Zef Deda: – Arti po degradon, Tirana pa teatër e shtëpi kulture, në krye të Ministrisë së Kulturës emërohen njerëz që s’kanë lexuar një libër
Zef Deda: – Arti po degradon, Tirana pa teatër e shtëpi kulture, në krye të Ministrisë së Kulturës emërohen njerëz që s’kanë lexuar një libër
15 QERSHOR 2020
Për artin dhe kulturën duhet alarm nga institucionet, sepse nuk po vlerësohen dhe njerëzit që japin për të. Kështu shprehet aktori i njohur i humorit Zef Deda për problemet, që po kalon jeta artiske në vend. Në intervistën për “SOT” aktori Zef Deda “Mjeshtër i Madh”, shprehet se është e padrejtë që për jetën artistike ka kaq pak vëmendje nga shteti. Një turp e quan aktori Zef Deda shembjen e Teatrit Kombëtar, që sipas tij duhej të ishte ruajtur. Për aktorin ndërsa në botë teatrot e vjetër i ruajnë dhe i mirëmbajnë, sot në Tiranë nuk ka më një Teatër Kombëtar. Me problemet që përballen sot artistët, aktori Zef Deda pohon se kemi një Ministri Kulture që është e dobët dhe sipas tij në vendin tonë arti dhe kultura nuk stimulohet. Për aktorin buxhetet janë të pakta dhe për krijimtarinë, ku autorët duhet të kenë më shumë vlerësim. Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Ai gjithashtu gjatë këtyre viteve ka interpretuar në komedi të suksesshme si “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, “Lufta dhe paqja pa pilaf…”, etj. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai ka realizuar qindra figura artistike.
-Si kanë kaluar ditët gjatë kësaj kohe?
Unë jam një tip shumë i gjallë edhe pse kam pasur pak probleme shëndetësore, por kur erdhi kjo kohë me pandeminë sigurisht që kam ndjekur dhe këshillat e mjekëve, të OBSH, që kanë thënë të rrimë brenda, të bëjmë kujdes, etj. Unë kam qëndruar dhe kam zbatuar këshillat e mjekëve gjatë kësaj kohe, kam qenë i bindur për çfarë kanë thënë. Për pandemitë duhet patjetër të mbahet karantinë, megjithatë edhe për gjendjen që kam unë duhet të rrija në shtëpi. Por kam dalë pak poshtë pallatit sipas kohës që mundeshim. Kam dalë të blej diçka, por shumë pak. Tani masat kanë filluar të hapen, por po shikoj që po bëhen disa gabime, sikur jemi hapur pak si rëndë. Nëse janë hapur vendet duhet të mbahet edhe një farë rregulli.
-Disa ditë më parë iu bashkuat protestës të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit para teatrit “Migjeni” në Shkodër. Çfarë humbi jeta artistike me shembjen e tij?
Ne kemi një histori të ndikuar fort nga politika dhe udhëheqësitë e ndryshme, që në kohën e lashtë kjo. Ne kemi ndërtime dhe nga romakët e ilirët e vjetër dhe janë ruajtur disa. Por tek ne vjen një politikë në kohë të monizmit, që thotë shembe këtë dhe atë, prishe këtë e atë, por ato objekte si një xhami apo një kishë nuk është ndërtuar thjesht për shkak të fesë, por dhe për të mbajtur dhe nocionin gjallë, karakterin gjallë, tipin gjallë, ka objekte edhe për të mbajtur dhe shqiptarin gjallë. Pra historia e një kombi varet dhe tek një objekt i kultit, varet tek një objekt i artit. Dhe ajo ishte një fatalitet i jashtëzakonshëm për me iu nënshtruar oligarkëve, hajdutëve, mafiozëve të ndërtimeve, që nuk e kanë idenë se çdo të thotë qytetërim i pastër dhe i bukur dhe i integruar në Europë dhe botë, por dhe i mbështetur tek tradita e jashtëzakonshme e sidomos e atij teatri. Sa mirë është për shembull xhamia midis Tiranës, sa mirë që ajo u ruajt. Nuk po them vetëm për një xhami që është objekt kulti, por janë dhe tërë ato ministri që janë ndërtuar që në 1939. Janë bërë mjaft të bukura. Jo se ishin të fashizmit, por të mbahen si ndërtesa. Kurrë shteti jonë nuk ka bërë gjë. Tani pasi iu doli qejfi i Bllokut po kalojnë te teatri. Mendojnë për të bërë kulla aty dhe një teatër të vogël. Në atë që thuhet se do ndërtohet nuk ka asgjë për artin skenik. Nga ai Teatër Kombëtar dolën gjithë ata korifenj të jashtëzakonshëm nga më të vjetrit e deri te Ndriçim Xhepa, Arben Derhemi, etj. Pra që nga të vjetrit dhe duke ardhur te më të rinjtë kanë bërë një epokë ata aktorë, regjisorë dhe skenografët, që kanë mbajtur artin lart. Ata furnizuan edhe ekranin dhe e bënë ekranin shqiptar të fortë dhe të fuqishëm, e bënë jashtëzakonisht të pëlqyer nga populli. Aty ka luajtur Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Margarita Xhepa, Prokop Mima, Kadri Roshi, etj.
