Zbulohet pazari i “shkarkimit” të Metës.
Zbulohet pazari i “shkarkimit” të Metës.
9 korrik 2019
– Hajdari ka theksuar se deputetëve të rinj të opozitës u është bërë presion, duke u thënë se në rast mosshkarkimi të Metës, kreu i shtetit do të nxjerrë një dekret të ri për shpërndarjen e Parlamentit ….
Nga Ervin Koci.
Të paktën, ky është pohimi i bërë nga kryetarja e Grupit Parlamentar Demokratik në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 3 korrik. Gazeta “Panorama” sjell të zbardhur procesverbalin e diskutimit në këtë mbledhje me dyer të mbyllura, ku kërkesa e socialistëve për caktimin e një seance për shkarkimin e Metës ka sjellë edhe debate midis Hajdarit dhe Ballës.
Që në hapje të mbledhjes, Balla ka shprehur qëndrimin e tij se Kuvendi duhet të vijojë procedurën për shkarkimin e Metës pasi, sipas socialistëve, kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke anuluar me dekret presidencial 30 qershorin si datë zgjedhjesh. Por, që në replikën e parë, Hajdari i është përgjigjur me sulm Ballës, duke theksuar se kjo është një luftë politike ndërmjet maxhorancës dhe Presidentit dhe se grupi i saj parlamentar gjendet në mes.
Hajdari ka theksuar se deputetëve të rinj të opozitës u është bërë presion, duke u thënë se në rast mosshkarkimi të Metës, kreu i shtetit do të nxjerrë një dekret të ri për shpërndarjen e Parlamentit dhe për rrjedhojë, ata kanë bashkuar votat me socialistët. Në votimin e bërë në datën 13 qershor, rezoluta e socialistëve mori 100 vota pro, duke marrë me vete edhe 21 vota deputetësh të rinj në Parlament.
Hajdari ka theksuar se në rast se Kuvendi vijon me shkarkimin, atëherë kjo do të transmetohet në mediat ndërkombëtare si një luftë ndërmjet qeverisë dhe presidencës që, sipas saj, nuk i shërben vendit. Ruçi, nga ana e tij, ka theksuar se Kuvendi duhet të mblidhet në seancë plenare për të shqyrtuar raportin e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor dhe do të jetë vota në Parlament, e cila do të vendosë nëse do të vijë procedura apo jo.
Balla, nga ana e tij, ka theksuar në mbledhje se Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën e Shqipërisë dhe për rrjedhojë kjo çështje nuk duhet të ndalet. Ai i është referuar edhe vendimit të Kolegjit Zgjedhor që, sipas tij, ka rrëzuar aktin e ndërmarrë nga kreu i shtetit.
Taulant Balla – I nderuar zoti Kryetar, të nderuar kolegë dhe kolege, siç e theksoi edhe Kryetari i Kuvendit, lidhur me këtë procedurë të iniciuar nga 55 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën dhe sipas pikës 3 të nenit 112 të Rregullores, jemi pikërisht në momentin e përcaktimit të shqyrtimit të raportit të Komisionit të Çështjeve Ligjore në seancë dhe më pas votimin e këtij raporti dhe shqyrtimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit. Në rast se raporti nuk miratohet, procedura ndërpritet. Për sa më lart, dua t’i propozoj Konferencës së Kryetarëve që debati për këtë çështje, pra, shqyrtimi i këtij raporti, të zhvillohet në një seancë të posaçme. Në traditën parlamentare, seancat e ditës së hënë zhvillohen pasdite, edhe për të pasur një vëmendje publike, por edhe duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo seancë. Pra, seanca të zhvillohet ditën e hënë, më datën 8 korrik, në orën 18:00, sigurisht me mirëkuptimin e të gjithë anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve
