Në kohë të lashta, prehistorike, njerëzit, jo vetëm në Ilirë, Arbër e Shqiptarë të Mesjetës, veprimet që bënin në shërbim të jetesës, mendimet që shprehnin në të folur, në biseda, edhe pse ato ishin në përgjithësi të vërteta, i lidhnin në brendi me besime, me mite, si mund ta themi ndryshe: me të mbinatyrshmen që shprehej me mite e besime, pra me copëza të kodeve hyjnore, po në një farë mënyre, sado që në vështrim të mjegulluar, dhe si detyrime të dhëna në ligjin dokesor.

Interevista: Prof.Dr. Mark Tirta.

Libri im “Etnokultura shqiptare” që doli nga shtypi e u vu në qarkullim në muajt e fundit, është një vazhdimësi e botimeve shkencore të bëra nga unë më parë, në kohë të ndryshme. Është një prurje e re në fushë të etnologjisë shqiptare. Këtu zbërthehen në thellësi e në gjerësi dukuri të trashëgimisë popullore që nuk janë trajtuar në botime të mëparshme, ose të thëna anash e anash e jo në thellësinë e duhur. Këtu jepen në krerë të ndryshëm, ose dhe si tema të veçanta të krerëve, po në një trajtesë zbërthyese që qartësojnë njëra-tjetrën. Janë dukuri etnokulturore krejt të veçanta, po që kanë dhe anë të përbashkëta dhe shpjegojnë më në thellësi njëra-tjetrën në funksionet e tyre të ndryshme.

Etnokultura shqiptare, ashtu siç ndodh dhe në popujt e tjerë, është një gjithësi e pafund, po që mbijeton në dukuri krejt të veçnta, por secila prej tyre, në një mënyrë a në një tjetër, lidhet me gjithëpërfshirje e secila prej tyre shpjegon, qartëson dhe shfaqje të ndryshme të jetës njerëzore, shprehur në etnokulturë. 

-I ndarë në disa kapituj,libri përbën një material të plotë dhe me mjaft inters për lexuesin.Me shumë kujdes ke trajtuar çështjen e miteve dhe besimeve në kohë të hershme .Cili ka qenë raporti i tyre me vendet e tjera të Ballkanit?

Është e vërtetë se miteve e besimeve me prejardhje nga lashtësia, nga antikiteti me përmbajtje, me funksione pagane, u kam dhënë një vend të gjerë, parë në vështrim të ndryshimësisë së kuptimeve, të funksioneve të tyre ndër shekuj, të lidhura shumë me artin popullor, me dukuri të ndryshme të së drejtës dokesore shqiptare, me vegla e mjete të funksioneve ekonomike, si mjete pune. Në kohë të lashta, prehistorike, njerëzit, jo vetëm në Ilirë, Arbër e Shqiptarë të Mesjetës, veprimet që bënin në shërbim të jetesës, mendimet që shprehnin në të folur, në biseda, edhe pse ato ishin në përgjithësi të vërteta, i lidhnin në brendi me besime, me mite, si mund ta themi ndryshe: me të mbinatyrshmen që shprehej me mite e besime, pra me copëza të kodeve hyjnore, po në një farë mënyre, sado që në vështrim të mjegulluar, dhe si detyrime të dhëna në ligjin dokesor. Në kohë më të vona, si dukje e shoqërive më të zhvilluara, në shumë raste është zbehur ose është zhdukur fare përmbajtja e lashtë. Në shekuj më të vonshëm, në ndryshimësi të vazhdueshme, ato kanë marrë përmbajtje të objekteve artistike, për të zbukuruar veshjet, trupin ose objektet apo mjediset ku njerëzit jetonin e punonin. Në disa raste ato elemente larëzimi të veshjeve ose të objekteve të tjera, përdoren thjesht si të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre, si identitet fisnor, krahinor e më tej.

