Zbulohet skuadra e killerave që sulmoi Durim Bamin, donin të vrisnin dhe Hamza Tërziun. – Burrin e Saida Dollanit e rrahu Fabio Ballabani
Nga Elton Qyno
“Ora News” zbardh emrat e tre personave që kanë marrë pjesë në mënyrë direkte në teren për të vrarë në muajin nëntor 2020, Durim Bami.
Ashtu siç raportuam një ditë më parë, tre personat e veshur si policë nga Ervis Martinaj, për të vrarë Durim Bamin janë, Marklen Haka, Albert Zaja dhe Tori Xheçuka. Pjesë e grupit që u mundua të vriste Durim Bamin, është dhe Florenc Kelmendi alias Toçi.
Këta katër persona në bashkëpunim me Emiljano Shullazin, Ervis Martinaj kanë akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ngritur pritën për të vrarë, Durim Bamin, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri.
Të gjithë personat akuzohen për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, Grup Kriminal dhe mbajtje pa lejë të armëve.
Veç akuzës së vrasjes me paramendim mbetur në tentativë, ndaj Shullazit rëndojnë akuza e futjes së sendeve të palejuara në ambjentet e burgut 313 dhe akuza e rrahjes brutale të bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani.
Për rrahjen e tij SPAK ka shpallur në kërkim Fabio Ballabanin alias Fabio Zyberaj alias Ivi Zyberaj.
Gazetari Elton Qyno, ka mundur të zbulojë se Albert Zaja, Edison Muceku, Tori Xheçuka, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa kanë kryer veprime për të siguruar kushtet dhe mjetet me qëllim vrasjen e shtetasit, Hamza Tërziu.
Për sigurimin e kushteve me qëllim vrasjen e Durim Bamit akuzohet dhe një personazh tjetër i botës së krimit, siç është Jozi Kraja, Astrit Avdyli, Aldo Avdyli, emra këta që dyshohet disa vite më pas kanë kontribuar në ekzekutimin dhe zhdukjen e Ervis Martinaj
Kontribut për të siguruar kushtet e vrasjes së Durim Bamit, sipas SPAK, ka dhënë dhe Nazmi Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i cili ka dyshuar gjithnjë se Durim Bami ka marë pjesë në vrasjen e dhe zhdukjen e Stafukës.
Dy emra të tjerë që kanë kontribuar në goditjen e Durim Bamit duke krijuar kushtet për të realizuar vrasjen janë, Blerim Abazi dhe Elvis Ndreca.
Veç tentativës për vrasjen e Bamit, Ervis Martinaj akuzohet për sigurim i kushteve për të vrarë, Leonard Dukën, Fatmir Hysenin, Elvis Gaçaj, Altin Gegën. Për Gaçaj Martinaj mësohet se ka kontraktuar Gjergj Cukalin.
Sipas dosjes hetimore, plot 13 plumba automatiku janë derdhur mbi automjetin “Range-Rover” me targa italiane, që drejtohej nga Durim Bami, por ekzekutimi i këtij personi, sërish nuk është arritur të kryhet nga kundërshtarët.
Bami, fatmirësisht ka mundur të shpëtojë pa pasur asnjë lëndim, megjithëse në makinën që ai drejtonte janë futur 6 predha kallashnikovi, ku njëra prej tyre ka plagosur në krahun e djathtë djalin e hallës së Bamit, Ervin Kodrën.
“Ora News” zbulon të plotë atë që ndodhi lidhur me atentatin e datës 4 nëntor, ku tre persona që besohet se kanë qenë të veshur si policë, kanë tentuar të vrasin me armë zjari, Durim Bamin nga Nikla, njërin nga personat më të njohur të botës së krimit në vend.
Ky i fundit ishte duke drekuar në fshatin Qerek me kushëririn e tij, ku pasi kanë mbaruar drekën në një lokal afër Rinasit, kanë vendosur të kthehen në Fushë-Krujë.
Por në ecje e sipër, makina me targa italiane “Range-Rover”, që drejtohej nga Durim Bami, është qëlluar me breshëri automatiku, plot 13 herë. 6 predha kanë prekur pjesë ballore të automjetit, i cili është qëlluar në lëvizje e sipër. Ndërkohë makina tip “Golf 5” e autorëve ka qenë e parkuar në rrugë.
Goditja ka qenë shumë e mirëorganizuar dhe dyshohet se Durim Bami, është mbajtur në vëzhgim për një periudhë kohe, duke organizuar pritën kundër tij, pikërisht në vendin e quajtur ura e Tapizës.
Në rrëfimin e të plagosurit Ervin Kodra, thuhet se Durim Bami, ka mundur të manovrojë me shpejtësi makinën, duke hyrë në anën tjetër të rrugës dhe më pas të përplaset në murin rrethues të një biznesi që merret me tregtimin e mermerit.