Zbulohet miku ‘izraelit’ i Ramës që do të blinte borxhin publik sipas Arben Ahmetajt, kush e futi te ‘Air Albania’
28 Janar 2025
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzoi publikisht dje kryeministrin Edi Rama se i kishte kërkuar që të ndryshonte ligjin për të shitur borxhin publik të Shqipërisë tek një miku i tij izraelit. Ahmetaj dha detaje specifike në lidhje me këtë favor të kërkuar nga Rama. Episodi sipas tij ka ndodhur në vitin 2018, pak përpara se vendi të dilte në Eurobond, në një zyrë të quajtur “Dhoma e Luleve” në Kryeministri, hapësirë e kryeministrit, atje ku ai konsumon drekat.
“Kam një episod me kreun e organizatës dhe një mikun e vet izraelit te kopshti i luleve. Se përveç kopshtit të Edenit, ka edhe dhomën e luleve ku ha. Më ka kërkuar në tryezë me mikun e vet, unë isha përpara daljes në Eurobond, në 2018, që t’ia kaloja borxhin privatish (private selement) mikut të vet. Ka këmbëngulur dy herë. I kam thënë nuk bëhet. Nuk është në interes të Shqipërisë. Është e paligjshme, kostot janë të fshehta, Shqipëria humbet dhe nesër e ka të pamundur të dali në tregun ndërkombëtar. Bëhet fjalë për 1-miliardë dollar. Që t’i shkonte borxhi publik një dorë një njeriu. Le të dalë ta kundërshtojë nëse do. Ndërkohë pasi këmbënguli u ktheva në ministri të financave, u ula me 3-4 nga punonjësit aty dhe për hirë të këmbënguljes timë për jo bëmë llogaritë. Pra, për këtë Altin ti duhet të më kishe hedhur mua në burg po ta kisha bërë. Pale të më kishe vënë edhe atë maskën, si të ai filmi, aty di ishe heroi i fëmijëve tanë. U ktheva te ai dhe i thashë nuk bëhet, përvec asaj ka edhe problem me ligjin. Atëherë ndryshojmë ligjin, tha. Jo, i thashë, ligjin unë nuk e prek, pëveçse vetëm me konsulencë të BB dhe FMN,” tha Ahmetaj.
Burime të mirëinformuara për mediat bëjnë me dije se izraeliti në fjalë, i cili sipas Ahmetajt është miku i kryeministrit është Ron Yeffet. Ky personazh edhe pse i papërmendur me emër nga Ahmetajt, është personi tek i cili kryeministri donte të shiste borxhin publik.
Nga: Syri tv