Deri në Mesjetën e Mesme janë vënë në trup të njeriut vëthë të veshëve, unaza, fibula, rrathë të mëdhenj e objekte të tjera në qafë, në gjoks, në llëna të duarve me kuptimin e hajmalive, amuletave, gjëra metalike për t’u ruajtur nga syri i keq, nga shtrigat, nga rrufeja e gjithëfarë rreziqesh që mund t’i ndodhnin njeriut. Me kohë, duke u vënë gjithnjë në trup, ato kanë marrë sadopak dhe funksione zbukurimi. Në raste të rralla këto objekte metalike janë përdorur në funksione hajmalie në fshatra malore edhe në shek. XX. Unë vetë kam vërejtur, në raste shumë të rralla, në Malësitë shqiptare në Veri e në Jug, djem të vegjël ose dhe djem të rritur, me një vëth në veshin e djathtë dhe duke pyetur më është thënë: këtij djali i kanë lindur shumë vëllezër e motra e i kanë vdekur në foshnjëri a dhe pak të rritur. Që të mos vdesë dhe ky që ka jetuar, i kanë vënë atë vëth që ta ruajë nga vdekja. Diku këtë e mbanin në vesh deri në moshën 15 vjeç, diku deri në 20 ose dhe më tepër vjet. Këto hajmali mbrojtëse janë të vërtetuara deri në vitet ’80 të shek. XX.

Popuj të Ballkanit, të Mesdheut, të Europës e më tej, në të njëjtat kushte zhvillimi në Prehistori, në Antikitet, në Mesjetën e Herëshme, në të njëjtat kushte shoqërore e natyrore, kanë pasur në përdorim dhe besime, mite, rite të ndryshme, qenie mitike (hyjni pagane), të përafërme njëri me tjetrin, doemos dhe me dallime. Çdo bashkësi etnike ka pasur hyjni të malit, të pyjeve, të mrizeve, të ujërave, të vatras familjare. Ky është një arsyetim përafrimi në mes popujve në mite, besime, qenie mitike.

Popujt që në Prehistori, në Antikitet, në Mesjetën e Herëshme, janë përzierë në mes tyre, me migrime, me bashkëjetesë e pra dhe kanë dhënë e marrë, veçanërisht me popujt më afër. Kështu ka ngjarë dhe me Ilirët, me Arbërit e Mesjetës, për të mos shkuar dhe më tej. Kështu ka ndodhur dhe në dukuri të etnokulturës në përgjithësi, pra dhe me mite, besime, rite, me figura mitike. Shumë herë studjues të mirënjohur hyjninë ilire Bindus (mashkull) e njejtësojnë me hyjninë trake: Bendis (femër). Dihet se Ilirë kanë shkuar me banim në Traki, po dhe Trakë jo pak, kanë ardhur me banim në Iliri. Pra dhe hyjnitë janë njejtësuar, edhe pse në gjini të ndryshme. Apollonia e Fierit dihet se e ka emrin nga Apolloni i Grekëve, por në kohën e Ilirëve, si hyjni me emër të madh nuk përmendet Apolloni, po Artemida. Studjuesit e Antikitetit kanë theksuar se këtu kemi të bëjmë me një hyjni ilire, po me emër grek. Se është ilire e vërtetojnë dhe veshjet e saj: janë ilire dhe jo si të Artemidës greke; këtë e vërtetojnë dhe funksionet që kryen, që dallojnë nga ato të Artemidës së Grekëve. Zana arbërore – shqiptare, si hyjni, emrin e ka nga Diana  e Romakëve siç na e vërtetojnë gjuhëtarët, në mes tyre dhe i madhi Eqrem Çabej. Këtë prejardhje emri e ka dhe Zina e Trakëve e e Dakëve. Por në brendësi të saj këto janë hyjni vendëse: të natyrës, maleve, pyjeve, mrizeve, ujërave. Është krejt e kuptueshme se popujt në Lashtësi, në Antikitet kanë dhënë e kanë marrë në mite, rite, besime, në qenie hyjnore, por në këto kanë ruajtur dhe veçoritë e tyre etnike siç ka ndodhur dhe ndër Ilirë e popuj të afërm të tyre.

-Cilat janë disa momentet më të rëndësishme të gjurmimit dhe hulimtimit të këtyre dukurive në trevat tona,sidomos atyre të veriut që ju i kujtoni me nostalgji e mall?

