Zëri i Amerikës: – Tensionet në PD, deputetët e Berishës i gjejnë mbyllur dyert e selisë
Zëri i Amerikës: – Tensionet në PD, deputetët e Berishës i gjejnë mbyllur dyert e selisë
5 JANAR 2022
Në Shqipëri, vijojnë tensione në Partinë Demokratike. Një grup deputetësh mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha i gjetën sot të mbyllura dyert e selisë, ku siç deklaruan kishin shkuar për të zhvilluar një mbledhje. Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi shpjegoi se në seli po kryhen punime, dhe se çdokush mund të hyjë duke njoftuar më parë administratën. Përplasjet vijnë në një kohë kur mbështetësit e zotit Berisha kanë thirrur një manifestim në datën 8 Janar, ditë në të cilën siç shprehen, demokratët do të marrin në kontroll shtëpinë e tyre. Por nga ana e tij dhe zoti Bardhi, foli për demokratë që i kanë dalë zot selisë gjatë gjithë këtyre viteve, duke paralajmëruar se kush nxit akte dhune nuk do ja arrijë qëllimit.
Dita e sotme shënonte afatin të cilin mbështetësit e zotit Berisha i kanë lënë kryetarit Lulzim Basha për të liruar selinë e Partisë Demokratike. Data 8 Janar është njoftuar si dita kur ata kanë thirrur një protestë në selinë e partisë, kundër zotit Basha të cilin ata e konsiderojnë të shkarkuar nga drejtimi i forcës kryesore të opozitës.
Ndërsa një ditë më pare, të dy palët shkëmbyen replika të ashpra, të nxitura nga ndërhyrjet që zotit Basha ka nisur në godinën e selisë, sot një grup deputetësh, përkrahës së zotit Berisha shkuan në seli, për të zhvilluar, siç thanë, një mbledhje. Në fakt, shfaqja e tyre, ngjante më tepër një pëpjekje për të mbajtur gjallë tensionin e brendshëm e se ultimatumi mbetej në fuqi, si dhe për të dëshmuar se kishin patur të drejtë kur akuzuan zotin Basha se po blindon selinë e parties, duke e krahasuar me ish burgun famëkeq amerikan Alkatraz. “Gjithshka e mbyllur, të gjitha dyert e mbyllura, gjithshka e blinduar, a thua se e ka kthyer PD në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme, kjo është e neveritshme”, deklaroi deputeti Flamur Noka.
Por sipas Sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Bardhi e gjitha ishte një show mediatik, sepse “në godinën e Partisë Demokratike, në ambientet e brendshme të saj, janë duke u kryer punime dhe ky është një fakt i njohur publik, që nuk ka nevojë me ardh dhe me trokit në dyert e Partisë për ta provuar”
Zoti Bardhi megjithatë i ashpërsoi më tej tonet kur tha se “selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë, është dhe do të vijoj të jetë e hapur për çdo demokrat të sakrificave dhe që punon me mund dhe djers për Partinë Demokratike dhe do të jetë gjithmonë e mbyllur për çdo trafikant droge që në çdo shëtitje në selinë qendrore të Partisë Demokratike ka qenë krah Sali Berishës dhe mbështetësve të tij”.
Edhe më parë ata kanë akuzuar zotin Berisha lidhur me të kaluarën kriminale të disa prej personave që e kanë shoqëruar atë dhe mbështetësit e tij, siç ishte dhe rasti i atij që shqeu derën e një nga sallave të partisë pak javë më parë.
Por, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë kësaj kohe, zoti Berisha dhe përkrahësit e tij janë të sigurt se qëndrimi i zotit Basha në seli, i ka sipas tyre , ditët e numëruara: “Deri më sot ka patur afat për të zbatuar parimin numër 1 të demokracisë, votën dhe verdiktin e shumicës. Në datë 8 janar, sovrani do ta kthej këtë godinë, nga Alkatraz, në shtëpi lirie”, paralajmëroi deputeti Noka.
Por ndonëse ai foli për mënyrë paqësore, zoti Bardhi kujtoi se nga kolegët e tij që janë në krah të zotit Berisha nuk ka munguar gjuha e dhunshme dhe se në datë 8 janar do jenë po demokratët në mbrojtje të godinës së partisë. “Ne nuk do të kërkojmë mbrojtje nga policia. Kësaj godine, edhe në të shkuarën, I kanë dalë për 31 vite për zot demokratët dhe asnjë person që nxit dhunë apo nxit akte dhune në godinën e demokratëve, nuk do t’ia arrijë dot qëllimit të tij. Absurdi më i madh i gjithë lëvizjes së Sali Berishës ishte që e nisi betejën për të forcuar Partinë Demokratike që të rrëzojë Edi Ramën dhe është duke e mbyllur betejën me protestë kundër Partisë Demokratike në oborrin e Partisë Demokratike”.
Por zoti Berisha dhe mbështetësit e tij reaguan sërish, duke u shprehur se në vend të respektimit të afatit që skandonte në 5 janar “deputeti Lulzim Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale. Ai shfrytëzoi ditët e afatit tolerant, jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si Pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë”.
Në deklaratën e tij, Komisioni i Rithemelimit “paralajmëron binomin Rama – Basha se, për skenarin e tyre antidemokratik dhe destabilzues do të marrin si përgjigje të merituar turpin e historisë”.
Gazeta Sot