Zef Preçi: Aksioni anti-informalitet, favorizohen oligarkët

24/08/19

Gazeta  mapo.al

Aksioni anti-informalitet nga ana e qeverisë nisi me bizneset e vogla, për të vijuar edhe me mallrat e akcizës, ku janë proceduar edhe kompani të naftës. Përse është marrë ky aksion, për shkak të mungesës së të ardhurave, apo biznesi po i shmangej gjithnjë e më shumë detyrimeve?

Duhet pranuar që në fillim se gjatë 4-5 viteve të fundit, politikat fiskale të qeverisë kanë ndryshuar shpesh dhe janë sunduar nga voluntarizmi; janë ndërmarrë politika favorizuese për oligarkët (siç ishte ulja e tatimit mbi dividentin nga 15% në 8% me efekt prapaveprues); është shfaqur tendenca e rëndimit të peshës së tatim-taksave mbi punën më shumë se mbi kapitalin etj. Ajo që të bie në sy, duke përfshirë edhe autoritetet përgjegjëse për grumbullimin e tatim-taksave (të cilat presupozohet se duhet të flasin me gjuhë profesionale), është përdorimi i pavend i fjalëve “aksion” dhe “luftë kundër informalitetit”. Pas tri dekadash të ndryshimeve sistemike të 1990-s, varfëria e fjalorit të zyrtarëve të lartë të qeverisë në fushën fiskale është dëshmi e mentalitetit të prapambetur, e metodave primitive të vjeljes së tatim-taksave shumë larg pritshmërive dhe përvojave të qeverisjes së mirë që ofron Europa demokratike. Kështu, “aksioni” për të cilin ju pyesni, në vend që të ishte një veprimtari normale, e përditshme e administratës tatimore, një marrëdhënie normale larg tensioneve dhe bujës mediatike, shantazhimit të firmave dhe nxjerrjes së dhunshme të detyrim buxhetore, për fat të keq përsëritet herë pas here, ndoshta sipas humorit të kryeministrit a të ndonjë zyrtari tjetër të lartë të qeverisë. Në fakt, në këtë mënyrë – pra me “aksion” – vetëm të ardhurat buxhetore nuk mund të rriten dhe as informaliteti nuk mund të reduktohet. Ajo që nuk po kuptohet ende është se infomaliteti, sidomos në bizneset e vogla, bizneset familjare si dhe në vetëpunësimin, më shumë se dëmton arkën e shtetit, ndihmon për mbijetesën ekonomike të një pjese të konsiderueshme të familjeve shqiptare; se rezervat me të mëdha në taksat e fshehura apo në detyrimet për sigurimet shoqërore të papaguara janë në bizneset e mëdha; se një pjesë e mirë e elitës politike drejtuese të vendit, duke ardhur nga komuniteti i biznesit, është e zhytur në konflikt interesi dhe jo vetëm që ka ndërmarrë e po ndërmerr akte ligjore në favor të grupeve të caktuara edhe/ose të bizneseve individuale, por edhe po pengon vjeljen e taksave sipas ligjit; se reduktimi informaliteti është një proces historik dhe jo një moment etj. Shpallja e “luftës” nga qeveria vetëm kur nuk realizohet plani i të ardhurave buxhetore nuk bën gjë tjetër veçse frenon investimet dhe krijon një klimë të pafavorshme ndaj biznesit në përgjithësi sidomos atij të huaj, por edhe penalizon padrejtë të punësuarit, të cilët në mjaft raste kanë humbur vendet e punës për këtë shkak. Kështu, bllokimi kohët e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave e llogarive të 26 mijë bizneseve si dhe të llogarive personale të administratorëve të tyre duhej të alarmonte shoqatat e biznesit dhe të nxiste dialogun midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit për situatën e krijuar. Është e vërtetë se ngarkesa fiskale në vendin tonë është e krahasueshme me vendet e rajonit, por këtu nuk llogaritet kostoja e lartë dhe në rritje e korrupsionit. Personalisht kam bindjen se shmangia nga taksat, më shumë se një prirje natyre e njeriut, reflekton deformimet që vijnë nga ndërhyrjet e klasës politike në jetën ekonomike të bizneseve, cenimin e konkurrencës dhe korrupsionin e gjerë në këtë fushë. Mjafton një kompani në të cilën shteti është akoma aksioner me 15 për qind të aksioneve (ARMO) për të kuptuar shkallën e lartë të deformimeve dhe të evazionit që krijohet për këtë shkak.

Vitin e kaluar qeveria futi në skemën e TVSH-së bizneset e vogla, duke ia ulur pragun nga 5 në 2 milionë lekë, a mendoni se kjo ishte një nismë e gabuar, pasi të dhënat tregojnë se në mbledhjen e TVSH-së ka pasur rreth 13 % ulje krahasuar me një vit më parë.

