu në varësi të Belinda Ballukut. Ndërsa mbante poste të rëndësishme në dikasterin e drejtuar nga balluku, Blendian Dalipi, ishte pronar edhe i 2 kompanive, të themeluar prej tij. ABNID dhe një tjetër si person fizik.
Detajet
ABNID, është pikërisht kompania që fakton se Blendian Dalipi është përfituesi kryesor i fondeve të marra nga kompania I.D.K KONSTRUKSION, ose të paktën pjesa e luanit të këtyre tenderave janë tërhequr nga Dailipi, destinacioni final i të cilave mbetet për tu zbuluan nga SPAK. ABNDI është themeluar nga Blendian Dalipi në mars të vitit 2016 me seli në Poliçan. Sipas bilancit të vitit 2016 kompania ka deklaruar 60 milion lekë të ardhura (pra faturim) e ndërkohë deklaron se ka të ardhura të paarkëtuara për vitin 2016 nga klienti I.D.K KONSTRUKSION (kompania e babait) në vlerën 97 milion lekë. Pra deklaron më shumë fatura të paarkëtuara sesa faturim. Për sa deklarohet në bilancin e vitit 2016 kjo kompani është krijuar për të përfituar nënkontraktime nga të ardhurat që kompania e të atit përfiton nga prokurimet publike, ndërkohë që vetë Blendian Dalipi mban funksion titullari në Administratën Shtetërore.
Lëvizjet
Për vitin 2017 kompania ka deklaruar të ardhura 84 milion lekë faturim dhe ndërkohë deklaron 123 milion lekë të ardhura të paarkëtuara nga klienti I.D.K KONSTRUKSION, në pronësi të babait të tij. Në maj të vitit 2019, kompania e Blendian Dalipit zgjeron aktivitetin dhe regjistron një adresë sekondare në “Rrugën e Kavajës , brenda kompleksit “Misto Mame”. Përfitimet nga nënkontrakimi që i behet kompanisë së babait, vijojnë edhe për vitin 2018 . Respektivisht, në vitin 2018 kompania kryen disa sistemime të të ardhurave, ku deklaron parapagime dhe përfitim të të ardhurave të shtyra, por në total për vitin 2018 deklaron 189 milion lekë xhiro. Po në këtë vit me vendim asambleje të ortakut të vetëm Blendian Dalipi, është vendosur të shpërndahet divident në vlerën, 30.000.000 lekë, apo 300 mijë euro, fitime këto për vitet 2016-2018.
Pra e thënë më thjesht, Blendian Dalipi fut në xhep nga kompania e tij ABNID 300 mijë euro divident, të cilat janë siguruar nga nënkontraktimi që i bën të jatit nëpërmjet kompanisë I.D.K KONSTRUKSION, pas përfitimit të tenderave publik. Pasi tërhoqi 300 mijë euro fitime, Blendian Dalipi nis edhe lëvizjet nga kompania e tij, ku në shtator të vitit 2019 ka vendosur të emërojë si administrator shtetasin Arben Xhaferi me origjinë nga Poliçani dhe në këtë mënyrë është larguar nga drejtimi i kompanisë, post të cilin, për 3 vite e mbante paralelisht me detyrat publike.
Skema
Një vit më pas, Blendian Dalipi do të bëj sërish lëvizje, ku në vend të Xhaferit ka emëruar si administrator shtetasin Oldis Hebibasi, i vëllai i themeluesit të kompanisë I.D.K KONSTRUKSION). Ky veprim shton edhe më shumë dyshimet për transaksionet mes kompanive të babë e bir por edhe për faktin se Vilfred Hebibasi, themeluesi i kompanisë I.D.K KONSTRUKSION, mund të jetë përdorur si prestanome, e pas tij, që në fillim qëndronte familja Dalipaj. Këto dyshime shtohen edhe më shumë, pasi Oldis Hebibasi, administratori i kompanisë së Blendian Dalipit, sipas të dhënave të pagave të vitit 2021, rezulton punëtor krahu tek I.D.K KONSTRUKSION, në pronësi të babait të drejtorit të OSSH-së. Ndërsa drejtuesit e kompanisë ndryshojnë, përfitimet për Blendian Dalipin vijojnë, ku në vitin 2019, kompania ABNID, deklaron të ardhura në vlerën, 108 milion lekë.
Të ardhura të paarkëtuara deklarohen në vlerën 113 milion lekë dhe detyrime për furnitorët 57 milion lekë, të dhëna këto që ngrenë dyshime edhe mbi faturime e transaksione për të justifikuar shpenzimet e projekteve publike të përfituara nga I.D.K KONSTRUKSION. Duket se përgjegjësia e firmosjes së faturave për llogari të Blendian Dalipit, tashmë në pozicionet më të larta shtetërore, ka sjell edhe lëvizjet e shpeshta të administratorëve në kompaninë ABNID, ku në korrik të vitit 2021, ndryshohet sërish administratori. Në vend të Oldis Hebibasi, Blendian Dalipi emëron administrator Elerd Dalipaj, djali i xhaxhait.
Edhe Elerd Dalipaj në vitin 2021 rezulton i punësuar si punëtor krahu në kompaninë ABNID me pagë 30.000 lekë dhe magazinier pranë kompanisë I.D.K KONSTRUKSION me pagë 80.000 lekë, një tjetër provë kjo që fakton lidhjet mes kompanive të babë e bir nuk janë vetëm familjare. Për vitin 2020 kjo kompani ka faturim në vlerën 160 milion lekë, nga të cilat po atë vit tërhiqen si divident nga Blendian Dalipi në vlerën 64 mijë euro. Ndërsa për vitin 2021 deklaron faturim në vlerën 143 milion lekë, nga të cilat po atë vit tërhiqen si divident nga Blendian Dalipi në vlerën 46 mijë euro.
