Zhulati – Fshati që rrezikon të shterojë …
Zhulati – Fshati që rrezikon të shterojë …
21 shkurt 2020/
Nga: Artan Rama/ Porta Vendore/ Gjirokastër
“O djali kallabollate/ Doje të shtoje hirate/ Humbe dhe ato që pate!”. Bejo Kërri sapo ishte ulur në një tavolinë të ngushtë, ku katër bashkëfshatarë të tjerë po diskutonin me zë të lartë. Klubi nuk kishte ndryshuar shumë, qysh nga koha e kooperativës. Tavolinat e drunjta ishin zëvëndësuar nga të tjera, plastike e më të gjera; por edhe karriget, po ashtu. Hapësira i ngjante më shumë një magazine të pasistemuar dhe disi të varfër në dukje, ndoshta edhe për shkak të një drite pa ngjyrë që vinte prej një llambe të thjeshtë. Me pak zell, më shumë për të eksploruar çdo kënd përreth, aty mund të shihje, jo pak mallra të përditshmërisë, veçanërisht të asaj shtëpiake. Ndonëse me orendi të çrregullta, shumëllojshmëria mbi banak nuk mungonte.
Bejo Kërri foli përsëri. “Ne prisnim që të ndreqnin xhadenë, ata erdhën për ujin; me se do rroç këtu, pa ujë?!”. Nga e djathta Fatmir Boçka, rreth të shtatëdhjetave, vendosi bastunin në mes të këmbëve dhe peshoi duart mbi të. “Ata kërkojnë të bëjnë një digë. Po përse e kërkojnë atë digë? Këtu s’ka ujë!”. Pastaj filloi të na sqarojë, me fjali të shkurtra, por dukej sikur, më shumë, iu drejtohej fshatarëve të tjerë. “ Janë 550 ha atje poshtë; kemi 3,500 krerë bagëti. Po e more atë lumë, këtu nuk fle më njeri se do të qelbet dynjaja”. Për një moment, askush nuk foli. Fshatarët po mblidheshin një nga një, të heshtur, duke treguar vëmendje e respekt për ne që kishin ardhur nga Tirana.
Ne mbërritëm në Zhulat rreth mesditës. Fshati gjendej mes një kurore majash, në perëndim të Gjirokastrës, prapa Malit të Gjerë. Kishim lënë pas rrugën kombëtare, duke udhëtuar përmes Luginës së Kardhiqit. Më tej, përshkuam Lumin e Joshes, derisa mbërritëm pranë Gurit të Gjatë. Aty u shfaqën bagëtitë e para, si dhe një stan i vogël matanë zallit.
Biseda po zhvillohej në qendër të fshatit, poshtë Pulajve, lagjes së sipërme, pranë shtatores së Idriz Sulit, një prej autorëve të Kanunit të Labërisë, që jetoi këtu përpara dy shekujsh.
“Tani kemi mbetur rreth 50 shtëpi, por dikur kemi qënë 200”, tha Fetih Bega, një çoban i cili dukej sikur më shumë i drejtohej vetes, sesa të tjerëve. Kishte një zë të shuar dhe fjalët ia dëgjoja me vështirësi. “Është një fshat 1500-vjeçar”, – tha Fatmir Boçka. “Kullotat janë plot dhe ne jetojmë në mes të pyjeve. Lumi që vjen nga Fushëbardha ka ujë për njëzet ditë, me pas, ai shteron. Çfarë do të bëjmë? Me se do t’i potisim tokat tona?”.
Tavolinat u zgjeruan dhe akoma më shumë fshatarë filluan të grumbullohen pranë njëri-tjetrit. Të rinjtë, ata pak të mbetur, u tërhoqën në një kënd të klubit dhe u ulën mbi disa tavolina.
Në janar, “Taronina shpk”, një kompani e prodhimit të energjisë, i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) një leje mjedisore për të ndërtuar një hidrocentral në Lumin e Zhulatit. Sipas projektit, do të shfrytëzoheshin ujërat e dy lumenjve: shtrati i Zhulatit, pranë Urës së Xhivelit dhe Burimi i Çullunarit që rridhte përgjatë Faqes së Cilikokës. Në përputhje me procedurat, AKM-ja çeli procesin e dëgjesave, duke njoftuar palët e interesuara përmes një njoftimi online, Njoftimi përfshinte zyrtarisht territorin e ish Komunës së Cepos, por bazuar në skicat inxhinierike dukej qartë se vetëm banorët e Zhulatit do të prekeshin nëse leja do të miratohej. Disa ditë më pas, përfaqësuesit e kompanisë “Taronina sh.p.k.” mbërritën në fshat.
