Zbulohet në Apolloni karfica në formën e sirenës, me mëndafsh 2500 vjeçar. –
Zbulohet në Apolloni karfica në formën e sirenës, me mëndafsh 2500 vjeçar. –
Historia e një karfice të zbuluar në Apolloni në vitin 1996, ku gjenden edhe gjurmë tekstili të një mëndafshi mbi 2500 vjeçar, i dyti për nga vjetërsia në Shqipëri. Historia e nxjerrjes në dritë dhe e restaurimit…
Karfica në formë sirene u zbulua në një varr të një tume të Apollonisë në vitin 1996. Gjashtë vjet me rradhë ajo qëndroi pa u vënë re së bashku me kockat e skëletit dhe e ngatarruar me materialin kockor, mbasi edhe ajo vetë është prej kocke, plus dherat që kishte sipër e që e pështillnin si në një fshehtësi.
Në verën e vitit 2002, kur po rishikohej materiali skëletor, u pa se midis eshtrave ishte edhe kjo karficë, që u identifikua si sirenë.
Vetë drejtuesi i ekspediës franko-shqiptare Profesor Jean-Luc Lamboley nga Universiteti i Grenoblit, na e dha karficën për ta konservuar, duke shprehur keqardhjen e një ndërhyrjeje të vonuar.
Puna u fillua me dokumentimin shkencor të përftuar nëpërmjet të shqyrtimit në stereomikroskop, analiza, etj. Sirena ishte shumë e dobësuar si rezultati shpërbërjes së kockës gjatë qëndrimit në tokë. Thuajse e gjitha ishte e mbuluar nga depozitimet minerale, e coptuar dhe me ndryshk. Ndryshku vinte nga nje gjipërë e hollë prej hekuri e montuar nga mbrapa dhe që shërbente për ta kapur në rroba. Diametri i telit të gjilpërës është 1,7 mm. Ai është dëmtuar shumë nga veprim i një bakterie që ndodhet në tokë dhe që quhet Galionella ferriginea. Kjo e bën sipqërfaqen e hekurit si guackat e detit, duke shkaktuar korrozion me anë të çifteve galvanike të ajrosjes së diferencuar. Rdiografitë me rreze X treguan se i gjithë hekuri ishte shndrruar në ndryshk, duke e vështirësuar shumë procedurën e ndërhyrjes për ta shpëtuar.
Ishte me shumë interes prania e gjurmave të një tekstili në telin e gjilpërës. Por është një tekstil tejet i rrënuar dhe që na mori shumë kohë për ta “zbërthyer”. I kemi edhe fotografitë e marra në mikroskop, por nuk po i paraqesim, sepse në atë gjendje që janë nuk shihet asgjë për të shuar kuriozitetin. Vëzhgimet e kujdesshme optike na dhanë mundësinë që ta studionim edhe këtë tekstil. Është një pëlhurë tepër e hollë. Endja është ajo që populli e quan me dy lisa, por në këtë rast ka një përforcim të majës, që jep pamjen e kanistrës, por në miniaturë. Merreni me mend që në çdo 1 cm në drejtim të gjatësisë, pra të majës, kalojnë trembëdhjetë fije, ndërsa horizontalisht, pra të indit, tridhjetë e tre fije për çdo 1 cm. Tekstili është i një rrobe prej mëndafshi, i një njeriu të pasur. Rast i rrallë! Dymijë e pesëqint vjet i vjetër! Është i dyti ndër tekstilet e mëndafshta në listën e vjetësisë. Ai më i vjetri, edhe më i hollë, është zbuluar po në Apolloni dhe është dymijë e shatëqint vjet i vjetër, pra që nga koha kur u krijua qyteti nga Korkyra.
Pastaj u vazhdua me procedurat e restaurimit dhe konservimit, duke përdorur materialet më të mira, të blera në Angli. Shpresojmë që të ruhet mirë në se do të ketë një trajtim të kujdesshëm.
Kjo është e vemja karficë në formën e sirenës e zbuluar në Shqipëri. Arkeologët thonë se i takon shek V para eres se re. Por në Shqipëri janë zbuluar edhe sirena të tjera. Përshembull në Muzeun arkeologjik të Durrësit janë ekspozuar dy sirena vajtimtare, të gdhendura në gur. Ato jane 35 cm të larta dhe vendoseshin mbi pirgun e dheut të varrit. I takojne shek II para erës së re.
Çfarë janë sirenat?
Sirenat kanë një bazë mitologjike. Ato janë përbindësha me kokë dhe gjoks gruaje dhe me trup, e bisht zogu dhe me fletë. Ato ishin bijat e Forkiut dhe të Cetojës, vëlla e motër, fëmijë të Polifemit, ose të Akelout dhe Steropës.
Disa të tjerë mendojnë se janë bijat e Terpsikorës, që nga greqishtja do të thotë “që ka qef vallet”. Homeri thotë se ato ishin dy. Mirëpo edhe metologjia është zhvilluar e pasuruar dhe burimet e mëvonshme flasin për tre. Sirenat paraqesin njëherësh bukurinë dhe rrezikun e detit.
Jetonin në një ishull midis Circes dhe Skillës. Me këngët e tyre të bukura tërhiqnin lundërtarët, duke u thënë se do t’u tregonin sekrete të mëdha dhe pastaj i vritnin. Por nuk ia dolën me argonautët. Orfeu i magjepsi sirenat me këngën e vet aq tepër, sa që ato u bënë memece dhe i hodhën në det instrumentet e tyre muzikorë. Me sirenat lidhet edhe Odiseu. Të gjithë e dimë historinë se si Odiseu u a zuri veshët me dyll shokëve të vet, e se si e lidhën me litarë pas direkut të anijes. Ato, mbasi nuk e mposhtën Odiseun, u dëshpëruan dhe u hodhën në det, ku u shndërruan në shkëmbij.
Një variant tjetër thotë se në fillim sirenat ishin shoqe të Persefonit, bija e Demetrës. Kur Hadi rrëmbeu Persefonin, Demetra i shndërroi ato në zogj dhe i hodhi në det për të kërkuar më me lehtësi shoqen e tyre. Për shkak të namit të tmerrshëm ato i lidhnin me vdekjen dhe i vendosnin mbi varrin e njeriut, siç është rasti i sirenave të zbuluara në Durrës.