Zbulohet “Peshku i Madh” në telefonin e Monës, Edi Rama i implikuar në aferat e çiftit Meta-Kryemadhi, e pohon…
Nga: Rigels Seliman
Kryeministri Edi Rama dyshohet se është implikuar në aferat e çiftit Meta-Kryemadhi. Pak ditë më presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndërkohë që akuzohet për korrupsion, pastrim të parave dhe mosdeklarim e fshehje të pasurive, akuza këto të njëjta edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Dosja e SPAK për çiftin Kryemadhi-Meta është shumë voluminoze dhe në të ka të përfshirë shumë emra “VIP” si politikanë apo biznesmenë. Për këtë arsye ndaj zonjës Kryemadhi ka pasur akuza të forta nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ka deklaruar se nuk është ai “Peshku i Madh” dhe se për këtë ka dijeni zonja Kryemadhi.
Sakaq pas deklaratës së ish-ministrit Koka, edhe ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje deputetes Monika Kryemadhi që të bëjë transparenca sa i takon këtyre akuzave. Kështu që e ndodhur përballë një atmosferë të mbushur me tension dhe akuzat e ndërsjellta, Monika Kryemadhi ka hedhur dje një “bombë politike”, duke zbuluar se “Peshku i Madh” ndodhet në telefonin e saj. Ajo hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Ramën, teksa e quajti atë si “Peshkun e Madh” që ka në telefonin e saj dhe paralajmëroi se do t’i bëjë publike mesazhet që ka me të. Ajo hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Ramën, teksa e quajti atë si peshkun e madh që ka në telefonin e saj dhe paralajmëroi se do t’i bëjë publike mesazhet që ka me të. Duke folur nga oborri i Kuvendit të Shqipërisë dje për mediat, Kryemadhi e ka përmendur qartë Ramën si një aktor kyç në këtë skandal, duke e bërë atë pjesë të një loje të rrezikshme ku interesat politike duket se kanë kaluar çdo kufi.
Ndërkohë në një përgjigje ndaj deklaratave të Berishës që e akuzoi nga maja e ballkonit se i kishte dorëzuar 460 mijë euro Edi Ramës, ajo theksoi se ish-kryeministrin e kanë ngatërruar, duke i përmendur ish-ambasadoren e BE-së, Vlahutin që sipas saj, bleu deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi. “Merreni Ramën seriozisht kush i ka paguar kurimin e djalit në Amerikë. Doktorin nuk është e vërtetë do t’ia kenë ngatërruar. Mos e ka fjalën për buxhetin e Vlahutin që bleu deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi. Peshku i madh është Edi Rama në telefonin tim. E kam telefonin i cloud”, deklaroi Kryemadhi.
Berisha mesazh Kryemadhit
Ndërkaq kujtojmë se nga dritarja e apartamentit të tij ku ndodhet në “arrest shtëpie” kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi javën që shkoi Monika Kryemadhin, se i ka dorëzuar Edi Ramës 460 mijë euro. Berisha pati një thirrje për deputeten e Partisë së Lirisë, që të sqarojë këtë shumë parash.
“Sot personi të cilin e kemi quajtur gjithnjë ‘ladro utile’, hajdut i dobishëm, Lefter Kokës i erdhën dy pare mend. Iu rikthye edhe guximi. Sot, në sallën e gjyqit, ai deklaroi se nuk jam unë autori i djegësve, se ‘peshku i madh’ është në telefonin e zonjës Kryemadhi. Miq, Lefter Koka deklaroi me përgjegjësi para gjyqit se ‘peshku i madh’ është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama. i bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjithë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për ‘peshkun e madh’, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro. Të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave. Unë e kuptoj se çdo deklaratë që bëni, e bllokon mercenar Altin Dumani, që është shndërruar në galloshen e Edi Ramës.
Por, çdo politikan dhe çdo qytetar ka detyrim madhor t’u rrëfejë të vërtetën qytetarëve të tyre. Dhe kur prokuroria është shndërruar në organ kriminal, është shndërruar në organizatë kriminale, atëherë është detyrë që ajo të zëvendësohet me prokurorinë publike, me denoncimin publik, me gjyqin publik ndaj shqiptarëve”, deklaroi ai. Më tej Berisha i bën thirrje dhe ish-ministrit Koka që të tregojë. “Unë prapë i bëj thirrje Lefter Kokës: Lefter, katër vjet më parë, jo më kot je ftuar nga opozita që të bësh të pandehurin e drejtësisë. Të takon t’i bësh publike, të ngrihesh në lartësinë e guximit njerëzor dhe t’ua përplasësh në fytyrë këtyre hajdutëve që të keqpërdorën, që të kërcënuan, që të mashtruan. E di ti vetë, i di vetë të gjitha këto, mos më bëj t’i them haptas”, nënvizoi Berisha.
Deklarata e ish-ministrit Lefter Koka
Nga ana tjetër bëjmë me dije se teksa ndodhej në seancë gjyqësore në Apelin e GJKKO-së, Lefter Koka deklaroi pak ditë më parë se ai nuk ishte “Peshku i Madh” dhe nëse drejtësia do të zbulojë korrupsionin e vërtetë, mjafton të hapte telefonin e Kryemadhit. Madje Koka u bëri thirrje prokurorëve të hapin telefonin e Monika Kryemadhit duke lënë të kuptohet se aty do të gjejnë afera korruptive “Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si peshkun e madh, por nuk jam unë peshku i madh. E di i gjithë Durrësi që unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguaj biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë sesa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjta. E keni gabim dëgjova prokurorin sot, ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi.
Megjithëse ka kaluar një vit konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua. Nuk duhet te ishte ndare dosja por te hetoheshin bashke. Ata që më kallëzuan janë sot në përballje me SPAK. Nese hapni telefonin e Monikës, nuk do gjeni asnje komunikim me mua në të. “Doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monika Kryemadhit”, deklaroi ai në sallën e gjyqit. Ndër të tjera Koka ka akuzuar ish-presidentin Meta dhe bashkëshorten e tij si manipulatorë, madje kanë ndërhyrë për të larguar dhe një ambasador. “Ata janë manipulatorë si Monika si Iliri, ai manipuloi situatën për të hequr në departament edhe një ambasador se besuan Ilirin”, nënvizoi ish-ministri Koka.
Gazeta Sot