Kam filluar kërkimet e terrenit në folklor, në përgjithësi në etnokulturë: doke, tradita, sidoemos në toponime, në fjalë të rralla, në shprehje popullore që kur kam qenë nxënës në shtatvjeçare e pastaj në atë të mesme. Më së shumti këtë eksplorim në etnokulturë, po dhe në arkeologji, e kam bërë kur isha student e kur kam punuar në arsim në Mirditë. Shtysë të fuqishëm për t’u marrë me kërkime kanë qenë mësuesit e mij e pastaj profesorët e shkollës së lartë. Ndër këta duhen përmendur që në fillore Davida Lleshi, më vonë në të Mesmen e në të lartën: Petro Marko, Lumnie Shehetila, Jup Kastrati, për të mos përmendur dhe disa të tjerë. Pa mësimet e tyre, pa shtysat e tyre të forta për të mbledhur në fshatra vlera të mëdha të etnokulturës, unë në jetën time nuk do të isha tjetër veçse një mësues fshati ndër male. Si etnolog për rreth 40 vjet (1968-2008), kam bërë kërkime shkencore në tërë viset shqiptare: në Veri e në Jug, në mbledhje të të dhënave në shërbim të shkrimeve të mia shkencore-kulturore. Ekspedita kam bërë dhe në tërë Kosovën e në viset shqiptare të Maqedonisë. I kam bërë këto kërkime me shumë dëshirë, me kënaqësi, edhe pse në një pjesë të tyre shumë të lodhëshme. E kam shumë të vështirë të tregoj rastet më të rëndësishme që i kam përjetuar në këto eksplorime me shumë mallëngjim e që ruhen në thellësi të shpirtit tim. Dua të theksoj se në çdo fshat ku unë kam shkuar vetëm a bashkë me kolegët e mij: në Labëri, Skrapar, Çermenikë, Dibër, Mat, Kukës e krahina të tjera, po dhe në fshatra të Kosovës a ndër Shqiptarë të Maqedonisë, na kanë pritur në shtëpi me shumë dashamirësi, me kuvend, me ngrenie, me fjetje në shtëpitë e tyre. Pleqtë e plakat janë vënë në shërbimin tonë, me ditë e me netë, me shumë përkushtim, duke na shpjeguar ato që ne  kërkonim të merrnim në tema të caktuara të etnokulturës. Po japim disa ndodhi interesante të shënuara në kujtime të rastit a në eksplorime terreni:

Në verë, kur isha fëmijë jo i rritur, shkoja me qingja për t’i kullotur në fushat e Lmaqes që ishin si taraca nga më të ulëtat tek më të lartat. Aty vinte dhe një i moshuar nga Lagjia e Oroshit me pak dhi e me pak dhen. Ai kuvendonte me mua për gjëra të ndryshme e mes tyre më tregon se filan djalë nga filan fshat i Oroshit ka bërë me barrë një vajzë nga një fshat tjetër i caktuar; më thotë dhe disa shembuj të tjerë të kësaj natyre. Në çdo rast mblidhej pleqësia e gjygjit dhe ajo e fshatrave dhe kështu në këto raste, bëhej një kubé me dru. Mbi kube lidheshin dajli e vajza. U jepej zjarm druve e ata digjeshin në një kodër pranë Abacisë së Oroshit. Në një rast një vajzë shumë e bukur por e mangët nga mendët nga dikush ishte bërë me barrë, por se nga kush nuk e dinte. Që të digjeshin nga ky akt antimoral duheshin të dy e dihej se fajtor kryesor për këtë akt ishte djali. Hapën fjalën se këtë vajzë e kanë hedhur në Shpellën e Akullit në Pllajën e Bjeshkës së Oroshit ku dhe kish vdekur e kështu tregohej në popull për rreth 50 vjet. Në të vërtetë atë e kishin abortuar dhe e kishin martuar me një vejan jashtë Mirditës. Këto akte të shëmtuara dënoheshin si moral njerëzor, po dhe nga besimi se Oroshi me 10 fshatra të vegjël, Spaçi e Kushneni që përbëheshin të tërë rreth 50 fshatra (të vegjël) konsideroheshin vëllezër e motra se janë të ardhur në shek. XV-XVI nga Pashtriku i Gjakovës. Aty kishte gjini të ardhura dhe nga vende të tjera, po “të mbështetur” e quheshin dhe këta vëllezër. Pra, po bënë “atë punë“, me ligje popullore të vendit duheshin djegur mbi turrë të druve. Plaku tregues thoshte se këto dënime të ashpra kanë ndodhur në kohën e Bib Dodë Kapidanit e që ka vdekur më 1868, pra kanë ndodhur në mesin ose në fillim të shek. XIX.

