Zhdukja e Kleitas ilire nga muzeu arkeologjik. ( 2 foto). –
Zhdukja e Kleitas ilire nga muzeu arkeologjik. ( 2 foto). –
‘Në Muzeun e Durrësit u vodh Kleitia ilire pa vlerë tregtare dhe u lanë vazot greke 50 mijë USD copa’
Gazetari i vjetër durrsak, Thanas Mustaqi, në një postim në Facebook, ka hedhur dritë mbi një moment të trishtë të historisë së Muzeut Arkeologjik në Durrës. Në vitin e mbrapshtë 1997, edhe Muzeu Arkeologjik nuk i shpëtoi vjedhjes dhe shkatërrimit të disa objekteve që ndodheshin në ambientet e tij, e që sipas arkeologëve të njohur të Durrësit “hoqën e grabitën atë pasuri, e cila në treg nuk është e kushtueshme, por në studimet arkeologjike dhe në identitetin tonë si pasardhës të qytetërimit dhe kulturës ilire ishte me vlera të jashtëzakonshme”.
Mustaqi nënvizon në postimin e tij, se gjatë grabitjes nuk u morën vazot greke që në tregun e zi kapnin vlerën 50 mijë USD copa, por u vodhën Kleitia ilire pa vlerë tregtare, por që ishin objekte të periudhës ilire.
Mustaqi nuk harron të kujtojë edhe Uran Sabriun, që ndërsa po përpiqej të mbronte muzeun, është qëlluar nga hajdutët dhe ka vdekur. “Uran Sabriu, një dëshmor monumentesh i kohëve moderne, në viti e mbrapsht 1997” shkruan Mustaqi.
Pjese nga postimi.:
Një korrigjim i nevojshëm
1997. Në muze u vodhën Kleitia ilire pa vlerë tregtare dhe u lanë vazo greke 50 mijë USD copa
“Bust i një gruaje ilire nga Dyrrhachium-i me emrin Kleitia (Kleitia Lusand Haire). Shekulli II p.e.s. Punuar në gur. 34 cm i lartë. Gjendet në Muzeun Arkeologjik të Durrësit”, që e postova në FB. Kështu shkruhej në albumin “Shqipëria arkeologjike”, 1971. Por m’u kujtua se në 14 mars 1997, bashkë me prof. Fatos Tartarin, kemi qenë në mjediset e muzeut të vjetër arkeologjik, që sapo ishte grabitur (për këtë kam botuar një fotoreportazh me ngjyra në ish-gazetën “Dita Informacion”).
Po më thoshte prof. Tartari: “Shih, paskan grabitur objekte të periudhës parahelenistike, ilire. Këto sende të grabitura janë enë prej balte, armë prej metali, bronzi, hekur. U morën figurina e skulptura. Një e tillë është skulptura Kleitia (busti i saj) me veshje ilire. Emër të tillë nuk e kanë as grekët, as sllavët. Të shohësh atë skulpturë, vëren kulturën e krehjes së flokëve, mjeshtërinë e punimit të metalit”.
Kështu, Kleitia nuk dihet se ku ndodhet.
Prof. Tartari thotë objektet që vodhën grabitësit misteriozë ishin të gjitha të ekspozuara. Hynë në fonde dhe prishën disa objekte me keqdashje. Ata vodhën vetëm objekte të periudhës ilire…. .