-Ju keni qenë në teatro të ndryshëm jashtë vendit, si mbahen dhe ruhen këto institucione?
Unë kam hyrë në teatro të ndryshëm të botës. Teatrot që kanë vite e vite që janë ndërtuar aty i mbajnë dhe nuk i luan kërrkush, madje më mirë të hysh në ato teatro të vjetër që i mbajnë dhe ka privilegj, se sa te një ri që është bërë më pas. Shkoni në Milano keni La Scala mbi 400 vjet, shkoni në Angli keni teatrin e Shekspirit. Ata i mbajnë dhe i ruajnë dhe nuk guxojnë ta prekin. Pse? Sepse është teatri i Shekspirit. Kemi teatër në Romë, teatri i Varshavës etj. Edhe teatri jonë ka bërë namin, është i mrekullueshëm, ra edhe tërmeti asgjë se gjeti. Por është gjë tjetër që qeveritë e lanë pa riparuar, por teatri duhej ruajtur. Nuk mund ti them askujt apo dhe tim biri, me dalë në rrugë ku është shemb teatri dhe t’i tregoj me dorë në tokë këtu ka luajtur i madhi Ndrek Shkejzi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, etj, të gjithë aktorët e mëdhenj. Të kenë trup ata që e shembën. Ka pas teatri dy salla brenda, një sallë ka qenë për prova. Turp që se rregulluan atë dhe ta mbanin në këmbë, që ne të krenoheshim që kemi teatër dhe do të kemi çdoherë. A doni me ditur kush është Tirana sot? Tirana sot nuk ka Teatër Kombëtar, nuk ka Opera sepse ajo që kanë riparuar vetëm e kanë lyer e stukuar dhe kanë harxhuar 1 miliard lekë. Me kaq para do të thotë të bësh tre salle opera me tërë teknikën, që ka brenda. Tirana nuk ka shtëpi kulture, si më parë. Estradën e bënë mizerabël, iku dhe ajo. Kultura dhe arti është ta mbash njeriun këtu. Çfarë ti mësosh fëmijës kur s’kemi më si më parë ato institucione të artit. Ka pas artistë të mëdhenj, që kanë thënë duam teatër të ri, por ata nuk kanë thënë të shembet i vjetri, por i ka manipuluar politika. Të gjithë janë të ndërtohet teatër i ri, por jo të prishësh të vjetrin. Lum Tirana që të ndërtohet jo një teatër i ri, dhjetë të ndërtohen të rinj dhe të bukur, por është turp që shembet i vjetri.
-Ju jeni jo pak kritik me çfarë ka ndodhur në jetën artistike, si e shikon Ministrinë e Kulturës?