Ishim në eksplorime shkencore në Mat (më duket se më 1971), bashkë me etnologen e shquar Andromaqi Gjergji. Në fillim për disa ditë bëmë kërkime në fshatrat më në ultësirë të Matit. Në vazhdim shkuam e punuam në fshatin Macukull në një rrafshnaltë në Malin në fjalë. Këtu na pritën shumë mirë në shtëpi e na ndihmuan së tepërmi në kërkimet tona. Prej andej shkuam poshtë në Derjan e intelektualë të vendit, na çuan në një shtëpi ku do të mblidhnim më së mirë të dhëna nga tradita, po dhe do ta kalonim mirë në atë shtëpi mikpritëse dhe të kamur. Shkuam në atë shtëpi e na pritën me shumë përzemërsi. Aty erdhi dhe një burrë i moshuar si mik e do të shiste një kalë në Pazar të Derjanit që të nesërmen ishte ditë e tregut në këtë vend. Andromaqi punoi me gratë e moshuara në temën e veshjeve, të stolive të ndryshme në veshje e në shtroje e ndërkohë unë punova me dy të moshuarit në projektin tim nga dreka e, me një ndërprerje për të ngrënë darkë, e vazhduam punën për mitologji e besime, për doke të ndryshme deri në ora një mbasmesnate. Pastaj, fjetëm disa orë; u zgjuam e na dhanë të hamë mëngjes. Pas kësaj i falënderuam për gjithçka bënë për ne, u dhamë lamtumirën e u larguam. Shkuam në pazar të Derjanit (si ditë pazari që ishte) për të parë, për të fotografuar veshje, stoli, objekte të shtëpive fshatare, për të marrë dhe shënime nga tregimet e shitësve. Papritur na vinë dy pleqtë me të cilën kaluam mbrëmjen; ishin si të xhindosur, “u kishin ikur mendtë” e na thonë: “Na falni se ato që u kemi thënë në shtëpi nuk janë të vërteta! Mos na vini në rrezik!” Na u lutën t’i grisnim ato që kishim shkruar se ndryshe do të bjerë rrufeja. U largova për pak kohë duke fotografuar veshje e objekte të tjera e duke pyetur mësova se këta dy të moshuar ato që na kishin thënë ne, i kishin treguar në një grup njerëzish e këtu disa djem vagabondë u kishin thënë se ato që ata kanë thënë i kanë marrë në shënim e menjëherë do t’ju fusin në burg. Ata e kishin besuar e ishin bërë si të çmendur. Ishte dhe koha kur bëhesh shumë luftë kundër zakoneve prapanike e kjo i kishte tronditur për së tepërmi. Rastësisht, po aty ndesha disa intelektualë shumë të shkolluar e tepër inteligjentë. Ua shpjegova se ç’kish ndodhur e u kërkova që të ndërhynin për t’i sqaruar e për të zbutur gjakrat e tyre. Këta menjëherë shkuan te dy pleqtë e u përshëndetën përzemërsisht me ta. Duke i ftuar shkuan ata për të pirë kafe, aty biseduan gjerë e gjatë me ta e sqaruan çdo gjë në atë vështrim që dy pleqtë t’i besonin të vërtetat. Kështu u qetësua çdo gjë. Në një rrugë tjetër përplasjesh ishte në rrezik që të ndodhte dhe ndonjë tragjedi.

Në ekspeditë në Brataj të Vlorës i kërkoj një këshilltari të asaj kohe që të më ndihmojë të mbledh disa pleq të fshatit në hije të disa pemëve e të bisedoj me ta për doke e zakone, për rite, mite e besime të ardhura nga lashtësia. Ai u tregua i gatshëm e shkoi të mbledhë pleqtë e fshatit, natyrisht dhe plaka. Këshilltari u kthye menjëherë e më tha se Sekretari i Partisë së fshatit ka urdhëruar njërin që t’i njoftojë e të mblidhen tërë pleq e plaka të fshatit në Vatrën e Kulturës e aty do të vijë dhe ai vetë. Unë u trondita së tepërmi se në ato kohë bëhej një luftë e ashpër kundër dokeve, traditave, riteve prapanike e unë do të bija në kundërvënie me Sekretarin e Partisë: ai do të më kundërshtonte për mbledhjen e këtyre dokeve e besimeve që duhen luftuar e jo të shënoheshin në defterë. Ndodhi krejt e kundërta nga ç’mendoja unë. Erdhën në Vatrën e Kulturës pleq e plaka dhe Sekretari i Partisë: më përshëndeti përzemërsisht e iu drejtua të pranishmëve: Ky profesori ka ardhur nga Tirana e do nga ju disa historira të vjetra të vendit; t’ia tregoni sa më qartë ato që do t’u kërkojë. T’i tregoni çdo gjë. Tha se nuk kishte kohë të rrinte e doli menjëherë, u largua. Pleqtë më treguan shumë gjëra interesante për doke, tradita, mite e besime. Më treguan dhe për një flijim të një fëmije të marrë në themele të Urës së Vjetër të Drashovicës, ngjarje e ndodhur rreth një shekull më parë. Prej këtu shkoj me shoqërues te plaku 104 vjeç Ismet Kamaj që e kishte shtëpinë shumë larg qendrës së Bratajt. Edhe pse kaq i moshuar (104 vjeç më 1971) ishte shumë i freskët në kujtesë. Më tregoi shumë tradita, rite, mite e besime të vjetra. Më thotë se në Urën e Vjetër të Drashovicë ishte murosur një djalë i marrë që shëtiste shtëpi më shtëpi. E kishin murosur kryendërtuesit e ndërtuesit me qëllim që ura, sipas tyre, do të qëndrojë ndër shekuj. E kish parë dhe e kish përjetuar me dhimbje këtë ngjarje kur shkonte si nxënës në medrese. Populli e dënoi me shumë urrejtje këtë akt tragjik të ndërtuesve. Kjo kish ndodhur në vitet 1877-1878.

