Zbulohet vendi i shenjtë 2600-vjeçar në Romë, mendohej se ishte varri i mbretit që themeloi qytetin
Zbulohet vendi i shenjtë 2600-vjeçar në Romë, mendohej se ishte varri i mbretit që themeloi qytetin
23 shkurt 2020
Një varr i lashtë që besohet se ishte edhe “banesa e fundit” e Mbretit legjendar të Romës, Romulit, është zbuluar për publikun për herë të parë, përmes fotografive.
Edhe pse specialistët konfirmuan se nuk bëhet fjalë për varrin e themeluesit të qytetit “të përjetshëm”, ata thanë se objekti, i cili daton në shekullin VI para erës sonë, ishte një varr ku romakët e lashtë adhuronin kultin e tij.
“Nuk bëhet fjalë për varrin e Romulit, por më tepër për një vend ku kulti i tij festohej”, thotë Alfonsina Russo, drejtore e Parkut Arkeologjik të Koloseut. Megjithatë, kur pyetet nga gazetarët nëse Romuli ka ekzistuar vërtet, ajo thotë: “Sigurisht që legjendat kanë një bazë të vërtetë dhe unë jam e bindur që qyteti ka një themelues. Ky është një zbulim i rëndësishëm sepse u rizbulua pas 120 vitesh. Është një emocion i madh”.
Për momentin vendi nuk mund të vizitohet nga njerëzit, për shkak të punimeve, që pritet të vazhdojnë edhe për 2 ose 3 vite, sipas Russo-s.
Varri u zbulua në zonën e Forumit Roman por brenda tij nuk u gjetën kocka apo ndonjë mbishkrim për të vërtetuar teorinë se ishte zbuluar varri i Mbretit themelues.
Sipas legjendës, Romuli dhe vëllai i tij Remi mendohet se kanë lidhje me princin trojan Enea, por edhe Perëndinë romake të luftës, Marsin.
Kur lindën, Amuliu, një rival i gjyshit të tyre, Mbret i Alba Longa, një qytet i lashtë në zonën e Lacios, mori fronin dhe urdhëroi që dy binjakët të hidheshin në lumin Tiber.
Legjenda thotë se ata u gjetën nga një ujkonjë që i ushqeu me qumështin e saj. Kur u rritën ata zbuluan të vërtetën dhe rrëzuan Amuliun për të rivendosur në fron gjyshin e tyre Numiutor.
Më pas vendosën të themelonin një qytet të ri, por pas një konflikti Remi vdiq, i vrarë nga i vëllai, Romuli, ose ndjekësit e tij.
Vdekja e tij mbetet mister, sikurse edhe themelimi i qytetit të ri, Romës.
Romuli mendohet se udhëhoqi si Mbret për 37 vite, deri sa u zhduk papritur.
Sipas legjendës ai u vra nga senatorët.
Një version thotë se trupi i tij u gjymtua ndërsa një tjetër se u ngrit në parajsë falë Marsit.
Gazeta Dita