Si i shiti aksionet?
Në bilancin e këtij viti detajohen dhe aktivet e kompanisë ku rezulton se ka në pronësi një makinë luksoze MERCEDES-BENZ GLA, mjet i cili sigurisht nuk përdoret për proceset e punës, por i takon organeve ligjzbatuese të faktojnë nëse është i njëjti mjet i cili përdoret nga drejtori i Belinda Ballukut. Ndërsa do të dilte në vijën e parë të administrimit shtetëror me marrjen e postit të drejtorit të OSSH-së, Blendian Dalipi merr masat e nevojshme për të fshehur kompanitë e tij, përfituese të parave publike.
Vetëm pak ditë para prezantimit si Drejtori i OSSH, në datë 05 tetor 2022, Blendian Dalipi vendos të shes 100% të aksionevetë kompanisë, Elerd Dalipaj, djali i xhaxhait, që mbante edhe postin e administratorit të kompanisë së tij. Ndërsa fitimet e deritanishme nga kjo kompani vetëm si divident përllogariteshin në mbi 400 mijë euro, Blendian Dalipi e shit kompaninë për vlerën qesharake prej 1000 euro, transaksion ky që ngre dyshime të forta se ky është një transaksion fiktiv, ndërkohë që vetëm fitimi i atij viti përllogritet në 30 fish.
Për vitin 2022 kompania ABNID deklaron një faturim 240 milion lekë dhe fitim 21 milion ose rreth 220.000 euro. Në datën 29 mars 2023, ortaku i vetëm kushëri i drejtori, Elerd Dalipaj vendos miratimin e bilancit të vitit 2022 dhe destinimin e fitimit si divident në vlerën 3.059.000 lekë. E thënë më qartë, Elerd Dalipaj bleu kompaninë nga djali i xhaxhait për 1000 mijë euro dhe i dha vetes 30.000 euro brenda 5 muajve. Nuk e dimë nëse dhe ky është një veprim fiktiv si në rastin 5D ku paratë pasi kalonin në llogari të ortakut në letër tërhiqeshin dhe i jepeshin cash pronarit real, por këto janë dyshime që do të duhet të qartësohen nga SPAK.
Bilancet
Në bilancin e vitit 2022, kompania deklaron fatura të paarkëtuara nga klientët: I.D.K KONSTRUKSION, JUBICA dhe IDK PARNTERS. Dhe siç faktohet qartë nga tabelat që shihni në ekran, se vlera 118 milion lekë e paarkëtuar në 90% të saj vjen nga subjekti në pronësi të babai të Blendian Dalipit, I.D.K KONSTRUKSION. Gjithashtu kompania deklaron se ka detyrime nga furnitorëve në vlerën 95 milion lekë ndaj: KERRI shpk, OL VAHROM dhe VILA DEKOR.
Kompanitë OL VAHROM dhe VILA DEKOR zotërohen nga të njëjtit shtetas dhe aktiviteti kryesor është tregtim me shumicë dhe pakicë të bojrave të ndryshme dhe aksesorët e tyre. Emisioni Plug ka analizuar aktivitetin dhe bilancet e këtyre kompanive dhe rezulton se kjo shifër është e konsiderueshme për to, në mos e papërballueshme, nëse nuk janë likujduar nga kompania e Blendian Dalipit, çka ngre dyshimin se nuk bëhet fjalë për blerje reale, por për faturim fiktiv për të rritur shpenzimet nga kompania ABNID apo për të justifikuar punimet e kryera për I.D.K KONSTRUKSION. Këto të dhëna disponohen nga Drejtoria e Tatimeve dhe i mbetet institucioneve ligjzbatuese për të verifikuar dyshimet. I njëjti sukses për këtë kompani vijon edhe në vitin 2023, ku deklaron një xhiro 700.000 euro.
Ndërsa në Bashkinë e Tiranës, u zbulua skema 5D, duket se efektet u shtrinë edhe në simotrat e saj. Nga një kompani e suksesshme me 11 milionë euro xhiro në vetëm 7 vite, vendos befas pezullimin e aktivitetit. Veç skemës, së ndërtuar me kompaninë I.D.K KONSTRUKSION, edhe vetë kompania ABNID, fitonte tendera e para publike, teksa pronari i saj mbante poste drejtuese në qeverinë e Edi Ramës, si drejtor i Belinda Ballukut. Gjatë periudhës 2017-2022 kompania në pronësi të Blendian Dalipit ka përfituar 5 kontrata publike për vendosje sinjalistike, 4 në Bashkinë Korçë, bashki kjo ku të gjitha tenderat fitohen nga babai i tij dhe një tender në Bashkinë Vlorë me vlerë totale 10 milionë lekë.
Ndërkaq nga një verifikim i bërë në OPENDATA ALBANIA për vitet 2019-2024, kompania e Blendian Dalipit ka marrë 4 pagesa me vlerë 6 milionë lekë. Në total, në 7 vite të ekzistencës së saj, pra nga viti 2016 deri në vitin 2023, kompania ABNID e Blendian Dalipit ka përfituar në total 11 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave si e nënkontraktuar nga kompania I.D.K KONSTRUKSION e babait.