Zhvendoset barka 4600-vjeçare
Zhvendoset barka 4600-vjeçare
“Qëllimi i projektit të transportit është të mbrojë dhe ruajë për brezat e ardhshëm artefaktin më të madh dhe më të vjetër organik të bërë prej druri në historinë e njerëzimit”, ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve
Barka e mbretit Khufu, një anije e lashtë që është edhe barka më e vjetër dhe më e madhe prej druri e zbuluar në Egjipt, është zhvendosur me kujdes nga shtëpia e saj e vjetër pranë piramidave të Gizës në një muze gjigant aty pranë, kanë treguar zyrtarët të shtunën.
Anija 4600-vjeçare, e njohur edhe si “Barka Diellore”, u zhvendos në Muzeun e Madh Egjiptian (Grand Egyptian Museum), që do të përurohet më vonë këtë vit.
“Qëllimi i projektit të transportit është të mbrojë dhe ruajë për brezat e ardhshëm artefaktin më të madh dhe më të vjetër organik të bërë prej druri në historinë e njerëzimit”, ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve.
U deshën 48 orë për të transportuar në shtëpinë e saj të re barkën e drurit, e cila është 42 metra e gjatë dhe peshon 20 tonë. Ajo arriti në GEM në orët e para të së shtunës.
Barka u transportua si një copë e vetme brenda një kafazi metalik të mbajtur në një automjet të kontrolluar nga distanca, e që është importuar veçanërisht për operacionin, ka treguar Atef Moftah, mbikëqyrës i përgjithshëm i projektit në GEM.
Anija, e zbuluar në vitin 1954 në cepin jugor të Piramidës së Madhe, është ekspozuar për dekada në një muze që mban emrin e saj në Rrafshnaltën e Gizës.
Egjipti zyrtar thotë se Muzeu i Madh Egjiptian, i cili është duke u ndërtuar me ndërprerje tash e 17 vjet, do të përmbajë më shumë se 100 mijë eksponate.
Koha.net