Zheji: – Lëreni ish-Piktorin të mbarojë pikturën e tij të Ferrit. Po u lehtëson punën kundërshtarëve, duke e çuar trenin në përplasje…
Zheji: – Lëreni ish-Piktorin të mbarojë pikturën e tij të Ferrit. Po u lehtëson punën kundërshtarëve, duke e çuar trenin në përplasje…
21qershor 2019
Nga: ARTUR ZHEJI
I do zgjedhjet lokale më 30 qershor. Vetëm dhe rrethuar bollshëm, me zarat, zarushat, larushat dhe larot e tij pas, ca peshq të vegjël dhe mishngrënës, të paguajë dhe ndihmësit e tij në shqyerjen e tokave, nëntokës, pyjeve, detit e buzëdetit, që thirret akoma Shqipëri.
Nuk janë pra zgjedhje, por një fushatë pushtimi, qytetesh, trojesh, pyjesh dhe tokash të shtrenjta bregdetare…
Por në të vërtetë, edhe Rama nuk ka faj, ju kundërshtarët e tij të sotëm politikë e sollët deri këtu si partner të besueshëm dhe si punëmbaruar… që ju shkruante dikur fjalimet dhe ju “frymëzonte”, tani mbajeni deri në fund dhe mos e thërrisni as kopuk dhe as të çmendur. Ay, kryetari i dikurshëm i opozitës, me të cilin ndryshuat dhe vutë dorë në mënyrë të gabuar në Kushtetutën shqiptare të vitit 1998, duke e shkatërruar atë në vitin 2008, njohur si viti i Gërdecit…
Ju nuk e kuptoni, që Ay, Kryeministri i sotëm, ish-, por përsëri Piktor, thjesht do të mbarojë tablonë e tij murale, ku ju të tjerët, ish-partnerët dhe ish-bashkautorët e marrëveshjeve që keni bërë me të, sot armiqtë e tij, të dukeni nesër në pikturën e tij murale ca oborrtarë…
Por, që mbani në supet tuaja të pikturuara fronin e tij, të hidhni majtas dhe djathtas petale trëndafili dhe të këndoni ca këngë korale të adhurimit kolektiv…
Ay, pra, do të ketë dhe të kruajë çdo cep të tepsisë, të gjitha pushtetet…
Sepse Prokurorinë e ka, gjykata nuk ka, por do të ketë, mundësisht të ndërtuara me plastelinë prej tij dhe deputetëve të rinj, të cilët, ju shefa opozitarë i sollët në Kuvend në listat tuaja zgjedhore… Mos harroni, ju i ndërkallët ndër lista këta djem e vajza, që sot votojnë për ngrënien e kokës suaj dhe kanë zgjedhur një Kryeshef të ri.
Kryeministrin “bujar”, që ka thes të madh favoresh dhe shpërblesash të majme. Do të emërojë krejt “zarat” e tij të bindur, në krejt postet kyçe, që do të jenë butonat e pushtetit të tij. Durojeni, vetë e sollët deri këtu, sepse e kujtuat “frikacak” dhe të paaftë, ndërkohë që Ay, ju kishte studiuar të gjithëve, një e nga një. Jua mësoi veset tuaja, trillet tuaja, oreksin tuaj, krejt zakonet tuaja dhe mënyrën tuaj të të menduarit e të vepruarit me pushtetin dhe njerëzit…
Jua njeh të gjithë këshilltarët apo ish-këshilltarët tuaj dhe i paguan për t’ju shkëshilluar, kush prej tyre ka ndonjë vlerë. Por më të shumtën i lë patrazuar, sepse keni zgjedhur për t’u këshilluar nga “shahistë” që mendojnë vetëm tri lëvizjet e para dhe ju mburren e shesin mend pa fund me dokrrat e tyre, që i shesin shtrenjtë…
Por ish-Piktori, Ay, pra, Piktori që mbetet Kryeministër, nga dita në ditë po e lehtëson punën e kundërshtarëve të tij, duke e çuar trenin e tij në përplasje, përplasje nga e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë fitimtarë të vërtetë…
Piktura murale e Ferrit të Biblës dhe Dantes po plotësohet ditë pas dite në Shqipëri dhe ishPiktori, apo Piktori Kryeministër, po hedh penelat e fundit, ku pasionin për “gjuhët” e zjarrit po e përsos mjeshtërisht…
Po zjarri dihet, mund të djegë edhe zjarrvënësin e madh… Ndoshta!
360grade.al