![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2022/10/Beogradi.jpg?fit=800%2C421&ssl=1)
Zëvendëskryeministri i Kosovës shkon në Beograd, zbardhen detajet e vizitës
![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2022/10/Beogradi.jpg?resize=625%2C329&ssl=1)
Beogradi
27 Tetor 2022
Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, të enjten do të marrë pjesë në një tryezë diskutimi për dialogun politik në Beograd.
Bislimi, që njëherësh është udhëheq i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, do të marrë pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike.
Bislimi do të qëndrojë edhe të premten në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.
Kjo nuk është hera e parë që Bislimi viziton Serbinë. Në shtator, ai së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishin vizituar komunat në jug të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Faktori ndërkombëtar po bën përpjekje që të inkurajojë palët që të përmbyllin këtë proces. Por, dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fundit të procesit. Kosova kërkon që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL
Nga Gazeta Dita