Zbulohet plani i Qeverisë për t’i dhënë privatit Pallatin e Brigadave për 40 vite! – Do krijohet një bord për të kontrolluar monumentin! – Do ndërtohen kafene dhe…

Zbulohet plani i Qeverisë për t’i dhënë privatit Pallatin e Brigadave për 40 vite! – Do krijohet një bord për të kontrolluar monumentin! – Do ndërtohen kafene dhe…

30 Qersor 2022

Nga Valentina MADANI

Projekti më i ri i qeverisë ka të bëjë me vënien e Pallatit të Brigadave në dispozicion të turistëve. Ajo do të ndërhyjë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të godinës për ta bërë të askesueshëm për të gjithë vizitorët.

Sipas vendimit të qeverisë, të botuar në Fletoren Zyrtare, Pallati i Brigadave do të mbesë në pronësinë e saj, ndërkohë që Ministria e Kulturës do të mundësojë zbatimin e programit të zhvillimit. Referuar vendimit, Ministria e Kulturës do të kryejë disa rikonstruktime në pjesë të ndryshme të pallatit. Ky model që do të zbatohet te Pallati i Brigadave është projektuar në bazën e disa modeleve menaxhimi në botë si Palazzo Pitti, Firence, Itali; Palazzo Strozzi, Firence, Itali; Versaja, Paris, Francë; Residenz München, Mynih, Gjermani.

Përmes vendimit theksohet se ky menaxhim do të bëhet në partneritet me një periudhë prej 20 vitesh, ku pala e interesuar duhet të ketë financimin e duhur dhe përvojën për rijetëzimin e këtij Ansambli. Po ashtu, në vendim specifikohet se “një konsideratë duhet pasur për mbikëqyrjen e aktiviteteve nga një bord profesionistësh të fushës, që kontrollojnë dhe garantojnë që të ruhen vlerat e monumentit”. Ky bord do të ketë në përbërjen e tij specialistë të menaxhimit, jurist, botanistë, historian dhe restauratorë të arkitekturës dhe do të shërbejë si një këshillues për menaxhimin.

Ndërkohë, pritet që një plan i tillë të ndryshojë edhe tarifat për lejimin dhe mundësimin e zhvillimit të aktiviteteve kulturore në mjediset e brendshme dhe të jashtme. Ansambli i ri do të ketë edhe funksion akomodues për personalitete shqiptare dhe të huaja, të cilët vijnë për vizitë në vendin tonë. Në vendim thuhet se ky menaxhim nuk do të cenojë vlerat historike dhe arkitekturore të monumentit, por do ta kthejë në një pikë tërheqëse turistike.

PJESË NGA VENDIMI PËR PLANIN E MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË ANSAMBLIT HISTORIK TË PALLATIT TË BRIGADAVE

Ansambli Historik i Pallatit të Brigadave menaxhohet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila duke qenë një institucion me vetëfinancim, nëpërmjet objekteve që administron, arrin të grumbullojë të ardhura në buxhetin e institucionit ku lëshimi i objekteve me qira për subjektet publike dhe private si dhe organizimi ai eventeve të ndryshme sipas kërkesës janë burimet kryesore të këtyre të ardhurave.

Sipas VKM-së nr.25 datë 29.03.2019, për të gjithë personat mund të ofrohen ture të Pallatit të Brigadave për ambientet e jashtme ose të brendshme sipas një kuote pagese për ata të cilët duan të zhvillojnë këtë vizitë. Paraprakisht personat të cilët duan të kryejnë këtë shërbim duhet të paraqesin kërkesën pranë DSHQ¬së, ku me pas do të kërkohet të kryhet pagesa në bankë përpara zhvillimit të turit. Gjatë fundjavës, parku i Pallatit të Brigadave është i lirë për t’u vizituar nga të gjithë ata të cilët dëshirojnë, pa pagesë.

