14 Prill 2025

Drejtuesja politike e PD për qarkun e Vlorës, Ina Zhupa në një intervistë live me Skype në News 24 foli për zgjedhjet parlamentarë të 11 majit.

Zhupa tha se PS në sheshin qendror të Tiranës kërceu “Vallen e hajdutëve”.

“Në Sarandë po shtrohet asfalt elektoral. PS-ja është me yje kriminalë dhe jo yje të Europës. Ajo që pamë në sheshin Skënderbej nga ana e PS, ishte kërcimi i valles së hajdutëve. Qeveria nuk ka një bilanc se çfarë ka bërë me secilin qark, kur ka 12 vite në pushtet. Këngët ishin të bukura, por nuk përkon me atë që kërkojnë qytetarët. Qytetarët kërkojnë zgjidhje dhe zgjidhjen nuk e kërkojnë nga ai që shkakton dhimbje. PS bën vetëm tallava se nuk ka bërë asgjë. Askush nuk i beson më kësaj qeverie. Asgjë nuk kanë për të ofruar për qytetarët. Modelet e tyre rezinojnë më tepër krimin sesanevojën e qytetarëve. Edhe administrata nuk iu përgjigj Ramës dhe kjo është shenjë e mirë për rotacionin”, tha Zhupa.

Më tej, Zhupa u shpreh se Rama fjalët i ka europiane, pasi standardet në Shqipëri në jetën e përditshme të qytetarëve janë afrikane.

“BE ka kërkesë themelore zgjedhjet e ndershme dhe të lira, Bashkimi Europian do qeveri që lufton korrupsionin dhe jo që bën korrupsion. Rama, fjalët i ka europiane, por shqiptarët jetojnë me standarde afrikane. Në spitale situata është e rënduar. Qytetarët nuk marrin dot analizat kur janë sëmurë, por duhet t’ju vijë radha për të marrë analizat. Njerëzit nuk kërkojnë hapjen e grup-kapitujve për në BE, por na duhen standardet europiane. Qeveria duhet të mos përfshihet në zgjedhje, administrata mos të merret me vete në Greqi apo në Itali për fushata. Përçundimi i demokracisë na bën të jemi larg standardeve të BE. Shqipëria Madhështore është Shqipëri europiane. Ne kemi plan për rininë, për fermerin, për arsimin, për produktet Made in Albania, plani që kemi për pensionistët dhe për të pasur minimumin jetik, kjo e afron vendin tonë me BE dhe jo retorika bosh e Edi Ramës”, u shpreh Zhupa.

Në fund, Zhupa deklaroi se PD ka synimin që të fitojë 6 mandate në Vlorë.

“Çdo parti e kam dëgjuar dhe thotë do marr X deputet dhe më duken gënjeshtra. Unë jam në terren në mbarë qarkun e Vlorës. Në 4 bashkitë e qarkut Vlorë, PS nuk do të rritet qoftë me 10 vota. Partia Socialiste nuk ka bërë asgjë për qytetarët. Ne duam të fitojmë 6 mandate në Vlorë. PS nuk ka shanse të nxjerrë 5 deputetë në listë të hapur. Edhe socialistët do të votojnë për Aleancën për Shqipërinë Madhështore, pasi janë të zhgënjyer e duan rotacionin”, përmbylli Zhupa.