Rudina Hajdari – Zoti Kryetar, nëse më lejohet, unë do të jap mendimin tim lidhur me këtë çështje. Kam qenë vetë në atë seancë kur miratuam një rezolutë me presione të ndryshme, që nuk ishin të drejta ndaj opozitës, duke inkurajuar deputetët e opozitës që të votonin për atë rezolutë për shkak se do të kishim një dekret tjetër të Presidentit që do të shpërndante Parlamentin. Ajo që më shqetëson është se ndodhem në mes të kësaj lufte politike. Unë jam e vetëdijshme që jam në mes të kësaj lufte politike për një shkak, por nuk dua që kjo luftë të vazhdojë. Unë e kam thënë haptazi që Presidenti i Republikës e shkeli Kushtetutën duke zhdekretuar një dekret të tij, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë, por, nga ana tjetër, keni zgjedhur një President, i cili është tepër politik. Jemi në një situate jashtëzakonisht shumë të vështirë. Ne duhet të reflektojmë dhe të mendojmë nëse këta hapa realisht e zgjidhin krizën. E dimë shumë mirë se kush është Presidenti, por jemi në një situatë shumë të vështirë, prandaj unë nuk jam dakord që ne të vazhdojmë me hapat tanë dhe të përplasemi me Presidentin, sepse ju e patë se çfarë bëri Presidenti dje, e cila ishte një situatë e turpshme për të gjithë. Ai ka marrë stafetën e opozitës, që nuk i takon dhe nuk duhet ta bëjë, por gjithsesi, kemi edhe atë shprehjen e famshme që thotë se duhet t’i hapim rrugë njërit. Mendimi im është që të gjejmë një rrugë të mesme, sepse më pas do të raportohet në mediat ndërkombëtare dhe do të bëhemi qesharakë, do të jetë një luftë e pastër politike midis Kryeministrit dhe Presidentit. Ndoshta dënimi më i madh është që ai të rrijë aty brenda, kështu që në këtë mënyrë e keni zgjidhur situatën!
Taulant Balla – Unë dua të nënvizoj shqetësimin që shprehu kryetarja e grupit të opozitës, zonja Hajdari, për një kërcënim nga ana e Presidentit të Republikës për të shpërndarë Kuvendin. Qëndrimi i tij për këtë çështje është bërë publik, por kjo nuk është një çështje që mund ta diskutojmë sot apo ndonjëherë, sepse Presidenti i Republikës, për fat të mirë, nuk e ka këtë të drejtë. Unë mendoj se është në dinjitetin e këtij Kuvendi që të ngremë komisionin hetimor për të vlerësuar nëse Presidenti e ka shkelur apo jo Kushtetutën.
Gramoz Ruçi – Po sqaroj një gjë, meqenëse m’u drejtuat: kjo mbledhje, ky kuorum nuk ka asnjë të drejtë të vendosë, nëse duhet të vazhdojë kjo procedurë apo jo. Kjo është me detyrim përcaktim. Ka dy rrugë: e para ajo që parashtroi zonja Hajdari, nëse kërkuesit e tërheqin nismën, unë e ndërpres procedurën këtu, sepse nuk kam se çfarë të diskutoj. E dyta, do të shkojmë në seancë dhe do shkojmë brenda 7 ditëve, kjo nuk ka diskutim, është me detyrim përcaktim, pasi na e përcakton Rregullorja që brenda 7 ditëve t’ia dërgojmë seancës. Seanca vendos ose jo për ta ngritur komisionin, pra, e miraton ose nuk e miraton ngritjen e komisionit hetimor. Kjo është e drejta juaj, e diskutoni brenda grupit, midis gupeve. Pas debatit do të votoni. Si do të vendosni?! Jeni ju që do të vendosni. Problemi i tretë është që pasi ngrihet komisioni hetimor, pasi bën hetimin, sjell një raport në Kuvend, Kuvendit i jepet 20 ditë kohë për të reflektuar për këtë raport, i cili do të jetë në përfundim të këtij debati, të kësaj seance. Ju do të votoni. Ai votim është përfundimtar për Kuvendin dhe këtu Kuvendi mbaron punën e tij, por kjo nuk do të thotë se është shkarkuar Presidenti, është Gjykata Kushtetuese, e cila shprehet për këtë vendim që ka marrë Kuvendi.
Rudina Hajdari – Dakord, zoti Kryetar. Unë e kuptoj pikëpamjen tuaj, që këto janë nga ana procedurale dhe duhet të marrin një vendim. Nga ana tjetër, jemi edhe në kushtet kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, gjë që e bën situatën akoma më të vështirë, sepse si mund ta vazhdojmë një procedurë, nëse nuk e dimë tamam se kur do të ngrihet Gjykata Kushtetuese, e cila merr vendim mbi këtë çështje. Pra, duke qenë në kushte jonormale, situata bëhet më e vështirë për të marrë një vendim të prerë. Siç e thatë edhe ju, nismëtari mund ta reflektojë këtë nismë.