Zjarre nga jugu në veri/ Nëntë qarqe “me llambë të kuqe”, luftë nga ajri dhe toka me flakët
Të paktën 29 vatra zjarresh u shfaqën në 24 orët e fundit në vend, nga të cilat 7 ende vijojnë të djegin pyje e toka. 9 nga 12 qarqe të vendit këtë të hënë janë në alarm nga rreziku për shkak të temperaturave të larta.
Java nisi me temperatura të larta dhe alarm zjarresh nga jugu në veri.
Këto pamje vijnë nga Zgërdhesi i Krujës, ku ndodhet dhe qyteti antik ilir i Albanopolis.
Flakët po avancojnë duke përshkruar dhjetra hektarë tokë, ku po djegin çfarë gjejnë përpara, pasi ndërhyrja për ti vënë nën kontroll është e vështirë
Pylli në kodrat mbi Kepin e Rodonit po digjet prej 10 ditësh dhe për të vënë flakët nën kontroll u ndërhy me helikopter.
Në Ndërshen, Orosh të Mirditës, flaket kërcënuan banesa.
Në 24 orët e fundit në vend u shënuan mbi 29 vatra zjarresh.
“Në aksionet për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve janë angazhuar 315 efektivë zjarrfikës, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare, 36 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter”.
9 nga 12 qarqe të vendit janë në alarm për rrezikun e lartë të zjarreve për 36 orët në vijim për shkak të temperaturave të larta.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm përgjatë ditës së sotme, ku sipas IGJEO parashikohet ditë shume e nxehtë në të gjithë qarqet e vendit, veçanërisht në ato me risk më të lartë për zjarret në pyje.Mos ndizni zjarre në pyje! Nëse ndizni zjarr në kamping, mos u largoni pa u siguruar që është fikur tërësisht!
Pastrimi i kullotave me anë të zjarrit bëhet vetëm me autorizim të ndërmarrjes pyjore të rrethit ku ndodhet kullota”.
Pastrimi i kullotave dhe tokave bujqësore përmes djegies është ndër shkaqet kryesore të zjarreve, kryesisht pranë zonave të banuara.
Ndaj Ministria e Mbrojtjes u ka kujtuar fermerëve dhe piromanëve përgjegjësitë ligjore.
“Ju rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit”.
Nga OraNews