Zheji: – Politika ka krijuar korrupsion përtej normales. Ngjela: – Kjo çështja e fundit e Dumanit tregoi që Prokuroria dhe Policia ishin të korruptuara.
30 Maj 2022
Avokati i njohur, Spartak Ngjela, dhe analisti Artur Zheji kanë diskutuar ditën e sotme në emisionin “Pikat mbi I” mbi rolin e SPAK dhe politikën shqiptare në tërësi.
Analisti Artur Zheji tha se në vendin tonë ka korrupsion përtej normales, ndërsa shtoi se duhet të forcohet roli i SPAK-ut për të shkëputur këtë lidhje.
Nga ana tjetër, avokati Spartak Ngjela nënvizoi se SPAK mbrohet nga DASH dhe tha se duhet goditur 80% e krimit të organizuar në Shqipëri në mënyrë që të vijohet në nivelet më të larta të politikës.
Zheji: Politika ka dështuar se ka bërë gabime, me dashje edhe pa dashje. Ka krijuar korrupsion përtej normales dhe ka prekur në emër të korrupsionit dhe interesat kombëtare dhe asnjëri nuk është ndëshkuar. Me futjen në skenë të një subjekti si SPAK-u mund të ketë vijë ndarëse.
Ngjela: Kemi një fakt që na mbron. Presioni që bën shteti, tremb gjithçka. Nëse do të trembë një institucion e tremb. Blinken deklaroi para 2 muajsh që SPAK-un e drejtojmë ne. Nuk ma ha mendja që Sekretari i SHBA të japë informacion jo real. SPAK-u është nën mbrojtjen e atyre. Më kanë thënë që kanë marrë mbrojtje. U ka dalë fondi. Kur kam biseduar nga këta, më patën thënë që s’i kanë dalë paratë akoma. Ata mbrohen tani, i kanë të gjitha. Korrupsioni është i organizuar me krimin e organizuar. E dalloj nga optika ime. Kjo çështja e fundit e Dumanit tregoi që Prokuroria dhe Policia ishin të korruptuara. Kanë ndaluar zhvillimin e hetimeve. Janë dosjet që mblidhen. Nga hetimet kanë dalë që ata kanë blerë Policinë. Krimet s’kanë qenë të zbardhura. Ata kanë deklaruar se i ka përkrahur Policia. SPAK-ut i ka rënë rasti në dorë që të shpëtojë Shqipërinë dhe të lartësojë veten. Krimi ka pasur fenomen të veçantë nga Perëndimi, kanë goditur njëri-tjetrin. Unë kam besim që SPAK-u do e çoje deri në fund. Nëse nuk eliminohen 80% e krimit të organizuar nuk godet dot nivelet e mëdha të politikës.
Zheji: Krimi i organizuar ka pasur lidhje të ngushtë me policë. Me drejtorë krimesh që bënin mbulimin e krimeve. Është edhe fakti që këta në kohë fushatash shërbenin si kali i armatosur në fushatat elektorale. Ata mbushnin kutitë dhe më pas marrin si shpërblim pandëshkueshmërinë. Ka raste skandaloze që kanë dalë ku janë dhënë tendera për rindërtimin nga tërmeti dhe i janë dhënë vëllait të një deputeti. Biznesi ka ndërtuar hotele, shteti disa infrastruktura herë të mirë, herë çka, herë fare. Vetëm biznesi prodhon para dhe merr lekët gati. Është bërë si dikur, në kohën e monarkive që i merrnin para fshatarëve. Ka shumë koncept feudal në konceptin shtetëror. Duhet një krah i armatosur dhe ata janë këto të krimit. Këtu duhet roli i SPAK-ut, që duke ndërprerë këtë lidhje shkon më thellë dhe politika e humb përkrahjen e madhe.
Sipas Gazetes Sot