Zbulohen 7 shtete që nuk kanë asnjë rast me koronavirus, ja arsyet pse ka ndodhur

24 Prill 2020

Sipas të dhënave nga Instituti John Hopkins, një nga institucionet më të respektuara për sa i përket të dhënave mbi pandeminë, shtatë janë shtetet në botë ku raportohet se nuk ka gjurmë të COVID-19.

Deri më sot shtetet që nuk kanë asnjë rast të konfirmuar me coronavirus janë: Turkmenistani, Taxhikistani, Koreja e Veriut, Lesotho, Komoros, Ishujt Solomon dhe Vanuatu.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të jetë për shkak të një sërë faktorësh të ndryshëm, nga mungesa e testimeve për shkak të infrastrukturave të dobëta mjekësore, mungesa e lëvizjes së qytetarëve si rrjedhojë e sistemeve totalitare si dhe manipulimi i shifrave të raportuara në media.

Euronews Albania zbulon disa prej arsyeve dhe masave që kanë ndërmarrë këto shtete për t’i shpëtuar pandemisë që ka pushtuar globin.

Turkmenistani

Turkmenistani, një shtet në Azinë Qendrore me një popullsi prej afro 5.8 milionë banorësh, është një ndër shtetet që deri më sot raporton se nuk ka pasur as viktima e as persona të infektuar nga coronavirusi i ri, COVID-19.

Një nga masat e para shtrënguese të marra nga qeveria vendase ishte mbyllja absolute e kufijve të vendit dhe pezullimi i të gjithë udhëtimeve ndërkombëtare.

Megjithatë, së fundmi dyshimet janë shtuar pasi qeveria njoftoi për disa masa të reja kufizuese si lëvizja ndërqytetëse vetëm përmes autorizimit.

Taxhikistani

Me një popullsi prej afro 9 milionë banorësh, shteti që ndan një kufi me Kinën nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 deri më sot. Që në fillimet e pandemisë, qeveria dha urdhër për mbylljen e kufirit me Kinën dhe për izolimin e për një periudhë 2 javore të shtetasve që mbërrinin në vend.

Presidenti Emomali Rahmon është shprehur se shteti do arrijë ta shmangë pandeminë teksa është shprehur se “tradita e higjienës” së vendasve ishte një ndër shkaqet përse nuk ka gurmë të coronavirus në vend.

Së fundmi, USAID dhe OBSH kanë dhuruar pajisje mbrojtëse për Taxhikistanin me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë si një masë parandaluese dhe për të luftuar virusin nëse mbërrin në vend.

Koreja e Veriut

Një ndër arsyet kryesore përse ekspertët mendojnë se virusi nuk ka mbërritur në Korenë e Veriut është pikërisht izolimi absolut për shkak të regjimit totalitarian.

Shteti mbylli menjëherë kufijtë, pezulloi udhëtimet me tren dhe ato ndërkombëtare si dhe urdhëroi mbylljen e shkollave dhe anulimin e të gjitha aktiviteteve festive.

Ekspertët pohojnë se për shkak të kontrollit të plotë të shteti mbi mediat, është e vështirë të mësohet nëse COVID-19 ka mbërritur apo jo në Korenë e Veriut.

Ndërkohë, autoritetet e Penianit kanë pohuar se gjendja është nën kontroll, por i kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i binden plotësisht udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore vendase.

Lesotho

Lesotho është një mbretëri autonome në malet e Afrikës së Jugut me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh dhe gjithashtu shteti i dytë në kontinentin afrikan që nuk ka asnjë rast të raportuar për COVID-19. Megjithatë, qeveria ka marrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e virusit.

Kufijtë e shtetit do të qëndrojnë  të mbyllur deri në 5 maj. Lëvizja e qytetarëve është rreptësishtë e ndaluar përveç nevojave esenciale, ndërsa të gjithë fluturimet janë pezulluar. Përpara mbylljes së plotë të kufijve, autoritetet vendore kërkuan që të gjithë qytetarët që mbërrinin të testoheshin për simptoma të COVID-19.

Të gjitha grumbullimet publike janë të ndaluara, përveç ceremonive funerale ku mund të jenë të pranishëm 50 persona.

Komoros

Arkipelagu vullkanik Komoros, në brigjet lindore të Afrikës e me një popullsi prej 850 mijë banorësh, është shteti tjetër në kontinentin afrikan pas asnjë rast të konfirmuar me COVID-19. Më 23 mars, në vend u ndaluan të gjitha llojet e aktiviteteve që sjellin grumbullim të qytetarëve si dhe anuloi fluturimet ndërkombëtare. Sipas disa mjekëve vendas, një ndër arsyet përse Komoros i ka shpëtuar virusit është për shkak të vaksinimit të qytetarëve kundër së malaries.

Së fundmi, FMN-ja ka miratuar një fond prej 12 milionë dollarësh për të ndihmuar vendin, i cili ishte ende duke u rimëkëmbur nga cikloni Keneth, i cili goditi vendin rreth një vit më parë.

Ishujt Solomon

Në 25 mars, guvernatori i Ishujve Solomon  Sir David Vunagi shpalli gjendjen e emergjencës. Duke marrë shkak nga gjendja e kufizuar e pajisjeve shëndetësore dhe barrën e rëndë që do binte mbi sistemin shëndetësor në vend, guvernatori nxitoi të merrte masa parandaluese për përhapjen e virusit si kontrolle të rrepta për udhëtarët që vinin kryesisht nga vendet e prekura, pezullimin e të gjitha fluturimeve si dhe mbylljen e shkollave.

Vanuatu

Vanuatu është një ishull i Paqësorit me një popullsi prej rreth 270 mijë banorësh. Përpara se qeveria të kërkonte pezullimin e fluturimeve ndërkombëtare, rreth 60 qytetarë që mbërritën në ishull u vendosën menjëherë në karantinë për një periudhë 14 ditore.

Të gjitha ndihmat humanitare që hyjnë në territorin e ishullit i nënshtrohen një periudhe izolimi dhe dezinfektimi prej tre ditësh pasi autoritetet vendase janë shprehur se “çështja do të trajtohet në mënyrë lokale”. Gjithashtu të gjitha bizneseve jo esenciale janë mbyllur dhe është ndaluar rreptësishtë grumbullimi i më shumë se 5 personave.