Në vlerësimin tim, mungojnë të dhënat e plota rreth efekteve të kësaj politike. Sepse nuk është bërë e qartë që në fillim se çfarë synohej përmes saj. Nëse synohej që të ulej kostoja e të bërit biznes nga ky segment i biznesit, mendoj se nuk ia ka arritë qëllimit. Apo nëse synohej që të ulej evazioni te biznesi i madh, kjo nuk është arritur dhe as që duhej pretenduar prej tij. Ndoshta ka vlejtë për efekte propagandistike dhe elektorale, por unë mendoj se shkaku kryesor duhet kërkuar në mungesën e edukimit fiskal, të përgatitjes së nevojshme që duhet të shoqëroje politika të tilla. Ndërsa ulja e mbledhshmërisë së TVSH-së meriton një analizë më të thelluar dhe evidencimin e të gjithë faktorëve duke filluar me volumet e qarkullimit të mallrave, e dinamikën e konsumit dhe strukturën e tij, si dhe me format e ndryshme të evazionit fiskal. Por kurrsesi nuk besoj se kjo duhet lidhur mekanikisht me një masë të diskutueshme favorizuese për një segmentet të rëndësishëm të biznesit si është biznesi i vogël.

A ka sjellë efektet e duhura aksioni anti-informalitet dhe si është përkthyer kjo në rritjen e të ardhurave, të paktën për muajin korrik ku edhe nisi? Në gjykimin tuaj është një fushatë pak javore që synon më shumë sensibilizim dhe “shfaqje mediatike”, apo një nismë serioze që synon formalizimin e biznesit?

Në vendet normale demokratike, secili institucion publik, duke përfshirë edhe tatim-taksat, përmbush detyrimet e veta sipas ligjit dhe jo të keqpërdoret vetëm policia e shtetit për gjithçka, sikurse po ndodh gjatë këtij “aksioni” në mes të stinës së turizmit. Nuk e teproj të them se në kushtet e rënies së mbështetjes publike ndaj qeverisë, siç u provua nga votimet monopartiake të 30 Qershorit, aksione të tilla, përveçse përbëjnë “show-n mediatik” të radhës, shndërrohen lehtësisht në mjete presioni korruptiv mbi biznesin për grumbullim fondesh për fushatën e afërt elektorale. Që të përkthehet në rritje të të ardhurave buxhetore, është e nevojshme që qeveria të heqë dorë nga kërcënimet e kreut të saj ndaj bizneseve, që institucionet e saj të dialogojnë hapur dhe me përgjegjësi me komunitetin e biznesit që po vuan më shumë se kurrë mungesën e barazisë para ligjit.

Për shtatëmujorin e parë ekonomia u rrit me vetëm 2.2 % krahasuar me 4.3 % që ishin parashikimet. Përse kjo ulje. Ku është përqendruar ekonomia shqiptare dhe a po investohen paratë publike në sektorë që mund të sjellin ndikim pozitiv në ekonomi?

Ajo që mund të thuhet është se ngadalësimi i rritjes ekonomike lidhet me peshën shumë të lartë të sektorit informal dhe kriminal të ekonomisë, me praninë e shumave kolosale të parave që vijnë nga aktivitete kriminale, siç është droga dhe trafikimi i saj. Ky ngadalësim lidhet me ineficiencën e investimeve publike, me investimet në vepra periferike dhe kryesisht me natyrë elektorale që nuk krijojnë vende të reja pune, që nuk nxitin sipërmarrjen e lirë dhe rritjen e fuqisë konkurruese dhe eksportuese të ekonomisë sonë kombëtare, me përqendrimin e këtyre fondeve në pak duar oligarkësh dhe kompanish kliente të qeverisë, si dhe mungesën e besimit dhe të shpresës si nga konsumatori ashtu edhe nga vetë komuniteti i biznesit. Në vlerësimin tim, kapërcimi i kësaj situate lidhet ngushtë me përmirësimin e klimës së biznesit, me korrigjimin sa më të shpejtë politik, ligjor dhe institucional të ndikimit të oligarkisë në jetën ekonomike të vendit, me ndërprerjen dhe sjelljen në binarët e ligjit duke ndëshkuar pa mëshirë ideuesit dhe përfituesit e të ashtuquajturit Partneritet Publik-Privat, përmes të cilit borxhi publik është shndërruar në “Shpatën e Damokleut” për ekonominë tonë kombëtare dhe integrimin Europian të vendit. Është parimisht e gabuar dhe praktikisht e përkohshme kjo politikë fiskale represive që ndjek qeveria e shprehur ne “aksionet” e saj ndaj konsumatorit dhe biznesit në emër të mbledhjes së taksave. Vetëm rritja e cilësisë dhe ulja e kostos sëbashku me edukimin fiskal e bën biznesin të interesuar për të paguar taksa, ndërsa për qytetarët nevojitet një ndryshim i thellë i mentalitetit nga ana e vetë qeverisë.