Zgjidhen drejtuesit e rinj të instituteve. Gjinushi: – Ngritja e instituteve pranë ASH përbën një rregullim në sistem
12 Janar 2024
Kryesia e Akademisë së Shkencave zhvilloi një takim me drejtuesit e rinj të instituteve të albanologjisë, njësi të përhershme të kërkim-studimit pranë saj.
Akad. Adem Bunguri është vendosur në krye të Institutit të Arkeologjisë;
Prof. dr. Hamit Kaba drejtor i Institutit të Historisë; akad.
Valter Memisha drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë;
Prof. asoc. dr. Olsi Lelaj drejtor i Institutit të Antropologjisë dhe akad. asoc.
Stefan Çapaliku drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve.
Në këtë takim akad. Skënder Gjinushi bëri të njohura për drejtuesit aktet kryesore ligjore, nënligjore dhe statutore që përbëjnë bazën e reformës së riorganizimit të studimeve albanologjike si kërkime elitare. “Ngritja e instituteve të albanologjisë pranë ASHSH, pas ndërprerjes së veprimtarisë së tyre si institucione të arsimit të lartë, jashtë misionit dhe funksioneve për të cilat ishin themeluar, përbën një rregullim në sistem”, tha akad. Gjinushi. Me aktet që u miratuan sipas tij, qeveria zgjidhi një prej problemeve të këtij sistemi, duke u dhënë status të ligjshëm instituteve, me vazhdimin e veprimtarisë së tyre si institute të kërkimit shkencor. Ribashkimi, theksoi akad.
Gjinushi, do të ndikojë për të zbutur fragmentarizimin dhe copëtimin e kërkimit shkencor, çrregullin e të cilit do ta zgjidhë miratimi i ligjit të ri për shkencën, që po hartohet nga disa institucione, duke përfshirë Akademinë e Shkencave.
“Tani që aktet themelore të fazës së parë: shtesa në Statut për institutet dhe qendrat e përhershme; konfirmimi i kërkuesve shkencorë në fushat e tyre studimore duke u këshilluar edhe me mendimin e grupeve të punës që u ngritën me ekspertë të jashtëm; miratimi i strukturave dhe organikave, hapja dhe plotësimi i këshillave shkencorë duke rezervuar qartësisht dy të tretat vendimmarrëse për anëtarët e brendshëm; përbëjnë garancitë bazë për liritë dhe autonominë akademike”, tha ai. Nga hapja, theksoi akad. Gjinushi, këto parime vetëm fitojnë fushë më të gjerë zhvillimi. Në komisionet e përhershme pranë ASHSH, tha ai, më shumë se dy të tretat janë të jashtëm, dhe kjo ka qenë mbështetja kryesore e fuqizimit të veprimtarisë së saj.
Edhe projektet themelore në albanologji nuk mund të bëheshin e realizoheshin pa këtë hapje e zgjerim ndërinstitucional.