Asnjë prej ministrive tona nuk ka pasur njerëz të aftë, që të jenë ekzigjent, të fuqishëm, intelektual të artit dhe kulturës, që ta zhvillojnë ministrinë e tyre për hatër të popullit, kulturës e rinisë sonë. Vetëm në sistemin monist qenë interesuar me bërë art dhe kulturë, duhej të plotësonte dhe vijën e partisë, por ama aktivitete janë bërë. Ne kishim estradat ato vite që kanë pas aq shumë aktivitet, humor. Kemi bërë skeçe edhe si ai “Kunati i shokut Xhemal”, për ata që përfitojnë nga pushteti. “Kunati i shokut Xhemal” shkruar nga mjeshtri Paulin Selimi është një risi e asaj kohe, sepse kritikonte disa marrëdhënie, komedia kritikonte lart. Si sot që sa vjen një parti në pushtet vendos në punë njerëzit e saj. Sa vjen partia tjetër në pushtet i heq këta njerëz dhe vendos njerëzit e vet. Ndaj dhe komedia “Kunati i shokut Xhemal”, ku unë luaja rolin e Lonit është aktuale edhe sot. Komedia u mirëprit shumë nga publiku ato vite, në mënyrë të jashtëzakonshme. Po sot sa bëhet për artin? Ministria e Kulturës jo vetëm kjo që është sot por dhe që kanë qenë, si e ka emrin, a njihet kush, kush është drejtor, kush është ministër? Vihen aty ministra njerëz që nuk kanë lexuar një libër, se njohin fare. Mbase kanë lexuar ndonjë gjë për artin, por nuk e kanë idenë. Për artin dhe artistët është një sulm i jashtëzakonshëm për ta thyer. Arti dhe kultura nuk ndihmohet. Artisti është i nëpërkëmbur, është njeriu më i varfër. Unë jam 70 vjeç dhe kur kaloj në rrugë të gjithë më respektojnë, të gjithë i duan artistët dhe kur dëgjojnë që askush nuk i ndihmon artistët është turp. Projektet duhet me i drejtuar shteti jo individi, ministritë tona janë të dobëta. A je ministër? Po. Për artin dhe kulturën të jepen paratë atëherë çoje artin lart, çoje librin lart, bandën lart, të tërë forcat. Një komb pa art, kulturë dhe pa arsim është i mbytur, i destinuar për të vdekur, por dhe injorant. Është turp kjo që ndodh. Për artin dhe kulturën duhet alarm, jo të bëhen kulla e beton. Arti dhe kultura ka mbaruar, sepse nuk vlerësohen edhe njerëzit që japin për të. Por arti dhe kultura duhen aktivizuar në vend, i japin jetë këtij vendi, i japin frymë, i japin kurajo popullit.
-Më herët ju jeni shprehur se krijimtaria nuk paguhet sa duhet. Si ndikon kjo?
Për çdo vit merret një dramë me atë fond që është, vihet premierë një herë, 2-3 shfaqje në skenë dhe kaq. Ndërsa kur vihet shfaqje estrade mbushet salla, se duan njerëzit humor dhe këngë. Por vijnë drama të dobëta, derisa paguhet dobët. Një dramë nëse paguhet 800 mijë lekë nuk mund të shkruhet mirë. Krijimtaria duhet paguar, që të jetë e mirë. Por shteti nuk ka para të paguajë autorin. Nëse jepen para për projektin, duhet ti rrish mbi krye se si po shfrytëzohet 5 lekëshi i projektit. Pra shteti ato para që jep duhet ti kontrollojë edhe se si përdoren. Tek ne projektet vidhen.
-Ministria e Kulturës sipas jush sa duhet ti ndihmojë teatrot në rrethe edhe pse varen nga bashkitë?
Ministria e Kulturës me kryeministrinë është pronari. Bashkisë i lënë teatrin, e ke në territorin tënd shfrytëzoje. Bashkia shiti biletat, paratë shkojnë në thesar sa është fituar. Ministria e Financave dhe kryeministria i jep bashkisë x buxhet për artin. Nuk ka të drejtë bashkia ta mbajë e shfrytëzojë vetë sa të dojë nga ajo që merr, sepse nëse është pronari bashkia atëherë bëhet laçanishte shteti. Por sigurisht, që shteti duhet të ndihmojë shumë më tepër artin dhe teatrin edhe në rrethe nga sa bëhet sot. Situata është tepër e vështirë prej vitesh për artistin dhe artin në vend.
Intervistoi: Julia Vrapi
Gazeta Sot