Zbulohet agjentja ruse, 10 vjet e infiltruar në komandën e NATO-s
26 Gusht 2022
Një agjente ruse ka arritur të infiltrohet mes personelit të bazës së NATO-s në Napoli, dhe në flotën e VI te marinës amerikane në Europë për 10 vite rresht.
Lajmin e përcjell e përditshmja italiane la Repubblica në fundin e një investigimi të kryer nga site-i Bellingcat, e përjavshmja gjermane Der Spiegel dhe The Insider. Protagonistja e atij që përshkruhet “si operacioni më i bujshëm i inteligjencës ruse në Itali”, është Maria Adela Kuhfeldt Rivera.
Ose të paktën, kështu ishte prezantuar prej kaq kohësh gruaja që hiqej si peruane me baba gjerman, emri i vërtetë i së cilës thuhet të jetë Olga Kolobova dhe është vajza e një zyrtari rus. Spiunia e GRU ka jetuar prej vitesh në Napoli ku ka arritur të miqësohet me anëtare të aleancës veri-atlantike e të depërtojë në radhët e saj. Hulumtimi tregon se ajo që njihej si “Maria Adela” e kishte marrë në fakt pasaportën e saj të parë ruse në 2006. Historia që ajo u paraqiste të njohurve të vet ishte se nëna e saj beqare kishte udhëtuar me të nga Callao e Perusë në Bashkimin Sovjetik në vitin 1980, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Moskë.
Por pastaj kishte marrë një mesazh urgjent për t’u kthyer në shtëpi, e gjoja e kishte lënë vajzën në kujdesin e një familjeje sovjetike. Gruaja tek të 30-tat, thotë Repubblica, është mjaft e sofistikuar: ajo flet 6 gjuhë të huaja dhe fillimisht ngriti një kompani për prodhimin e bizhuterive, më pas hyri në shoqërinë e lartë të Napolit e në fund, arriti të depërtonte në stafin e NATO-s. “Një Mata Hari moderne, e cila dallohej edhe për metodat e të saj të joshjes dhe arriti të depërtojë deri në komandat që drejtojnë misionet e aleancës ushtarake dhe aktivitetit të marinës amerikane në Europë”, thonë gazetat.
Në 2018-tën, gruaja vendosi te merrte papritur një fluturim nga Napoli drejt Moskës, dhe nuk u shfaq më.
Gazeta Sot