“U mblodhëm rreth 30 burra. Ishte dhe kryeplaku dhe vendosëm Jo!”, tha Fatmir Boçka. “Ia bëmë të qartë edhe përfaqësuesit të tyre; ishte një djalë nga Tirana që mbante një copë letër në dorë. E kishin shkruar HEC Taronina, sepse atje do të vendoset ndërtesa e hiodrocentralit, por uji merret në Zhulat”. – Kishin marë me vete dhe kryeplakun e Cepunës dhe të Paleokastrës, u hodh Bejo Kërri. – Kryeplaku një votë ka, – u hodh dikush tjetër. – Nëse e bëjnë, neve na zhdukin, vazhdoi Fatmir Boçka. Tani kemi rreth 80 familje, po në verë bënemi 250 shtëpi . – Ata të facebook-ut na thonë që duam ta gjejmë Zhulatin, siç e kemi lënë, – tha Musllim Kërri, një çoban i vjetër që mbante një kapuç leshi mbi kokë. Ai u ngrit dhe vazhdoi të fliste në këmbë. “Në gusht, bashkëfshatarët, së bashku me familjet e tyre kthehen nga emigracioni. Të vegjlit e zgjojnë fshatin, Këtu poshtë bënen rreth 25 pellgje ku lahen fëmija, sepse nuk kanë kohë të shkojnë në Borsh apo në Himarë. Nëse vije këtu gjatë kooperativës, gjeje 100 burra që loznin tek Rrapi, me shelqe të hedhura krahëve e me qylafë mbi kokë. Eh, ndizej i tërë fshati dikur”.
Hodha sytë rrotull. Gjallëria tani ishte zbehur. Djemuria ishte larguar. Ata fare pak që kishin mbetur i shtynin ditët nëpër kullota, duke ushqyer bagëtinë, e cila i mbante gjallë dhe kështu jetonte edhe vetë fshati. Koha bën të sajën. Dielli po prekte Majën e Lucës. Poshtë, në Fushën e Mezuveçes binte muzgu. Një rreze e florinjtë dielli pushonte mbi supin e monumentit të Idris Sulit, si për herë të fundit, përpara se të zhytej në errësirë.
“Rrapi filloi të thahej me shpejtësi”, po tregonte Murati. “Kjo ndodhi dhjetë vite të shkuara. Fillimisht u tha vetëm një degë, më pas, sëmundja preku edhe disa pjesë të tjera. Brenda një viti mori i tërë trungu. Fshatarët u pikëlluan, por heshtën. Askush nuk u përpoq ta shpëtonte. Dikush tha se ky ishte një mallkim, i ardhur nga jashtë, të tjerë fajësuan për të kundërtën, pikërisht daljen jashtë, në emigracion , të banorëve. Sipas tyre, ky ishte një reagim ndaj braktisjes. Pra, brakstisja po ndëshkohej me braktisje”. – Po më pas ç’ndodhi?, pyeta unë – Ishte një vdekje e shpejtë. Rrapi 500-vjeçar u shua brenda pak muajve”, u përgjigj Murati. “Tani askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë e shkaktoi me të vërtetë. Ishte një ikje e shpejtë dhe e mistershme”, përfundoi. Vështroja portretin e legjislatorit popullor të ngritur mbi trungun e vdekur të Rrapit. Diçka më mungonte, ose më mundonte, do të thoja. Ata i përkisnin një tjetër bote. Dhe ndoshta, duke qënë pranë njëri-tjerit, mund të dinin diçka më shumë nga ne.
Skulptori 40-vjeçar Murat Kërri, autori i monumentit të Idris Sulit, e filloi punën për ndërtimin e tij duke transformuar trungun shumëshekullor të Rrapit në një vepër arti. “Këtu njeriu dhe natyra qëndrojnë së bashku, ndaj mendova që nuk mund të ketë një vend më të mirë për këtë monument sesa mbi këtë rrap shumëshekullor të tharë, por ende të fortë”, përfundoi rrëfimin e tij.
Nga PORTA VENDORE.Al