Nga: Artan Shabani

Nisa të bëja arkeologun e periferisë e të kërkoja art që në kohën e propagandës nuk kishte marrë trofe, tituj, bronz e podiume a vende nderi, artistë që në modestinë e tyre protestonin me heshtje dhe me gjestin artistik. Gjeste të cilat nuk ekspozoheshin në galeri apo muzeume të kohës, gjeste të cilat ngeleshin në pritje të dikujt, që pret të shohë përtej trasparencës së qelqit, “vintage” realizmi socialist apo pas ndonjë helmete nga Lufta e Dytë dhe restauruar me zmalt nitro te një nëndetëse ruse e bazës së Orikumit.

Këto guashe, vizatime, letra kalk dhe portrete vinin nga një autor i viteve të Kinostudios, piktori që kishte marrë pjesë në dhjetëra filma shqiptarë, kostumograf i roleve të shumta, vizatues që sjell aromën e interiorit, por edhe ato të Francës, Italisë, Spanjës… piktor, stilist dhe vizatues brilant. Me mjaft kërshëri pyes shitësin, në mund ta njoh këtë artist… dhe pastaj të bëjmë një “Gëzuar!” me gotat e qelqit vintazh.

Ai më tha që përmetari pati ndërruar jetë me ëndrrën që këto vizatime të ekspozoheshin diku. Ja ku janë… Diku ku muzika, filmi dhe arti të mos hidheshin në harresë a të këmbeheshin me një stekë biliardoje… nën muzikën që rrethon të tilla instalacione ende pa dirigjent.
…Më ngeli gota e qelqit në dorë dhe pyeta: Po si quhej? Si quhet…?

 
Ishte Dhimitër Theodhori. Është Dhimitër Theodhori.

Shenim: Akuarelet dhe vizatimi jane pjese e koleksionit: J. Brahaj.