10 Korrik 2024

Dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e zjarrit të madh në Shqipëri.

Avionët që do kenë bazën e tyre në aeroportin e Korfuzit ndodhen tashmë në ishullin grek nga ku u ngritën pak minuta më parë.

Era e fortë ka përkeqësuar situatën nga zjarri në bashkitë Dropull dhe Finiq. Prej orësh, helikopteri Cougar, 21 efektivë të FA, 54 forca zjarrfikëse me 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli, efektivë të Policisë së Shtetit, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po punojnë për izolimin e flakëve dhe për shmangien e çdo rreziku për banorët e zonave.

Në zonat kodrinore ku zhvillohet pjesa më e madhe e zjarrit forcat operacionale e kanë të vështirë ndërhyrjen si pasojë e tymit dhe vështirësisë për të ngjitur kodrat, ndaj është vlerësuar shtimi i kapaciteteve operacionale.

Gazeta Dita