Zgjedhjet mono-partiake, si do të jetë raporti i OSBE/ODIHR në 1 Korrik. –
Zgjedhjet mono-partiake, si do të jetë raporti i OSBE/ODIHR në 1 Korrik. –
Qershor 24, 2019
Nga Boldnews.al
Drejtuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale, Audrey Glover, zhvilloi një bisedë paraditen e së Hënës me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, në një kohë kur Edi Rama ka vendosur që vendi të shkojë në votime mono-partiake.
Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë maxhoritare ka vendosur të injorojë dekretin e Presidentit të Republikës, i cili shfuqizoi 30 Qershorin si ditën e zgjedhjeve vendore. Ndërkohë, formacionet opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë pjesë e zgjedhjeve.
Kjo situatë kolapsi politik mund të vendosë në pozitë shumë të vështirë edhe misionin vëzhgues të OSBE/ODIHR. Pritet me interes raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtare për këto zgjedhje, të parat mono-partiake në Shqipëri që prej vendosjes së pluralizimit.
Gjithësesi, një skalet mbi raportim e pritshëm mund të ndërtohet, duke iu referuar rekomandimeve prioritare që dhanë vëzhguesit ndërkombëtarë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Rekomandimi 1
Autoritetet duhet të ndërmarrin një reformë zgjedhore përfshirëse.
Ky rekomandim, jo vetëm që nuk është përmbushur, por as nuk është nisur. Prej muajsh ka pasur përpjekje, në dukje, mes palëve politike për t’u ulur në tryezë. Por, PS nga njëra anë dhe PD-LSI nga ana tjetër nuk arritën të finalizonin një draft paraprak.
Tashmë, Partia Socialiste po mendon të kryejë një “Reformë zgjedhore” me opozitën e sajuar parlamentare, të drejtuar nga Rudina Hajdari.
Rekomandimi 2
Nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës
Blerja e votës përbën dështimin më të madh të qeverisë së Edi Ramës. Rekomandimi i OSBE/ODIHR jo vetëm që nuk është marrë parasysh, por, përkundrazi, situata është përkeqësuar ndjeshëm.
“Rilindja” nuk ka marrë asnjë masë për ndalimin e shit-blerjes së votës. E vetmja “masë” e marra nga qeveria është mbrojtja politike që po u jep zyrtarëve të lartë ‘rilindas” të kapur mat në bashkëpunimin e tyre me grupe kriminale për vjedhje/blerje votash në Dibër, Durrës, Lezhë, etj.
Rekomandimi 3
Qeveria duhet të luftojë shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.
Asnjë përpjekje qeveritare për të plotësuar këtë rekomandim të vëzhguesve ndërkombëtarë. Madje, mitingjet elektorale të Edi Ramës vijojnë të zhvillohen nën “diktatin” qeveritar drejt administratës, si për pjesëmarrje në aktivitete zgjedhore, ashtu edhe me kërcënimin për vendin e punës.
Takimet elektorale të Edi Ramës karakterizohen nga “disiplina administrative”, ku punonjësit e agjencive shtetërore janë të detyruar të dëgjojë monologjet e kryeministrit nën diellin e nxehtë të këtyre ditëve të Qershorit.
Rekomandimi 4
Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë.
Asnjë përpjekje, qoftë edhe minimale, nuk është ndërmarrë nga qeveria për të hartuar një draft-ide mbi depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve zonale.
Përkundrazi, komisionet e zgjedhjeve lokale të pritshme të 30 qershorit, janë bërë vetëm me një ngjyrë politike-atë të Partisë Socialiste.
Katër anëtarët e majtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shënuan kulmin e përdorimit politik, kur morën kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe shpallën të pavlefshëm dekretin e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve.
Rekomandimi 5
Dispozitat penale për shpifjen duhet të shfuqizohen
Maxhoranca parlamentare ka vepruar gjatë muajve të fundit në kundërshtim të plotë me këtë rekomandim. Një seri padish penale për shpifje janë dorëzuar në gjykatë nga Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të “Rilindjes” kundër eksponentëve të lartë të opozitës.
Rekomandimi 6
Shteti duhet të garantojë të drejtën për të bërë një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Duhet të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar se për kë synojnë të votojnë zgjedhësit apo për kë kanë votuar.
Për të dhënë një argument se si “Rilindja” nuk ka as predispozitën më të vogël për të përmbushur këtë rekomandim ndërkombëtar, mjafton mbrojtja që i bëri vetes publisht Pjerin Ndreu, ish-deputet dhe aktualisht kandidat për Bashkinë e Lezhës, pas përgjimeve të “Bild”.
Në audio-regjistrimet e publikuara nga gazeta gjermane, Ndreu dëgjohej duke shprehur kërcënime për një drejtues arsimor në Dibër, i cili jo vetëm duhet të votonte për Partinë Socialiste, por edhe duhet ta deklaronte hapur. Në rast të kundërt, ai zyrtar do të penalizohej me vendin e punës.
Pas publikimit të këtyre përgjimeve, Pjerin Ndreu deklaroi se nuk kishte asnjë problem në kërkesën e tij. Sipas Ndreut, zyrtari, të cilit ai i referohej, ishte eksponent i Partisë Socialiste dhe kjo e detyron atë të fundit që të shprehë hapur bindjet e tij edhe para kutisë së votimit.
Pas dështimit total të Qeverisë së Edi Ramës me përmbushjen e rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR, tashmë fjala i mbetet misionit të vëzhguesve, të drejtuar nga Audrey Glover.
Nëse Edi Rama nuk e ndal vrullin e tij për të zhvilluar zgjedhje mono-partiake, atëherë e gjithë vëmendja do të zhvendoset në raportin e vëzhguesve, i cili pritet të japë vlerësimin paraprak një ditë pas zgjedhjeve, në 1 Korrik 2019.
Nëse fryma do të jetë e njëjtë me atë që ka prezantuar prej kohësh ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchard, atëherë nuk do të jetë aspak surprizë nëse raporti i vëzhguesve do t’i vlerësojë zgjedhjet e 30 qershorit si “më të mirat e zhvilluara deri më tani”.