Gjatë periudhës së Verës, Pranverës dhe ditëve të ngrohta të Vjeshtës, në parkun e Pallatit të Brigadave gjendet edhe një banak i cili është i hapur për të ofruar pije të ndryshme në mënyrë që vizitorët të shijojnë natyrën ndërkohë që edhe pushojnë. Sigurisht ky bar ofron pije kundrejt pagesës përkatëse të cilat kontribuojnë në buxhetin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, duke qenë një institucion me vetëfinancim. Ambientet e brendshme të Pallatit të Brigadave nuk janë të hapura për t’u vizituar gjatë fundjavës për arsye të sigurisë për këto ambiente si dhe orendive me vlerë që gjenden në to.

Gjithashtu lejohen vizitorë në rastin e përgatitjes së një seti fotografik për dasmë. Të interesuarit bëjnë një kërkesë në zyrën e Protokollit të DSHQ-së dhe kundrejt pagesës mund të lejohen të hyjnë në territoret e pallatit. Numri i lejueshëm i personave brenda kësaj pagese është 10 persona. Këto shërbime nuk përfshijnë ambientet e brendshme të Pallatit të cilat nuk lejohet të fotografohen dhe të bëhen subjekt fotografike për shkak të rëndësisë së objektit dhe sendeve me vlerë që ndodhen në të, të cilës i përkasin rëndësisë së veçantë dhe janë të ruajtura sipas protokolleve përkatëse. Duke parë këtë mënyrë të ofrimit të vizitave për publikun, kuptohet se Pallati i Brigadave kane një vizitueshmëri të ulët e të pamjaftueshme për të siguruar një të ardhur të mirë që të mund të financojë mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e tij.

Nga këto politika të deritanishme të menaxhuesve të Pallatit të Brigadave, kuptohet së publiku i gjerë është thuajse i përjashtuar nga mundësia për të vizituar pallatin në brendësi, dhe vetëm në 3 vitet e fundit, ka akses të kufizuar në parkun e tij. Përmendim që edhe në park një pjesë e zonave të tij, janë kufizuar me rrethime të përkohshme në mënyrë që të ndalohet hyrja në disa zona. Ndërkohë në lidhje me infrastrukturën vihet re mungesa e parkimit për vizitorë, mungesa e tabelave indikuese të lëvizjes, mungesa e ambienteve të shërbimit për vizitorët, mungesa e kujdesit ndaj shmangies së barrierave arkitektonike për persona me aftësi të kufizuara.

Në vijim të këtij SËOT-i, për qëllimin e që ky ansambël të hapet për vizitorë shqiptarë dhe të huaj, të restaurohet e të marrë funksione të reja, në harmoni me misionin e ruajtjes së tij, dhe të shndërrohet në një destinacion të paevitueshëm të Tiranës , propozohet: Rijetëzimi i AHPB-së në një destinacion elitar ndërkohë që Pallati ruan funksionet e tij aktuale. Është e nevojshme të sqarohet se termi rijetëzim në këtë kontekst, nuk i referohet përdorimit që ka në Ligjin Nr.27, Datë.17.05.2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, por kuptimit primar që ka në literaturën e trashëgimisë kulturore, “plotësimi i një diçkaje me jetë dhe veprimtari të reja”: – AHPB-ja vazhdon të ruajë funksionin e tij zyrtar dhe të pazëvendësueshëm në Shqipëri si një vend për pritje dhe ceremoni shtetërore. – AHPB-ja zhvillon vizitueshmërinë e tij duke u shndërruar në destinacion elitar, i krahasueshëm me Pallatet Mbretërore në kryeqytete të ngjashme.

Për t’u arritur ky qëllim, AHPB ka nevojë të restaurohet, të përgatisë të paktën një tur të brendshëm të pallatit, një tur të kopshteve dhe të ketë një sallë për ekspozita tematike. Detaje të mëtejshme do të paraqiten se si do të arrihet kjo pikë e rijetëzimit.

– AHPB-ja lejon dhe mundëson zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe rikrijuese si në mjediset e brendshme dhe të jashtme, kundrejt tarifave të rishikuara dhe të miratuara, të cilat mund të organizohen nga organizata të tjera qeveritare, ente publike dhe private, organizata jo-fitimprurëse, kompani ose individë. Numri i pjesëmarrësve dhe llojet e aktiviteteve, duhet të jenë të tilla që të mos prekin integritetin fizik të AHPB-së, florën e kopshteve të AHPB-së dhe sidomos imazhin e AHPBsë si një destinacion elitar.

