Zhduket Thesari Antik nga Muzeu i Maqedonisë

Gazeta JNK

Nga: Sinisa Jakov Marusiq

14.11.2013

Një hetim i policisë maqedonase ka zbuluar zhdukjen e së paku 80 gjësendeve të çmueshme që ruheshin në depon e muzeut në Shkup. Këto gjësende tash supozohen të vjedhura, sipas një burimi brenda policisë, që ka folur me BIRN-in.

Shumica e këtyre gjërave ishin zbuluar në gërmimet arkeologjike, të kohëve të fundit.

Bazuar në fotografitë e artefakteve të zhdukura, shumica janë vathë floriri që datojnë nga periudha helenike. Pjesa më e madhe e tyre janë zbuluar në vitin 2009 dhe 2010.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim, e as nuk është ngritur ndonjë kallëzim penal.

“Ne jemi duke i hetuar të gjitha mundësitë, duke përfshirë edhe opsionin se një grup i organizuar i kontrabanduesve të artefakteve është përgjegjës për këtë”, i tha BIRN-it burimi i policisë.

Policia ka filluar një investigim të gjerë javën e kaluar kur dy kuratorë të muzeut raportuan zhdukjen e thesarit. Ata e kishin vërejtur mungesën e artefakteve, përderisa po bëheshin gati që të transferonin koleksionin në një ndërtesë të re.

Edhe kuratorë tjerë të punësuar në muze, raportuan më vonë mungesën e gjësendeve të çmueshme.

Nuk ekziston asnjë gjurmë lidhur me atë nëse vjedhja ka ndodhur kohëve të fundit dhe përnjëherësh, apo nëse artefaktet janë vjedhur një nga një.

Menaxhmenti i muzeut tha se ndërtesa ka sigurimin dhe video monitorimin adekuat, por disa burime anonime nga muzeu, i kanë thënë portalit të lajmeve Plus Info, se hyrja e depos ku ishin ruajtur artefaktet, nuk ishte nën mbikëqyrje me kamera.

Skandali për artefaktet e zhdukura shpërthen në kohën kur udhëheqësi i gërmimeve arkeologjike Pasko Guzman po shkon nëpër një proces gjyqësor, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës.

Raportimet e mediave lidhin arrestimin e shefit të Zyrës për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore të Maqedonisë me investigimin në vazhdim lidhur me kontrabandimin e ikonave të çmueshme, si dhe artefakteve arkeologjike.

Disa arkeologë, punëtorë të Ministrisë maqedonase të Kulturës si dhe gërmues ilegalë, janë ngarkuar si të involvuar në këtë rast.

Arkeologët janë akuzuar se u kanë ndihmuar gërmuesve ilegalë që të përcaktojnë çmimin e artefakteve të tyre dhe të gjejnë blerës jashtë vendit.

Nga Gazeta Bota Sot