-Po ndalemi për një moment tek balada e murimit ,të cilën ju e trajtoni me shumë kopetencë në studim.Cilat kanë qënë veçoritë e këtij riti në trojet tona, krahasuar me vendet fqinje?

Dukuria e murimit në ndërtim të njerëzve në kala, në fortifikata, në ura, në ndërtime kulti dhe në popullin tonë më së shumti është ruajtur në balada, në legjenda, në përralla popullore. Flijime grash apo fëmijësh, në ndërtime kanë ekzistuar në popuj të ndryshëm të botës. Bëhej për t’u forcuar ndërtimi e si i tillë të qëndrojë ndër shekuj pa u shpërbërë. Vetëm në ndonjë rast të rrallë është ruajtur flijimi i njerëzve në ndërtime deri para 150 vjetëve. Që nga Mesjeta flijimet e njerëzve janë tjetërsuar: në vend të njeriut është murosur një gjalmë me gjatësinë e një njeriu të caktuar. Në raste të tjera është murosur një dash ose dhe vetëm një kokë dashi. Në popujt e Ballkanit ritet e flijimit ose dhe baladat a legjendat për flijime njerëzish, ose kafshësh apo dhe “flijim” simbolik, kanë qenë shumë të përafërta. Kjo ka ndodhur nga që popujt e afërm, siç janë këta të Ballkanit, kanë praktikuar jo pak dukuri etnokulturore të përbashkëta ose të përafërta. Kjo ka ndodhur edhe pse pjesë popullsie janë shpërngulur nga vendi i tyre e vendosur, po dhe shpërbërë, në gjirin e popullit ku u ngulën. Në shumë raste mjeshtrat e ndërtimit shumë të mirënjohur bënin ndërtime, qoftë dhe fortifikime jo vetëm në vendin e tyre, por dhe në popuj të tjerë më të afërm. Kështu, praktikonin të njëjtat dukuri rituale, të besimit. Pra kalonte riti i flijimit nga një popull në një tjetër.

Jeni një nga studiuesit më të zellshëm i vlerave etnokulturore dhe shpirtërore të popullit tonë.Madje në këtë material keni bërë një analogji mes riteve të dasmave shqiptare me ato franceze,gjermane, e deri dhe indiane.Ç’rite të përbashkëta keni konsultuar?

Shumë rite e besime të natyrës pagane, pavarësisht nga njëri-tjetri, i kanë praktikuar popuj të ndryshëm të botës, siç është, ta zemë në kohë të lashta e më vonë, kurbani në ndërtime. Ka ekzistuar kulti i diellit, kulti i zjarrit, kulti i dorës, për të mos përmendur dhe shumë të tjera. Këto kanë qenë mjete vendimtare në jetën e tyre. Nuk përjashtohen dhe marrjet e dhëniet në mite e besime te njëri-tjetri. Sipas kushteve gjeografike e të atyre shoqërore, ndryshojnë dhe kultet: diku më pak e diku më shumë. Në vendet tropikale ka qenë shumë i theksuar Kulti i Hanës.  Ajo ishte shumë orientuese në rrugëtime e në punë që bëheshin natën, nga që nxehtësia e diellit gjatë ditës ishte marramendëse.

(Vijon)