Zhduket nga Arkiva e Shtetit vula qindravjeçare e Sulltanit. Denoncimi i drejtorit. –

 18 ma 2ji019

 

 

Nga: ETLEVA DELIA.

 Një vulë mbi 400-vjeçare, me rëndësi historike, është “zhdukur” në rrethana të mistershme nga zyrat e Arkivës së Shtetit, në Tiranë.

Objekti është cilësuar me rëndësi të veçantë historike dhe i përket një fermani të Manastirit të Kamenës, që ndodhet mes Delvinës dhe fshatit Kakodhiq. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se ngjarja është referuar si vjedhje nga Policia e Tiranës disa ditë më parë.

Ndërsa denoncimi është bërë nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, në datë 10 maj 2019, ditë kur edhe ai kishte marrë dijeni për mungesën e vulës në vendin e caktuar. Drejtori ka njoftuar Policinë për humbjen e saj, pa saktësuar rrethanat nëse ishte vjedhur nga dikush.

Megjithëse të gjitha rrethanat flasin për një vjedhje të organizuar, nisur edhe nga fakti se një ditë para se të zhdukej objekti, kamerat ishin fikur. Për herë të fundit, vula e fermanit të Manastirit të Kamenës është parë më datë 7 maj, nga të gjithë punonjësit e Sektorit të Evidencës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Sipas të njëjtave burime, në materialin e referuar nga Policia, thuhet se mungesa e objektit është konstatuar në Godinën B, ku bëhet skanimi i formateve të mëdha, që ndodhet brenda rrethimit të Arkivës së Shtetit.

Për këtë ngjarje u është marrë deklarim 15 punonjësve, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ndërsa aktualisht, Prokuroria është në pritje të një akti ekspertimi, pas ekzaminimit që i është bërë fermanit të Manastirit të Kamenës në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

DENONCIMI

Në materialin e referuar në Prokurorinë e Tiranës thuhet se në datë 10 maj 2019, pas një njoftimi të dhëna nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, për humbjen e një vule të një fermani të Manastirit të Kamenës, oficerët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Fermani i humbur datonte rreth viteve 1600.

Oficerët që kanë shkuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave kanë konstatuar se: Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, konkretisht në Godinën B, ku bëhej edhe skanimi i materialeve të formateve të mëdha, ishte konstatuar mungesa e një vule, e cila ishte pjesë përbërëse e një fermani të Manastirit të Kamenës. Vula kishte qenë e lidhur nëpërmjet disa penjve me këtë ferman dhe për herë të fundit është parë që ka qenë në vendin e saj në datën 7 maj 2019, nga të gjithë punonjësit e Sektorit të Evidencës në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Më pas është marrë nga Përgjegjësi i Sektorit të Evidencës për t’u çuar për skanim në zyrën e kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, pasi një studiues kishte bërë kërkesën dhe pagesën për t’u njohur me këtë material.

Fermani ka qëndruar përgjatë datës 7 maj 2019 dhe 8 maj 2019 në zyrën e kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, e cila operon brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në katin e dytë të saj. Pasi materiali është lënë për dy ditë aty, më datë 9 maj 2019, rreth orës 14:30, është marrë për t’u skanuar nga shtetasi A.M. dhe duke qenë se është me format të madh, është dërguar pranë Godinës B, e cila është brenda rrethimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

MOMENTI KUR U ZBULUA MUNGESA

Pasi është hapur për t’u skanuar, është konstatuar se në fermanin e Manastirit të Kamenës mungonte vula. Menjëherë pas këtij momenti ka marrë dijeni për ngjarjen edhe drejtori i Përgjithshëm i Arkivave. Bëhet fjalë për datën 10 maj 2019, kur vetë ai ka njoftuar Policinë. Drejtori është shprehur se pasi kishte shkuar pranë institucionit, punonjësit e kishin vënë në dijeni rreth këtij fakti dhe pasi kishte lajmëruar eprorët e tij, ka lajmëruar Policinë e Shtetit.

Prej datës 10 maj 2019 është bërë një hetim i mirëfilltë mbi këtë ngjarje, duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, konkretisht fermanit të Manastirit të Kamenës, në prezencën e ekspertit kriminalist dhe është bërë kontrolli i vendeve. Konkretisht është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha zyrat ku kishte qëndruar fermani, që nga dalja nga magazina e deri në momentin e konstatimit të mungesës së vulës.

Gjithashtu, është bërë pyetja në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale i të gjithë stafit të Seksionit të Evidentimit, si dhe stafit të kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”. Në materialin referues theksohet se gjatë hetimit ka rezultuar se kamera që ndodhet brenda ambienteve të zyrës së kompanisë “AlfaScan Sh.p.k”, ka ndërprerë filmimet në datë 9 maj 2019, në orën 10:20 dhe sipas deklarimit të inxhinierit të kësaj kompanie, kishte skaduar licenca e marrë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila kishte një afat prej 180 ditësh.

Nga ana e oficerëve të Policisë së Shtetit është marrë kontakt edhe në mënyrë zyrtare me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të saktësuar kohën e aktivizimit dhe të përfundimit të kësaj licence dhe nëse e ka lajmëruar kompania “AlfaScan Sh.p.k” për përfundimin e saj.

PANORAMA