Zbatimi i buxhetit/ Raporti i KLSH: – Qeveria nënshkroi 1033 kontrata pas 15 tetorit me vlerë 335 milionë euro!
18 Tetor 2022
Qeverisë i ka munguar sërish korrektesa në zbatimin e buxhetit të vitit të shkuar dhe kjo e lidhur me mënyrën sesi janë prokuruar, paguar dhe regjistruar pagesat në një sërë rastesh për projekte specifike të investimeve publike.
“Janë paguar detyrime të prapambetura në verën 10 miliardë lekë, të cilat përfaqësojnë rreth 14% të Investimeve Kapitale me Financim të Brendshëm të realizuara për vitin 2021, duke mos paraqitur drejtë treguesit e realizimit të investimeve publike, pasi janë përfshirë edhe fatura të cilat datojnë nga viti 2009.
Janë regjistruar plan pagesash në SIFQ në vitin 3 për 15 projekte, në shumën 1,9 miliardë milion lekë, pa plan pagese për vitin aktual, vitin 1 dhe vitin 2. Regjistrimi në këtë vit i këtyre projekteve të investimeve është kryer në kushtet e mungesës së fondeve buxhetore të miratuar për angazhime të ndërmarra në vitin aktual apo vitet e mëparshme buxhetore, pasi nuk është e mundur që angazhimet e ndërmarra me kontrata përkatëse, të mos parashikohet që të ekzekutohen përgjatë 2 viteve të ardhshme buxhetore.
Janë realizuar investime kapitale me financim të brendshëm në vlerën për 1,148 milion lekë, të regjistruara në SIFQ, të cilat nuk kanë plan buxheti të miratuar, ndërkohë që në Tabelën e Treguesve Fiskalë të Konsoliduar janë raportuar të realizuara ndaj planit të buxhetit..
Janë nënshkruar kontrata pas datës 15 Tetor për investimet publike, në total 1033 kontrata, me vlerë totale të kontraktuar 40,3 miliardë lekë(rreth 335 milionë euro), ndërsa angazhimi për vitin 2021 rezulton 4,29 miliardë lekë” thuhet në raport.
KLSH vlerëson se në lidhje me investimet publike rezultojnë edhe problematika të tjera në regjistrimin dhe monitorimin e projekteve si:
– Janë kryer rishikime në pothuajse të gjitha projektet e investimeve me financim të brendshëm, të cilat rezultojnë në uljen e buxhetit të kontratave të lidhura rishtazi, në projekte investimi në vazhdim, si pasojë e alokimit të buxhetit në projekte infrastrukturore në masën 20 %, pa kaluar më parë në PBA 2021-2023.
– Gjatë vitit 2021, projektet e investimeve janë paraqitur dhe miratuar në mënyrë të fragmentarizuar, duke krijuar një numër shumë të madh projektesh, gjë që e vështirëson monitorimin e tyre.
– Rialokimet e shumta, që shërbejnë për të krijuar hapësirë buxhetore për fillimin e projekteve të reja, kryesisht për programin e transportit rrugor dhe furnizimi me ujë dhe kanalizime;
– Si rezultat i alokimeve të fondeve nga ato ekzistuese për projektet e reja, krijohen kushte për lindjen e detyrimeve të prapambetura në këto investime, duke e detyruar qeverinë të ndërmarrë rregullimet buxhetore nëpërmjet akteve normative.
“Problematikat e mësipërme tregojnë për mangësi të theksuara kryesisht, planifikimi të investimeve publike nga ana e institucioneve qendrore dhe vendore, me efekt presion për rritjen e borxhit publik, si pasojë e mosrespektimit të kufijve të miratuar për shpenzime në vitin buxhetor aktual dhe kufijtë e miratuar për vitet e ardhshme buxhetore
Nga auditimi i 8 projekteve me financime të huaja, janë konstatuar mangësi dhe shkelje me pasojë dëm ekonomik në shpenzime në shumën 8 milion lekë për likuidimin e punimeve të pakryera, si dhe përdorim pa ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të fondeve publike në shumën 551 milionë lekë, si rrjedhojë e mangësive në drejtim të zbatimit të punimeve, konkretisht shtyrjes së afateve të zbatimit të kontratës, si dhe zgjidhjeve teknike jo të favorshme” thuhet në raport. /Monitor
Nga Gazeta Shqiptare