Të tilla aktivitete mund të jenë, ekspozita, simpoziume, aktivitete kulturore (shfaqje teatrale me një numër të përcaktuar pjesëmarrësish), xhirime të filmave artistikë, sfilata apo dhe koncerte. – AHPB-ja mundëson dhe lejon organizimin e aktiviteteve edukative-didaktike, kundrejt tarifave të rishikuara dhe të miratuara (mund të ketë dhe raste shumë të rralla që përjashtohen nga tarifimi), të tilla si studime të AHPB-së dhe kopshtit të tij, kërkime shkencore të cilat rrisin njohuritë mbi AHPB-në etj.
– AHPB mundëson dhe lejon mikpritjen për një periudhë të shkurtër disa ditore të personaliteteve, shqiptarë apo të huaj të ftuar nga Qeveria Shqiptare apo nga institucione të rëndësishme shtetërore.

Duke pasur parasysh që mikpritja është një shërbim që ka nevojë për shumë kushte specifike, ky nuk është një rekomandim parësor për rijetëzimin e AHPB-së.
– AHPB-ja zhvillon hapësirën natyrore që ka, Parkun e AHPB-së dhe në varësi të interesit të partnerëve të ndryshëm, mund të ofrojë shërbime për vizitorët aty (kafene apo brasserie me impakt minimal në mjedis).

Forma të tjera të përdorimit të AHPB-së, të paparashikuara në këtë dokument, mund të lejohen si pjesë e rijetëzimit të AHPB-së, vetëm nëse, pas shqyrtimit të tyre, sigurohet që nuk preket integriteti fizik dhe reputacional i AHPB-së.

Vila që ne trashëgojmë, si u ndërtua kompleksi mbretëror

“Pallati i Brigadave është një sit i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore në qytetin e Tiranës, fryt i arkitekturës së mrekullueshme të viteve 1930-40. Por historia e tij lidhet ngushtë me kërkesën e Ahmet Zogut për të pasur një Pallat dedikuar atij dhe familjes së tij.

Ndaj që në Planin e Parë të zgjerimit të Tiranës në vitet 1925-1927, të hartuar nga arkitekti italian Armando Brasini, kur Zogu ishte president, hidhet ideja e vendosjes së një Pallati Presidencial në fund të Bulevardit të Ri, i cili do të mbushte ballinën fundore të këtij Bulevardi, pra aty ku sot ndodhet Universiteti Politeknik i Tiranës.

Kompleksi mbretëror përbehej nga 3 ndërtesa: Pallati Mbretëror, Vila e Princeshave dhe Vila Mbretërore. Kompleksi Mbretëror në volumetri dhe ne gjuhë arkitektonike ndryshonte nga ai i paraqitur më parë nga Brasini, nga i cili u mbajt vetëm ideja e pozicionit të këtij kompleksi. Gjuha arkitektonike e përdorur ishte e ngjashme me atë të ministrive ne sheshin “Skënderbej”, pra një gjuhë neoklasike eklektike. Varanti i fundit i paraqitur prej tij mban vitin 1936.

Për shkak të financave të mëdha që kërkonte ky kompleks, Ahmet Zogu vendosi të ndërtojë fillimisht Vilën Mbretërore, pra atë që ne trashëgojmë. Zogu e sposton kompleksin mbretëror në fillim të vitit 1937 në majën e kodrës së Mulletit, me 1.2 km ne vijë ajrore në krahun lindor nga pozicioni ku Florestano Di Fausto e pat pozicionuar. Këtë herë Zogu ja beson projektin e tij Giulio Bertë, një tjetër arkitekt Italian prezent në Shqipëri, i cili në atë moment ishte eksponenti teknik më i lartë në Shqipëri në fushën e ndërtimit.

Gazeta Panorama