Zbulohen ndjekësit e rremë të politikanëve, Veliaj kampion për ndjekësit fake. –
Zbulohen ndjekësit e rremë të politikanëve, Veliaj kampion për ndjekësit fake.
23 Korrik, 2019
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është kampioni i llogarive të rreme (fake) në ‘Twitter’. Sipas aplikacionit ‘Twitteraudit.com’, Veliaj ka ‘fake’ pjesën dërrmuese të ndjekësve të tij. Nga 161.960 ndjekës në ‘Twitter’, 103.492 ndjekës janë të rremë ndërsa 58.468 ndjekës janë të vërtetë, me më shumë se 70% të ndjekësve të rremë.
Pas një kërkimi të thjeshtë në këtë aplikacion lidhur me politikanët e tjerë të rëndësishëm në vend, rezulton se edhe kryeministri Rama, ka një numër të madh ndjekësish të rremë në llogarinë e tij në ‘Twitter’, kurse presidenti Meta, ish-kryeministri Berisha dhe kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, i kanë ndjekësit në pjesën dërrmuese të vërtetë.
Kryeministri Rama ka gjithsej 119.232 ndjekës, prej të cilëve 38.564 janë të vërtetë, kurse 80.829 ndjekës janë të rremë. Po kështu edhe kryeministri Rama ka rreth 70% të ndjekësve të rremë, bazuar në shifrat e lartpërmendura.
Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka gjithsej 6704 ndjekës në ‘Twitter’, prej të cilëve 1461 janë të vërtetë ndërsa 5243 janë të rremë. Me numrin e vogël të ndjekësve në total, Basha, nuk tregon se e ka ‘Twitter’-in mjetin e parapëlqyer social për të komunikuar.
Monika Kryemadi, kryetarja e LSI-së, ka një numër relativisht të vogël ndjekësish në ‘Twitter’. Atë e ndjekin 309 persona, nga të cilët 290 janë të vërtetë ndërsa 19 të rremë.
Ish-kryeministri Berisha ka një numër prej 6026 ndjekësish, nga të cilët 5478 janë të vërtetë kurse 548 të rremë.
Presidenti Meta ka gjithsej 2168 ndjekës, nga të cilët 69 janë të rremë kurse 2099 janë të vërtetë, një shifër mjaft e lartë kjo e ‘pastërtisë’ së llogarisë së tij, duke rezultuar llogaria më e pastër për sa i përket ndjekësve të rremë.
Nga: Hashtag.al