Zbulohen katër vepra të panjohura të skulptorit Odhise Paskali. –
Zbulohen katër vepra të panjohura të skulptorit Odhise Paskali. –
Veprat e skulptorit të madh janë realizuar para viteve ’40. Prezantimi i tyre me foto dhe komentet vlerësuese janë bërë në gazetën e “Minerva” të vitit 1935.
Nga: Dhurata Hamzai
Ai ishte shkrimtar, gazetar, përkthyes, piktor, mbi të gjitha skulptor, por Odhise Paskali (1903 -1985) nuk arriti kurrë të realizonte ëndrrën e tij për të studiuar për skulpturë, pavarësisht kërkesave të shumta. Studimet e larta i kishte mbaruar për filozofi dhe letërsi në Torino, Itali, dhe gjatë këtyre studimeve kishte shfaqur edhe pasionin për artin e skulpturës. Falë gjithë këtij diapazioni shprehës e krijues, në fillimin e viteve ’20, Odhise Paskali shquhej si një nga intelektualët më të mëdhenj të kohës. Ndërsa botonte esetë e tij në shtypin e kohës, nuk linte mënjanë edhe pikturën e skulpturën. U shqua për vepra me karakter dhe të veçanta, për cilësi shprehëse që mbizotëronin me një gjenialitet të rrallë materialet e ngurta, duke i bërë ato aq bukur “të lexueshme” nga sytë e njerëzve.
Ja, pikërisht në vitin 1924, skulptura e tij e rrallë “I urituri”, do ta bënte të njohur si artistin më të rrallë në rininë e tij. Pas kësaj vepre, ai ishte skulptori që iu besuan veprat më të rëndësishme me vlerë kombëtare, por edhe plot të tjera të karakterit idilik dhe lirik. Është ai autori i monumentit të Çerçiz Topullit në Gjirokastër, dhe të dhjetëra monumenteve luftëtarëve të lirisë, si “Luftëtari Kombëtar” e të tjera që janë realizuar para viteve ’40. Dhe pas shumë prej tyre, vjen edhe një ndër kryeveprat e tij Portreti i Skënderbeut, e cila konsiderohet si më e plota për Heroin Kombëtar. Ndërsa në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. “Flamurtari” në Vlorë”; “Jeronim De Rada”, “Naim Frashëri”, janë vepra të Odhise Paskalit.
Por, midis qindra krijimeve të tij, ka shumë që janë zhdukur. Mjafton të kujtojmë veprat “I urituri” dhe “Fytyrë vajze”, të cilat kanë qëndruar në Pallatin e Mbretit Zog I dhe më pas përfunduan në Itali. Kjo është arsyeja që veprat e gjetura në “Minervën” e qershorit tw vitit 1935 të jenë mbresëlënëse dhe të na çojnë në gjurmët e tyre. Bëhet fjalë për vepra origjinale, të arrira dhe që sot nuk dihet se ku gjenden. Janë vepra që janë vlerësuar që në kohën e realizimit, ku vihet gjithashtu në dukje edhe talenti i padiskutueshëm i skulptorit më të madh shqiptar.
Gazeta Shqiptarja.com